Donnerstag, 16. Juni 2011
Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS" 1
Libra dhe autor:
Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS"(Pjesa e parë e librit)
FILLIM I NJË POEZIE PËR ADEM JASHARIN
Them Adem
Dhe nuk kam nevojë
Për asnjë metaforë
Për asnjë krahasim
Më ngre në qiell
Estetika e Lirisë
Bukuria e gjakut tim
Shoh Kosovën
Në Drenicë tek merr zjarr
Për t’u ngrohur në janar
Mbi Drenicë është qielli i lirisë
Dhe aty kam shkruar Adem
Gjë tjetër nuk them
Në sytë e lirisë lexoj
Adem Prekaz Drenicë...
Në sytë e lirisë
Në qiellin mbi Drenicë
Lexoj Lirinë
Në lartësinë e qiellit të kaltër
Mbi Drenicë
Lexoj jetëshkrimin e Lirisë
Në Prekaz në Drenicë...
(Skenderaj, 29 qershor 2009)
JASHARËT
Nëpër qiell yje bëhen
Metaforat e Kadaresë
Për atë flakë-liri
Të kësaj Shtëpie
Për atë flakë-shqiponjë
Që dogji mjegullën
Përmbi Kosovë
Sytë e Lirisë plot Adem
Sytë e Ademit
Plot qiell Kosove
Përplot Liri
Sytë e Ademit
Birit të Lulzimit
Të Adem Jasharit
Fryn Liria e Kosovës
Asnjë re në qiellin e lartë
Mbi Jasharë
Plot qiej të kaltër
Në sytë e Ademit të Ri
Për besë zjarr del
Nga përqafimi i tij
Pranë varreve
Dhe në Kullë të Jasharëve
Ballin mbështet Liria
Dhe vijnë shqiptarët
Në Shtëpinë e Lirisë
Shprushin Jetën Legjendën
Vetveten
ZJARRI I JASHARËVE
Në fillim të marsit 1998
Kosovës pak qiell
I kishte mbetur mbi kokë
Nuk jetohej aq ngushtë
Pa dritë pa blerim
Dhe Ademi me Jasharë bënë zjarr
Tokë e shpirt mbushën me zjarr
Të zhbëhej zhbërja jonë
Dhe Kosova bëri qiell për diell
Në fillim të marsit 1998
Qielli digjte saç
Qielli deshi t’i binte
Kosovës përmbi kokë
Por sakaq
Qielli që digjte saç mbi Prekaz
Si një shqiponjë fluturoi lart
Pas mijëra vjetësh
Një Promete tjetër
Për liri bënte zjarr
Adem Jashari
Në Prekaz ndër Jasharë
ZJARRI
Ra flaka
Në prushin e pashuar
Në vendlindjen
E Shekullit të Ri
Zeusi zvogëlon Tokën
Posejdoni rrit detet
Foshnjave që s’janë lindur
U zihet fryma brenda Nënës
Zjarri përvëlon
Të digjet Froni mizor
Sërish zjarri
Përqafimi i Lirisë
Zjarri i prushit të Kosovës
Fytyra e praruar e Bukurisë
AZEM BEJTA I KOHËVE
Mbi varrin - shpellë dritë ndër shekuj
Kulla jote e vrojtimit
Plot Liri e guxim më mbush
Mbi Kosovë kur e shprush vështrimin
Gjithnjë rritet trimëria jote
Kënga e Kosovës thirrja e shokëve
Mbështjellë me ajrin e Arbërisë
Me prushin e legjendës
O prite prite Azem Bejtën
GJAKU I MUJËS
Shprushi prushin e historisë
U mbush zjarr dhe u nis...
Plot Atdhe iu mbushën sytë
Kur hyri i pavdekshëm në Kosovë
Në atë dhjetor
I përqafonte katundet
Qytetet e Shqipërisë
Që ishin shkoqur nga trungu
Pazareve të historisë
Seç e shkrinte borën seç e digjte kufirin
Në atë fund të motit
Në atë fund të mortit
Drejt qiellit ngjitet përditë
Liri dhe Arbëri
I shkrepin sytë
PO VJEN MUJA
(E shkruar duke pritur shtatoren e Komandantit që
do të vendoset në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë
Këtu ishte gjithkund
Gjithkund këtu ai është
Por po vjen Muja
Mujë Krasniqi po vjen
Po vjen të na ngrejë
Ballin përpjetë
Shtatlartë mbështetur
Në qiell
Po vjen Muja sërish po vjen
Të na kaltërojë syrin
Të na gjelbërojë kujtimin
Po vjen të jetojë vertikalisht
Ta mbajë lart qiellin e tetë
Të Lirisë
Po vjen me fytyrën e moçme
Të Atdheut e të Flamurit tonë
Ai këtu ishte gjithkund
Gjithkund këtu ai është
Por po vjen sërish Muja
Mujë Krasniqi po vjen
(Klinë, qershor 2009)
MUJË KRASNIQI ËSHTË NJË
Në qendër të qytetit
Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Lirinë
I vetmi që nuk pushon
24 orë ballin mbi re
Përditë e përqafojnë
Fëmijët nënat e dëshmorëve
Këngët dhe shqiponjat
Pastaj në ditë festash
Para kamerave para mikrofonave
Mbahen fjalët e rastit duartrokasin
Seç e zvogëlon përditë
Atdheun e partive politike
Lirinë seç e rrit përditë
Vetëm një është ai
Si Dielli si Liria si Flamuri
Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Drinin
DREJT LIRISË
Çdo 5, 6 dhe 7 mars
Nga flakë e Prekazit
Qielli i Kosovës
Fluturon më lart
Sepse Liria
Dhe shqiponjat e vendit tim
Duan shumë hapësirë
Për fluturim
Çdo 11 mars
Në Prishtinë
Bëj demonstratë
Derisa të më shterojë zëri
Derisa të na vrasin
Derisa të na arrestojnë
Pak nga pak përditë
Se burgu nuk i nxë të gjithë
Çdo 7 maj
Kthehem nga burgu në fshat
Dhe me nënën i stolisim
Dritaret e vogla të shtëpisë
Dyert e çara të oborrit
Me lule të Shën Gjergjit
Çdo 28 Nëntor
Kuq bëhet qielli mbi Kosovë
Shqiponjat e zeza të fluturojnë
Të fluturojnë shqiponjat e zeza
Të fluturojnë
Nëpër kokën tonë mbi kokën tonë
TË JESH SHKODËR
Edhe para rrethimit të parë
Edhe pas rrethimit të njëqindtë
Zëri i flijimit fluturonte mbi Liqen
Mbi qiell të Rozafatit bëhej Kambanë
Ji Shkodër oj Nanë
Mbi atë qiell i kam lidhur nyjë
Legjendat këngët betejat
Mbi atë tokë çdo shekull hodhi zarin
Po kurrë s’e ndali Zana të moçmen kangë
Të jesh Shkodër oj Nanë
NUK ÇLODHESH NË LIRI
( Ismet Jasharit-Kumanovës )
Pikë-pikë përvëlonte
Pikonte malli i Kumanovës
Mbi flakën e Kosovës
Kur erdhe ta lindnim lirinë
Dhe erdhi tjetra verë
A ta bëmë lapidarin
A ta puthën syrin lulet
Në Prizren në Qafë të Dules
A ke qiell tokë e kohë
Të çlodhesh pakëz në liri
JETO NË LARTËSI
( Mr. Selman Lajçit )
Majë bore në majë të Hajlës
Kosovën e sheh më mirë
Dhe flakën e saj
Pushkën ia more Zhuj Selmanit
A Selman Kadrisë
Mbi bjeshkë u bëre plis
Shallin-qefin rreth koke
Të lindurin dhe të vrarin në mal
Ta shpëtosh
Legjendë e legjendës së vjetër
Të rugovasve
Vija e gjakut
Nuk e di në Drin a mbërrini
A ke ende etje
Majë shkëmbi majë qielli jeto
Kosovën e sheh më mirë
Të përvëlon etja e saj
FLAMURI I SHQIPËRISË
( Në një të përditshme të Prishtinës, gati kam harruar cila ishte,
sepse të gjitha nuk dallojnë gjë nga njëra-tjetra,
një gazetar profesionist, që mund të jetë
ekspert shumë i thellë ose analist i rrallë politik,
pa të cilët nuk merret me mend zhvillimi i Republikës sonë,
shkruante dokrra fjalësh për flamujt dhe në këtë kontekst e pashë edhe
Flamurin kombëtar të shqiptarëve. Në këtë shkrim
lexova një urrejtje konformiste, eksperimentale dhe
demokratike-ballkanike ndaj çdo flamuri,
zbërthyer nëpërmjet krahasimesh mjaft të ndyra.
Sado që nga qasja e sotme eksperimentale bashkëkohore
mund të trajtohem e të akuzohem si intelektual që nuk ecën me kohën
dhe sipas promovimit negativ, komercial e diletant të frymës
së diversitetit kulturor në Kosovë, në dëm të shqiptarëve,
mendoj se në historinë e çdo flamuri merr frymë historia
njerëzore, pasuria, krijimtaria, robëria, liria dhe burgjet
e secilit popull. )
Qiriri i dhimbjes
Gati në shpirt m’u ndez
Por jo i thashë vetes
Flamuri këtu qenka
Flamuri në qiell është
Gjithkah pashë Flamur
Në Lezhë Prekaz Krujë
Para spiunëve me shumë sy
Përmbi lukuninë e UDB-së
Fluturoi mbi Kosovë Shqiponja
Pushoi mbi Plis majë Shtëpisë mbi Lis
Ky qiell iu duk pak fluturimit të saj
Deshi nën tokë të kishte strehë
Mbuloi trupat e dëshmorëve
Lirisë iu bë rrënjë e rrënjëve
Drejt Diellit fluturon Shqiponja
Ngarkohet me qiell dhe me dritë
T’ia bashkojë krahët Shqipërisë
Qiriri i dhimbjes
Gati në shpirt m’u ndez
Por jo i thashë vetes
Flamuri këtu qenka
Flamuri në qiell është
Gjithkah shoh Flamur
Mbi Lezhë Prekaz Krujë
LIRIA IME
Si të të përqafoj
Ti kokën nuk e përkul
As sa një fije kashte
Mbi cilin qiell syri yt pushon
Nuk ta putha ballin as dje as sot
Ti kokën lart e më lart
TROPOJA
Nuk ke jetuar
Nëse nuk je
As fëmija as luftëtari
Që ra nga bjeshka
Në prehrin e saj
Me u shërue me jetue
GJOKSET E DËSHMORËVE
Secila këmishë partie
Çuditërisht e ngushtë
Për gjokset e dëshmorëve
Nëpër hapësirat e tyre pa mjegull
Vetëm Shqiponja mund të fluturojë
Vetëm Liria
Emrat e tyre di t’i lexojë
Pa gabime gjuhësore
Pa gabime politike
ISHIT TË ETUR
Dhe zbritën retë
Siç zbresin shqiponjat
Përmbi shkrep
Si lot nëpër faqe
Ra shi ngadalë
Në kopshtin pa vjeshtë
Mbi ju lapidarë
U shter qielli
A ju djeg ende etja
Jeni të etur
Si lot nëpër faqe
Bie shi ngadalë
Në kopshtin pa vjeshtë
Mbi ju lapidarë
Mbi ju ushtarë
Për se keni etje ende
Tash kur kaq shumë shi bie
Në këtë vjeshtë
A dëshironi
Ta krijoni diku edhe një qiell lirie
Edhe një pranverë
GJIROKASTRA E LIRISË
Luftë mbi luftë
Shtëpi mbi shtëpi
Mbi Kala
Flamur Kuq e Zi
Mbi të rënë këngë
Mbi këngë të rënë
Pastaj sërish këngë
E sërish të rënë
Argjiroja valëvitet Flamur
Kurrë nuk zbret
Qëkur je nisur drejt qiellit
Me shqiponjat fluturim
Shqiponjë e vendit tim
MBIDASHURIA
( Atyre që i dhanë gjak Lirisë )
Kur perëndon dielli
Shoh sytë e tyre
Tek ngjiten lartësive
Të mos bjerë asnjë pikë terr
DIELLI TË BËNTE VEND
Shpeshherë shumëkush
Kokën mbi ballin tënd
Ëndërronte
E ti përzjarreshe
Dielli të bënte vend
Shqiponjë e shtatë qiejve
Të duan vetëm ata
Që krijojnë
Një qiell kaltërsi
Me dashuri
RRUGËT E TYRE NUK MBAROJNË
Të bëhesh me ta
Nuk arrin kurrë
Në majë të dashurisë
Rrugët e tyre
Nuk mbarojnë kurrë
Drejt njeriut
Drejt majave qiellore
Të Lirisë
1981
Viti 1981
Ka filluar më 11 mars ditën e mërkurë
Në Qendrën e studentëve të Universitetit
Të Prishtinës
Viti 1981 nuk ka mbaruar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
Ata që e akuzonin të 1913-ën të 1945-ën
Pse nuk paskan projektuar më shumë robëri
Për vitin 1981
Nuk na nxinte burgu të gjithëve
As objektivi i fotoaparateve të udbashëve
Studentët vinin lumë nga kohë e shkuar
Lumë vraponin drejt ditëve të ardhshme
Në vitin 1981
Që ka filluar më 11 mars
Dhe nuk ka përfunduar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
( Këtë poezi, me shifrën “1981”, juria e vlerësoi me çmimin e dytë në konkursin letrar të manifestimit kulturor tradicional “Flaka e janarit” 2011, në Gjilan.)
DORUNTINË EJA
Eja natën
Ose ditën kur flemë
Të mos e zgjosh Nanën
Trokit në derë lehtë
Me Kostandinin
Me nëntë vëllezërit
Këndoji të gjitha këngët
Vallëzoji të gjitha vallet
Të mos flenë ofiqarët
Zyrtarët sekretarët
Që nënshkruan
Se ti nuk je gjallë
Eja Doruntinë
Mbushma jetë Shtëpinë
VENDIM
Duke mos u mbështetur
Në asnjë Ligj të Drejtësisë
Në asnjë nen në asnjë nënligj
Në asnjë pikë të nenit
Marr vendim t’i dua njerëzit
Marr vendim ta çmoj Lirinë
Dhe atë gjak - rrënjë të saj
Duke mos u mbështetur
Në asnjë Kushtetutë
Marr vendim ta bëj
Një buzëqeshje të fëmijës
Me zjarrin e yjeve në qiell
Duke mos u mbështetur
Në asnjë Ligj të Demokracisë
Marr vendim të rri me kafshët
YJET QËNDROJNË LART
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Ju jeni të verbër
Yjet qëndrojnë lart
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak se unë ju them
Është vetëm një Diell
Dhe bota ka mjaft dritë
Është vetëm një tokë
Për të gjithë njerëzit
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Është vetëm një Shqipëri
Vetëm një tokë një det
Dhe vetëm një qiell i saj
Që na bën shqiptarë
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Ju jeni të verbër
Yjet qëndrojnë lart
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Është vetëm në Promete
Dhe mijëra vjet ikën si tash
Prometeu a Zeusi
Është më lart
LUTUNI PËR SHI
Bjer o shi
Të vendosë pranvera
Kurorë sërish
Mbi varret e lirisë
Bjer o shi i mirë
Ta kujtoj lotin tonë
Bjer o shi i mirë
Të them je loti ynë
Bjer
Shi
Bjer
Shi
Bjer
Të mos rritet uji i keq
Mbi sytë e mi bjer rrëke
Ta ndiej lotin e nënës
Që s’më qan kurrë më
Bjer
Mos
U
Ndal
O
Shi
Bëja Lirisë një mijë qiej
Në njërin sy
FUQIA E SHIUT
Bie shi mbi Iliri
Anijet e luftës pushojnë
Pushtimi pushton
Bie shi mbi Arbëri
I merr era kokat e prera
Kryezoti i secilës principatë
Qëndron kryezot
Vetëm me flamurin e vet
Qiellin e Arbërisë e mbulon
Dhe ngre kokën lart
A shkruan në qiell Kryezot
Pastaj seç iu tha Gjergji kur erdhi
Seç i bëri bashkë
Një Flamur me një shkabë
Nga kullë e Janinës
Bie shi gjak
Si nuk u bashkuam
Si mbetëm kaq pak
Pas Vlorës pastaj
Menjëherë ra shi
Të mbilleshin
100 vjet robëri
Dhe tash bie shi i mirë
Të ulet mali syri i hënës të dalë
Të kaltërohet krejt qielli
Të blerojë krejt toka e Bukurisë
Që kaltëron sytë në det
Tash mijëra vjet
VARRI MAJË MALI
Syçelë ka shkuar
Kurrë nuk i mbyllen ata sy
I kaltërohen nëpër qiell
I përzjarren nëpër diell
Një Orë e malit
Një Zanë se nuk ka nanë
Me lot ia ujit rrënjët
E gurit të varrit
Një Orë e malit një Zanë
Se ai nuk ka nanë
Pranë amës së krojeve qëndron
Tokën me gurë qiellin me pishë
Zjarre ndez malet një nga një i djeg
Nëpër natë e nëpër ditë
Ai varr majë mali bën dritë
BALADË E VENDLINDJES
Një kokërr grurë më shumë
Një kokërr grurë më pak
Mijëra vjet bën jetë bukë e nder
Vendlindja ime i shtrenjti fshat
Askund nuk pashë lisa më të gjatë se këta
Nuk pashë sofra më të gjera se këto
Mijëra tavolina në hotele në qytete
Nuk bëjnë sa sofra jote
Më fal i shtrenjti fshat më fal
Që nuk rri 24 orë me ty
Por ti e di unë nuk mungoj kurrë
Kur fryjnë baladat kur fryjnë vajet
Nga varret e moçme nga varret e reja
Kur këndon e qesh çdo fije gruri çdo fije bari
Çdo gur e mur shtëpie ndërtuar mbi eshtra
Qielli yt nuk është vetëm ajo vranësirë mbi ty
Ngarkuar me borë me breshër me shi
Toka jote nuk është vetëm kjo arë e lëvruar
Blerimi yt nuk është vetëm ky livadh i gjelbëruar
Gabimisht flitet e shkruhet për ty e shtrenjta ime
Sepse nuk të shohin shpirtin nuk ta njohin
Gabimisht konstatojnë numrin e shtëpive
Numrin e gjyshërve të baballarëve të nënave
Gabimisht konstatojnë numrin e vajzave të fëmijëve
Të dëshmorëve të jetimëve të invalidëve të pastrehëve
Gabimisht konstatojnë numrin e luftërave dhe të varreve
24 orë në ditë një gëzim kërkoj një lot
Kërkoj një dhimbje të njeriut një dorë
Dhe tek ti si në librin e mirë të gjitha i lexoj
Ma mbush qiellin e Atdheut plot me gëzim
Kur ia merr këngës e valles së dasmës
Kur buzëqesh jeta në vallen me djepa
Ma mbush tokën e Atdheut plot me dhimbje
Kur breshër lotësh derdh mbi të vdekurin
Dhe mbi varret e tua nën lisat e kërrusur
Pakkush qan e qesh sot si ti vendlindja ime
Një kokërr grurë më shumë
Një kokërr grurë më pak
Mijëra vjet bën jetë bukë e nder
Vendlindja ime i shtrenjti fshat
Vendlindja ime me një shkollë të vogël te koka
E shtrenjta ime rrethuar me male
Me asfalt dhe me varre
THANË NUK NA DUHET FLUTURIMI
Thanë më nuk na duhet fluturimi
Çka na duhet qielli
Toka jonë na mban gjallë
Thanë më nuk na duhen thellësitë
Sepse pimë ujë të shiut
Pimë ujë në vrimat e gurit të shpuar
Nuk na duhen gjë thellësitë
Toka jonë e pasur na mban gjallë
Është konstatim i ekspertëve tanë
Po ju them prapë
Fluturimi nuk na duhet gjë thanë
Po ju them sërish
Thanë nuk na duhen gjë thellësitë
Pak na mori uji o pak pikon
Çati e shpuar e qiellit tonë
NGA PËRVOJA JONË BIBLIKE
Dhe njëri tha
Bora është e bardhë
Dielli bën dritë
Dhe i bënë gjyqin
Dhe pa e pyetur kush
Tjetri tha
Bora është e zezë
Dielli bën terr
Dhe gjykatës e bënë
MADHËSHTIA E FLUTURIMIT
Dhe zogjtë nuk iu bindën asnjë urdhri
Nuk e ndalën fluturimin
E flakëruan qiellin
Urdhri vazhdonte
Por zogjtë nuk ranë në tokë
Nuk e shkelën betimin
Atdhe e kanë qiellin
ALI PASHË TEPELENA
Ta kishe pasur dritaren e kullës
Sa syri yt pishë
Derën ta kishe pasur më të lartë mbi kokë
Dhe unë ta kisha vënë një gur në tënden kullë
Atë ditë nuk ishim bashkë të gjithë
Dhe koka jote u pre u nis
Fillimi as mbarimi
I rrugëtimit të gjakut tonë nëpër dete
Njëqind vjet më pas ai varr sa kontinentet
Trupi yt pa kokë u kujtoi shqiptarëve
Shqipërinë pa Kosovë njëqind vjet më vonë
LIBRI I PASHKRUAR
Të më lënë të shkruaj
Pa pushim të shkruaj
Verë e dimër
Nuk bëhet ai libër
Në hirin e librit të djegur
Qindra vjet rrojnë fjalët
Për të lexuar dashurinë
Njeriun dhe lirinë
Hirin e librit të vrarë
Nuk e djeg asnjë zjarr
MAJË BJESHKE
Ta bësh shtëpinë majë bjeshke
Pranë qiellit tonë
Me lisat me gurët tanë
Në të pështyfshin sërish
Më shumë pështymë
U bie mbi fytyrë
DETI ËSHTË MË I THELLË
SE CEKTËSITË TONA
Nëse kam frikë
T’ia prek thellësitë
Nuk them s’ka më Det
Përtej cektësisë sime
MAGJIA E DURRËSIT
Qiell e det seç përqafohen
Me zjarr me kaltërsi
Lundroj nëpër ujëvara flokësh
Lundroj nëpër ujëvara sysh
Mes qiellit dhe detit jetoj
Nuk jam në tokën e vogël
Që nuk vërehet fare
Jam mbështjellë me kaltërsinë
Dhe me lirinë që ta fal qielli
Dhe ta merr toka
Mes qiellit dhe detit do ta lë
Fytyrën kujtimin për Nënën
Poezinë dhe gjithë bukurinë
TOKA ËSHTË MË E MADHE
SE HAPAT TANË TË VEGJËL
Nëse nuk më bëjnë këmbët
Të udhëtoj më tej
Nuk them s’ka tokë përtej
METAFORA E DHIMBJES
Nuk e di cila metaforë
Ka hapësirë për dhimbjen
E shpirtit tënd
Kur t’i pritnin degët një nga një
Të mos mbeteshe Lis
Nuk e di cili varg i poezisë
Ka qiell për ylberin
E gëzimit tënd
Kur degët i rilindje sërish
Të mbeteshe Lis
Mijëra vjet mbi degë e rrënjë
Të goditi sëpata e natës së gjatë
Po rrënjët e tua
Amë e kishin dheun
Dhe qëndrove më këmbë
Shpesh ta kanë prerë trupin
Por gjithmonë ke mbirë sërish
Majë malit afër qiellit
Afër kroit afër lumit
Në vijën e lotëve të Nënës
Në vijën e gjakut të të rënëve
Lis i moçëm lis i ri
Me mjegullën e shekujve përmbi
KA ARDHUR KOHA
Ka ardhur koha
Të filloni
Të më doni
Ka ardhur koha
T’ju dua më shumë
Ka ardhur koha
Të mos trokasin
Të ndruajtura
Rrezet tona
Në dritare
Sikur të mos ishin
Të Diellit tonë fare
EKOLOGJIKE
Nuk do të kemi
Ambient të pastër
Edhe po t’i largojmë
Të gjitha mbeturinat
Nga pragu i derës
Nga oborri
Nga fshati nga qyteti
Nga fusha nga mali
Dhe nga Deti
Nuk do të kemi
Ambient të pastër
STRUGA
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Këto ura mbi Drin të Zi
Duar të shtrënguara në Iliri
Buzëqeshja e Pogradecit dhe syri yt
E përflakin Qafë-Thanën
Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund
Strugë
DRIDHEN URAT MBI DRIN
Dridhen urat mbi Drin
Dridhet shpirti i Rozafës
Tek mban urën me njërën dorë
Tek përkund djalin me dorën tjetër
Kaltëron qiellin i jep gji jetës
Rrojnë të moçmet
Apo thashetheme moderne
Po thurin mjeshtrit
Që nuk ndërtojnë ura
Fryn erë me dhimbje të Rozafës
Dridhen urat mbi Drin
Fryn dhimbje në shpirtin tim
Rozafë e Urës së Fshejtë
Rrënjë e Fjalës sime të shenjtë
PRARIMI I LARTËSISË
Prarimi i lartësisë
Ia merr të dy sytë
Dhe nuk i sheh zogjtë
Që ngjiten në qiell
Të kenë më shumë diell
GJIROKASTRA PORTË E HAPUR
Seç e shprush atë prush
Ata gurë seç i lexoj
Sa herë shkoj
Bukuri e moçme m’i merr sytë
Përkundem si fëmijë
Në atë djep legjendash
Orë e muza bashkë
Përtërijnë Kalanë
FYTYRA E PUSHTIMIT
Nëpër unazat e ngushta
Të shekujve
Qindra vjet
Pushtim
Pa pranverë
Padrejtësi
Prapambetje
Paaftësi
Përjashtim
Parti
Dhe unë e dita
Si e ruajta
Ditëve të verës
Zjarrin nën hi
Për liri
Vetëm unë e di
DY KRAHËT E SHQIPËRISË
Mbaj vesh
Nuk ushtojnë
Krojet e Ali Pashës
Është vaji i nuseve çame
Me djepa të shpuar mbi shpinë
Me vendlindje
Ngarkuar në shpirt
Copa shkëmbinjsh
Si breshër u ranë mbi flokë
Nuset çame
Seç u drodhën fort
Luginës së Drinos
Ngjitej një tjetër gjëmë
Prandaj rrjedhin edhe sot
Rrjedhin qelb e gjak
Rrjedhin pandërprerë
Plagët e Shqipërisë
Aty ku krahët ia kanë prerë
Aty ku shkoqën armiqtë
Kosovën me Çamërinë
Dy krahët e Shqipërisë
REFREN VARFËRIE
Zotëri a do karrocë
A do qymyr zotëri
A ka dru me pre
Ka dëshirë të rritet
Jeta ime e vogël
Njëqind orë i ka dita ime
Zotëri a do karrocë
A do qymyr zotëri
A ka dru me pre
PA MEND NUK SHIHET
Të përzunë rojtarët pa sy
Të Republikës së Platonit
Falltarët e demokracisë eunuke
Ç’bukuri linde për të varfrin popull
Atë ditë atje lart ku i pe e s’të panë
Majë Olimpit që mban qiellin lart
Ta kisha ditur ç’bukuri ke lindur
Kur nxore zjarr nga syri i muzave
Për t’i djegur kasollet e shpirtit
QYTETI IM
Shtrirë në shkallët e ftohta të Butrintit
Mund ta përjetojmë tragjedinë tonë
Të shkruar për shembull nga Eskili
Me aktorë që më s’jetojnë
A do të zgjohemi nga gjumi
Të vëmë lule ku duhet
E të flemë dikur vonë
GJUHA SHQIPE
Kryeemër i të gjallëve
Dhe i të vdekurve të mi
Kryekështjellë e Shqipërisë
Më je ti
Rrëzove perandorë
Mbretër pashallarë
Xhandarë udbashë
Spiunë e tyxharë
Tek bënin çmos
Ta bënin terr të Kozmosit
Qiellin dhe tokën tonë
Kryekështjellë
E shpirtit
E tokës
E qiellit
Kryekështjellë
E Kryezonjës
ZBULIME EKSPERTËSH
Ekspertët analistët politikë
Projektuesit specialistët
Menaxherët përkthyesit
Moderatorët regjisorët
Shkrimtarët aktorët
Servilët puthadorët
Dhe plot të tjerë
Plot o Zoti ynë plot
Paskan zbuluar
Paskan promovuar zbulimin
Se Kostandini kurrë
Nuk qenka ngritur nga varri
Për ta mbajtur fjalën e dhënë
Kurrë nuk paska udhëtuar
Me Doruntinën
Atë natë të bukur me hënë
Kurrë nuk qenkan ngritur
Muret e Urës së Fshejtë
Mbi gruan e Vëllait të Vogël
Që e mbajti Besën
\Gjergj Elez Alia
Kurrë nuk paskësh mundur
Të ngrihej nga shtrati
Me nëntë plagë
I verdhë si qiri
Dhe nuk e paska vrarë
Bajlozin e Zi
Mos qofsha në lëkurë
Të gjuhës shqipe o Zot
( Juria e konkursit letrar të manifestimit kulturor tradicional “Takimet e Gjeçovit” 2009 këtë poezi e përzgjodhi të dytën ndër dhjetë poezitë që do të lexoheshin në orën letrare të manifestimit.)
STANDARDET TONA
Asnjë dëshmori
Nuk i mërdhin dora
Në përmendore
Dhe sytë e asnjërit
Nuk janë mbërthyer
Për derë të oborrit
Asnjë fëmije në Kosovë
Ëndrrat nuk i sëmurën nga shiu
Nuk gjen askund
Askund as për be
Nuk gjen njeri
Që nuk di ta shkruajë bukur
Shkronjën A
Me të cilën fillon Atdheu
Alfabeti Abetarja Arbëria
Të gjithë e dinë se me shkronjën Sh
Fillon Shqipëria dhe me I Iliria
Dhe ekspertët konstatojnë
Janë arritur standardet
Ekspertët tanë
BISEDË E MUNDIMSHME ME AZEM BEJTËN
( Thanë diku në Republikën tonë në mënyrë
demokratike u hoq emri i tij nga një shkollë,
në kundërshtim me Kanunin e Vlerës,
në kundërshtim me Vlerat që proklamon Republika,
por pastaj thanë emri e gjaku i tij
nuk u larguaka dot nga ngjyra e Flamurit
të moçëm dhe nga syri i Lirisë,
as me shumicë absolute votash,
pra në kundërshtim me Rregullën e Demokracisë. )
Ti luftove për Arbëri
Kundër Serbisë së Parë
Kundër Serbisë së Dytë
Ç’faj tjetër bëre o Azem Bejta
Dëgjomë të lutem dëgjomë o Trim
Kanë ndryshuar format e dashurisë
Ndaj Atdheut tonë të moçëm
Janë zbuluar pamje të tjera
Për lirinë për Kosovën për Shqipërinë
Me ndihmën dhe kontributin e pakursyer
Të ekspertëve specialistëve dhe analistëve tanë
Dhe të atyre ndërkombëtarë
Ti bre Azem nuk i njeh rregullat e reja
Për lirinë e veprimeve demokratike
Për lirinë e integrimeve
ATDHEUN E DUAM
Në fjalimin e gjatë
Modern dhe standard
Atdheu përtypet
Copëtohet pjesë-pjesë
Atdheun e duam të gjithë
Ç’përrallë e bukur fëmijësh
Ç’frymëzim
AUTORËT E ATDHEUT
Atdheu nuk krijohet
Para mijëra vjetësh
Zoti e ka bërë
Të tërë
Atdheu bëhet krijohet
E bëhet i vërtetë
Nga lisat e vet
Atdheun e krijuan pastaj
Dhe vazhdojnë ta krijojnë
Nëpër harta bryme
Nëpër dëlire
Për të jetuar vetë 100 vjet
Por janë gjallë dëshmorët
Ngjizin me gjak gurët
Ujin legjendat
Dhe pushojnë dhimbjet
E tokës e të qiellit tonë
Mbushet me Bukuri Universi
Dhe bien dëshmorët
Dhe ranë ata
Në det në Valkal në Prekaz
Për të mos u krijuar asnjë Atdhe
Pa Atdhe brenda
Pak është një përkujtim
Një lule mbi varr një homazh
Nëpër përvjetorë një fjalim përsëri
Pak është një “lavdi”
MALLI PËR ÇAMËRINË
Nuk më mjafton Toka
Ta bëj një rrugëtim me ty Çamëri
Shumë e vogël mbeti toka
Për ta përjetuar gjithë atë Tragjedi
Dhe gjithë atë Bukuri o Çamëri
Kënga ime kurrë nuk fillon me fillimin e saj
Vaji im kurrë nuk mbaron me mbarimin e vet
Ti me atë Bukuri të përzjarrtë mijëra vjet
Gjuhës Sofrës vetë Bukurisë i mungon bukuria
Trup - trungut tim cung nuk i qarkullon gjaku deri në fund
Në të gjitha dasmat e Fisit na ka munguar vallja jote
Në të gjitha vajet për më të mirin na ka munguar loti yt
Por një erë gjithmonë ka fryrë me të tuat këngë
Me atë lot që është bërë shi për blerim për shpëtim
Të shpirtit tonë o Çamëri
Nuk kam Iliri për një rrugëtim me ty o Çamëri...
A KA ÇAMËRIA QIELL
Kur në burg na dhunuan
Ushtarët rezervistë të Greqisë
Një përbindësh gëlltiti
Një copë qiell një copë tokë
Të Çamërisë
Në më doni tash kaq shumë
Hapeni dritaren e shpirtit
Të shoh në ju ka mbetur aty
Ndonjë fije e qiellit
Që ma dhunuan atë ditë
Ushtarët e Greqisë
Sa zjarr ju ka mbetur gjallë
Sa dashuri për Çamëri
( Vargje që nuk u shkruan kurrë
nga Shabane Azemi, në
shtator 1944, në burgun e Filatit )
A E DËGJOJMË KAMBANËN
Në qershor 1944
Rezervisti Dhimo Pasko
Me djalin e tij Sotir Pasko
Ma vranë djalin brenda në shtëpi
Në Paramithi
Lëkurën e kokës së djalit tim
E mbaj në jetë për kujtim
Kur të vdes varrosmëni
Bashkë me lëkurën e kokës së djalit tim
Të mos e hanë qentë sërish
Ky rrëfim në mos u bëftë libër
U bëftë Kambanë
Të mos e harrojnë njerëzit tragjedinë
Të mos e harrojnë shqiptarët Çamërinë
( Vargje që nuk u shkruan kurrë nga Fatime Prenjo,
në Paramithi, në qershor 1944 )
SËRISH MUNGON
Sërish mungon
Një pemë e plagosur në Tetovë
Një arë djerre në Preshevë
Shkrumbi i një libri në Kosovë
Mungon sërish vetmi e Malësisë
Një fjalë çame e një murane
Një vështrim arbëresh i mbytur në det
Në buzë të mëngjesit
Gjumë i vjetër na tradhton
Sërish mungon sërish mungon
DHIMBJA E QYTETIT TIM
Dhimbja si të ishte zog shtegtar
Iku nga qyteti im e nxorën jashtë
Prush është vaji i jetimëve
Stuhi janë pyetjet e nënës
Udhëve të lotit pikojnë baladat
Tragjedia as letërsi as histori
Mezi mbahet ky pak qiell
Mbi Drin të Bardhë mbi lapidarë
Dhimbja iku u plagos vdiq krejt
Më zihet fryma më gëlltiti errësira
Më zunë gurët e Urës së Fshejtë
FËMIJA PA SHTËPI
Më merr vaji kur të shoh
I tëri je bërë ujë nën hijen e babait
Që të mbeti vertikalisht diku në Kosovë
Në një Diellishtë
Ta kishte lapidarin të të marrë në duar
Ty dhe lulet që i donte
Të ishte nëna e të rriteshe
Me atë gjumë fije legjendash
Nëpër këtë ujë nëpër këtë stinë
Mbill dashuri kaltërohu me sytë e babait
Qiell i Kosovës ku nuk ngjiten retë
RRETHI
Për vetminë e një lapidari
Për plagën e një dege
Për lotin tim
Në një këngë dy mijë vjeçe
Rrathë bëj rrathë bën shpirti
Rrudhën të përbirohen rrathëve
Njerëzit qytetet dashuritë
JANINA
Naim Frashëri aty
Ali Pashë Tepelena po
Ti qysh nuk erdhe
Fol Janinë ku mbete
Na mori Deti
Qiell e tokë moj Shqiponjë
A nuk patëm gjak Rozafe
A në mur nuk vumë gurë
Na ra Deti s’na la urë
FLAKËRIMA E LIRISË
Në Kosovë mijëra vjet
Liria vë në dritare të qiellit
Vetëm njërin sy
Dhe na përvëlon me atë bukuri
Liria mbjell përmendore
Gurë të ngrirë në borë në shi
Dhe prapë na mbyll njërin sy
Lirinë pastaj si mall
Si mall të kohëve moderne
Të gjallët e përhapin nëpër Atdhe
Dhe mijëra vjet si sot
Më shumë qiell më shumë tokë
Më shumë Shqipëri se Liri
Mërdhin qielli mërdhin toka mërdhin
A do t’ia veshim Flamurin
Me cohën e kuqe të gjakut
Të zhvishemi të vishemi si dikur sërish
T’ia veshim Lirinë Shqipërisë
KU IKE DORUNTINË
Çka të bëj
Të mos i ther zemra Drinit
Çka të bëj
Të mos bjerë shi mbi lapidarë
Të mos heshtin jetimët
Doruntinë kur kthehesh
A je larg
KATARSIS
Kam frikë
Frikë kam mos më zënë
Gurët e Urës së Fshejtë
Dhe muranë e shembur e Gjergjit
Kam dëshirë
Dëshirë kam
Të më marrë Doruntina
Nëpër pluhurin e fluturimit
Nën atë qiell nën atë hënë
Në udhëtimin e përjetshëm
Drejt shtëpisë
Tek imja Nënë
NJË DET LARG
Mbi dërrasën e kalbur
Të një barke të largimit
Lotova për kryetrimin
I gjallë mbërrita në Kalabri
Varret e djepat një det larg
Pastaj një det gjak
Qielli ra në ujë sepse fillonte
Prologu i teatrit të shekujve
Katarsisi aspak më afër
Se një det larg aspak
Ballkan
KAM TË FTOHTË
Kam të ftohtë
Akull jam
Tek pres sonte agun
Ujë do të bëhem
Kur të më përqafojë
Rrezja e parë e agimit
Rreth Diellit do të vërtitem
Si flutura rreth dritës
Le të digjem...
NGUSHTË
Qindra vjet
Bajlozë të zinj të kuq
Bajlozë të verdhë mbi Det
Plot bajlozë në Adriatik
Nuk më lanë të shoh dritë
Ndihem ngushtë
Vërtitem drejt meje
Shkoj tek unë
Si të mos kem hise
Në qiell në tokë në dete
SHQIPONJAT
A kanë Shqiponjat
Qiell për fluturim
Nëpër hapësirat e Lirisë
Dhe në fushën e kuqe
Të Flamurit të moçëm
PAK
Nuk ka Iliri
Nuk ka Arbëri
Pak Kosovë
Pak Shqipëri
Me ç’dashuri t’i zgjidh
Ca fije Çamërie
Ca këngë Dardanie
Janë lidhur nyjë
KU JANË NJERËZIT
Ujqit nuk janë të dëmshëm
Ia mësyjnë vathës në fshat
Por sakaq ikin
Hyjnë në përrallë
Vënë në gjumë
Fëmijët e një bote
Nuk janë të dëmshme
Dhelprat as shqiponjat
As qentë natyrisht
Ata ruajnë shtëpinë
Për besë të moçme
Kafshët e malit
Nuk janë të dëmshme...
DASHURI ATDHETARE
Kur keni bërë fotografi me Atdheun
Ju që e keni dashur dhe e doni shumë
Çka keni bërë
Kur ju ka mbetur jashtë fotografisë
Kosova Presheva Çamëria
Ose ndonjë dhimbje tjetër e Shqipërisë
NJË DET NDËRMJET
Çdo perlë në det
Është lot i ngrirë arbëresh
Që rigoi duke lënë Arbërinë
Secila perlë në det
Është lot i ngrirë arbëresh
Që nga qielli i zemrës rigoi
Duke ikur andej
Dhe duke mos u kthyer më këndej
Ra në det loti
Duke mos lundruar drejt nesh
Asnjë varr asnjë djep arbëresh
Një det ndërmjet një det
Nuk ndizet kënga
Nuk e prek qiellin vallja
Nuk mbulohet varri
Nuk përkundet djepi
Pa pjesën e bukurisë së vet
Një det ndërmjet një det
Për"Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen