Donnerstag, 29. August 2013

Zejnepe Alili - Rexhepi: Shtatë poezi


Fjalët e pathëna

Në kohë të gabuar ecim,
të heshtur e të përvajshëm jemi,
me brengën e historisë në shpirt
dhembshurisht…
në këtë botë të çoroditur,
dëshmitarë të verbër mbetëm.

Lot e pritje amshimi,
në kohë të gabuar
fjalët ngjoken, u tret pakuptimësia,
veç relikte të shkapërderdhura
me madhështi gjarpërore,
po s’kanë vlerë mbi gërmadha.

Në Esperanto heshtën eruditët,
ngecën fjalët,
si para Ciceronit engu
kur makthi shpërprish ëndrrat,
as në ankthe vrastare s’u mposhtëm,
madrigali mori vello dhembshurie.

 

Gjurmë

Bukën e bardhë dhe verën e kuqe,
kaherë i patëm shtruar në sofër
edhe kur krushqit bënin jehonë dasme
e trimat ngrinin flamuj lirie,
në dasma e në vaje,
në krismën përshëndetëse për lindjen
e trashëgimtarit të kullës,
kur derdheshin gjaqet për fjalë dashurish
atëherë dhe sot, po edhe sot,
kemi gjak të bekuar perëndish.

 

Dritë

Në universin shpirtëror,
thurra imazhin e jetës
mbi të ardhmen,
me treqind dasmorë.
Në vendlindjen e stërgjyshit
lash peng gjurmët e mallit,
stinëve të jetës
braktisur nga koha.
Të shterura gëzime,
të tërbuar zëra...
në shpërprishje shekujsh,
nëntore të përgjakur
si ritmi i fateve,
për dritë njerëzore.

 

Kulla arbërore

Në kullë ke djepin e foshnjërisë,
shpreso, shpreso ti zog dashurie!
Këndo ëmbëlsisht,
rritu, rritu imazh lumturie!

Thyeja shikimin e egër mallit,
përgjërimit fshija gjurmët,
dhembjes ndaloja shtigjet.
Bota është jotja voglush!

Një rrëke lumi të bart në jetë,
e shfaq imazhe yjesh si dritë hyjnie.
Me dashuri e shpresë pushto botën!
Mos i lë vend trishtimit të armëve
Se kulla e Arbrit djepin ta përkundi.

 

Arkë kujtimesh

Sa më kërrusi jeta e më mbyti malli,
në ato përsiatje motesh,
në të largëtën fëmijëri
kur dashuria kishte fole,
atë kullë bardhësie
ku peshonte mikpritja e bujaria,
për konak miqësie merrej,
buka në çerep gatuhej…
ngrohtësi shpërndante votra,
sofra shtrohej mjeshtërisht
nga duart e praruara të gjyshes,
aromë dashurie mbante buka
që me ëndje shijohej nga miqtë,
nipër e mbesa plot…
Eh, sa e fortë ishte kulla!

 

Për nder të Lokes

Buzë Vardarit sodisja veten,
thosha jam pjesë e këtij nënqielli!
Lumi, eh lumi,
rrjedh si jetë e trazuar,
valë-valë…
si balli i rrudhur i Lokes
lodhur pritjeve
për birin, nipin,
ndarjen kujton…
Sa trishtuese,
ftesa për varrin e panjohur
këndeve të Evropës,
ku tretet dashuria
për dheun, gjuhën,
nderin e Lokes.
Na mori lumi
me valët e trazuara si jeta!

 

Joshje

Më joshnin dallgët e jetës,
Atje ku pata vajin e parë,
në Juglindje të Europës
mall e dashuri të zjarrtë.

Miq të pa ftuar mbi trojet tona
kurrë s’do të duam,
as rrjetë të thurur me vaje,
si peizazh i trishtë ëndrrimtar!

Dienstag, 25. Juni 2013

Fran Ukcama: Lirikat e Manushaqes


MANUSHAQJA QË MA FALI PRANVERËN
 
Gojë ambla,
Sykthjellur në qiellin e gjelbër,
Refleksit njomëzor,
Buzagazin ma fali,
Ma fali pranverën…

Nën gurin e thekur,
Diellit të prillit,
Bornajes së denjur,
Gjinjtë qitur jashtë rreze më rreze,
Një puthje shtalbe,
Ma fali pranverën !

 
MODERRNITETIT KAPROLLE E ÇMENDUR

Ti moderrne,
Kohes e tej ndezur,
Ndjenjash lulore si kumbull,
Kumbull paprekur,
Trotuarit kaprolle shathedhun.

Tranden trotuaret,
Xhamash në dritare,
vitrinash krehur,
Me dridhje vithesh,
Një mëshqerrëz..

Mëshqerra modele,
Ardhur prej kreshtesh,
Qyteti po trenohet,
I çmende krejt djemtë !

 
JO NUK KA SI BUZA JOTE

Dy fletë lulje me vesë,
Dy kokërra qershi në mjes,
Buzët e kuqe ,
Bio ishin si një dredhëz,
dehje me vesë..

Heu, rinia me huqe,
Ku m`u trete,
Po ku hupe,
Tash veshtroj një trandafile,
Dhe pshërtij,
Dhe dihas, s`ka buzë të kuqe..

Tash s`ka më buzë njomëzore,
Një lugë mjalt po ikën kot,
Kot, edhe një akullore,
Nuk ka moj, si buza jote,
sytë i mbyll, kujtoj kujtoj,
dhe në ëndërra notoj!

Samstag, 27. April 2013

Poezi nga Fehmi Ajvazi

 
FEHMI AJVAZI
 
QYTETI I DIELLIT

Sa pak kohë ka ikur Tomas
Nga ëndërra jote e dielltë
Elegjia është skemë e vjetër
E zotrave të fshehur diku
Këndej paganizmit tonë
Andej mërzisë sate të harruar

Odiseu megjithatë erdhi n’Itakë
Mbolli një epokë me shi të zi
E la pas rrënim e tradhëti
Peng për qytetërimin e ri

Bota s’ndryshoi kurrë fytyrën
Veq mënyrat e vdekjes ndryshoi

Tomas ëndërrat s’përfunduan
Vrasësit veq fytyrën ndërruan
Të pangopurit s’u pakësuan
Në zemrën e tokës gërmuan
Diellin ta mbërrijnë me duar
T’ia shkulin dritën tonë
Verbërinë e botës ta shtojnë

Tomas Tomas
Sa pak kohë ka kaluar
Nën këmbët e shekujve
Nën klithmat e të mjerëve
Deri te një botë e re n’bulim
Deri te një kohë e dilltë
Që s’erdhi kurrë...

Freitag, 15. März 2013

Poezi nga Adem Gashi


BLASFEMI POETIKE

AJRI
(De Rada)

Një varr deti në mes një qiell amorf përsipër
Kangjelat e mallit andej-këndej
Dhe vdekja neutrale

Kaq vite ajo re e bardhë
Në kokën e mjekrën e bardhë lëvaret

Një portret kothere buke
Vizatojnë fëmijët në leximet letrare

Mund të vuajsh të kesh uri e plagë
Dhe përjetësinë e ajërt:
E hedh me një hap pellgun e varrtë të detit

Andej e këndej një kangjele
Shpirt që nuk dëvaret -
Është parajsa e lashtë
Brenda robërisë lirike të ajrit


ZJARRI
(Fishta)

Nga zjarri bubullak brafullojnë fjalët
E digjen kockat e mishi e gjaku
Siç digjet jeta e drurit

Zjarr i ndezur me fitil shpirti
Në një shpat malcie të butë
Ku pëlcet lëkurë e egër e dhisë

Përbirohemi fjalësh
Me lahutarin në të zeza
Si të ishim hije që s'i kap rrëfeja

Po jemi njerëz ama njerëz jemi
Dhe nuk dalim dot mbretërisë së zjarrit të veladontë
Që na djeg me të tëra
Veç shpirtit tonë e të Oso Kukës

Shpirtin na e ruan ai
Ati Ynë Lahutar as në tokë as në qiell
Thellë në pergamenë dhie të egër


UJI
(Lasgushi)

S'je shenjti larg asaj as qoftëlargu nuk je
Vizëllimë e ujit faqes së liqenit

Asgjë s'u lirua teje as pas vdekjes
Kot thonë dhe shkruajnë se ke vdekur

Damarëve të njelmët shëtit etja jote e jona
Bastuni yt gjarpërush e kapota e qeni
Tablo sureale me vija të dredhura
Të dorës së Beketit

Vullkan i bunkertë koka jote
Shpërthen te secili prej nesh
Kur mendojmë marrëzinë e të qenit poet

Larg asaj
Ti qoftëlargu nuk je as shenjti
Dhe s'ka rëndësi aspak në rron a ke vdekur
Njerëzit duan të jetojnë a të vdesin
Në robërinë e vargjeve tua
Si vizëllimë ujore
A si alge në fundin e liqenit

"Dorëshkrim i djegur", Rozafa, Prishtinë 2001




PO M'RRI PERBALLE ALI PODRIMJA

M'krisi mendja me e nxjerr territ
midis Trines e Xhenit
ne nji sfond letrash qi munden me kjen libra

Me thane asht plak
nuk asht
me thane i ri s'ma zen syni

Me thane mos me e çarte per shtate gjaqe
perendue bukurie asht

Po kendue ka he ja bafsha gjamen
se Akeronin e ka kapercye not
me dhimbten e Lumit

Po m'rri perballe Ali Podrimja
a po i rri
vra shtegit t'harrimit





NGJARJE

(Për Mirko Gashin)

Këtu ka ndodhur në një mot të largët
Një nate që mendonim se është ditë
E vrisnim orë e çast ngapak
Derisa pinim vargje

Ai shfaqej sërish në mjegullën e avujve
Herë si shejt herë si demon
Dhe jepte kumtin e hatasë së madhe

Ne e vrisnim sërish
Sërish ai ngrihej si më parë
Dhe ligjëronte: Nuk vriten perënditë

Ai Poseidoni shqiptar
Që në një pikë vese në një pikë ujë
Zbulonte oqeanin e urtisë
Dhe vrasjen e Sokratit

Ai ishte ai është
Te secili prej nesh shtjellë e vetmisë
Dhe na mëshiron si orakulli:
Faljau zot sëmundjen e marrëzisë

Ja Ai pa çelësin e shtëpisë

Parajsë e përbaltur është e hapur
Dhe si më parë ne të vetëvrarët

Ja unë ja ti ja Ai
Duke lexuar dhembjen e vetmisë dhe fajin
Në urtinë e ujit
_______________
Kjo poezi u nderua me çmim të parë në “Requiem për Mirko Gashin”, mbajtur n[ tavernën e tij “Veranda” në Prishtinë, më 12 janar 2000. U botua në vëllimin “Dorëshkrim i djegur”, Rozafa, Prishtinë 2001




XHAMI MIDIS

jashtë ka një stuhi
brenda bën furtunë

brenda a jashtë jam unë

xhami midis
pëlcet thërmohet
ç'shfaqje sureale e Kalorësit fytyrëvrerosur

midis kamxhikëve të reve të tërbimit
si një Rënie e Lirë në fizikë
bie Gjethja e Fikut

kaq u dashka
të marrë mbroth e mbarë
shpirti i Hidalgos së marrë

(11 gusht 2010)





KETU U BE NJE LUFTE

ketu shpertheu nje lufte
nje lufte bashkekohore me mjete primitive
ku vriteshin pak njerez
po vritej teresisht njerezorja

seç rrodhi gjaku i lodrave
i fletoreve librave vargjeve
gjaku i kujtimeve ne album fotografish

ketu i be nje lufte im bir
ku u vrame dhe une e ti
pa pranine tone pa graden
hero deshmor

tash veshtrojme pertej varrit mbitokesor
trajtat tona fosile prej letrash e leshi
e shqyhemi se qeshuri

nje lufte e tmerrshme behet ketu tani
biri im
nje lufte vertet epike
ku heronjte deshmoret e vrasesit
kerkohet te jetojne tok si ne mite
me ndihma humanitare te Perendimit
te Lindjes
me art modern me piktura kubiste
dhe ne mos qofte parajsa kjo
eshte vete parabota kaotike
ku Eva ne vend te Molles se Adamit
te dhuron virusin e HIV-it

(Menjehere pas lufte, korrik 1999)




PREKAZI


Eshte nje katund i rendomte
Me zini bese
Te rendomta i ka stinet balten

Njerezit enderrojne njesoj
Ne gjysmegjumin e nates
Kur zene e kendojne gjelat e pare

I rendomte eshte misri gruri
Serialet dhe mbremjet e bluzit ne tv
Dhe drumolla e thare

Ju thashe
Nje katund krejt i rendomte eshte Prekazi
I tille ishte dhe i tille do te jete

Ju thashe...

O asgje s'ju thashe me zini bese
E parendomta aty shfaqet sakaq
E jashtezakonshmja ndodh vertete
Kur trazohen rrathet e ajrit




LËNGATË DASHURIE


2. Para se të vije

para se të vije ti
akrepat e orës dolën
jashtë pushtetit të pritjes

dielli dita kalimtarët
u bënë irealë

mbeti imazhi yt dhe pritja
parakaloi një kortezh funeral

midis nesh hyri ftohja
pastaj vdekja

para se të vije ti
erdhi imazhi yt njëherë
pastaj mosardhja

5. Era vërshëllente mbi asfalt

era vërshëllente mbi asfalt
viu iu iuuu – ajo iku ikuuu
ku kah – pyesja i trallisur u’
e zëri ngri(hej) heeeej – bariton e alt

era vërshëllente mbi asfalt
ç’gjuhë e lashtë neveritëse memece
më sillte mandatë përzier me kuisje
i vetëm i vetëm i vetëm

era vërshëllente mbi asfalt
viu iu heeej me tenor e alt

"Duke punuar autoportretin" Rilindja, Prishtinë 1985




E HËNA ËSHTË FUSHË E MINUAR

Agu kërthi lazdran
përbirohet nbëpër lëmashkun e freskët të territ,
pastaj jepet sinjali i lindjes:
sirenat, lehja e qenve, kukurisja e gjelave
dhe, natyrisht
alarmi i orës së tavolinës.

Ngrihet gruaja pastaj unë,
orar zyrtar ka vetëm zgjimi i fëmijëve,
ne jemi të papunë.

Pas kafjallit fëmijët nisen për shkollë,
na e lënë ditën e mirë, po unë
si t'i futem ditës pa busollë
kur e hëna është fushë e minuar:
në çdo orë të saj
mund të pëlcasë një bombë e kujtimeve,
nëpër çdo minutë mund të ndizet fitili i dinamitit
të një thirrjeje -
ftesë për bisedë informative
në polici,
lajm vdekjeje,
tryezë e rrumbullakët në një redaksi gazete.

E thashë pra,
e hëna është fushë e minuar

Në kthesën e paradrekës
më vë pritë lypsi i vogël a shitësi i gazetës.

Ku ta dish,
në gjumin e pasdrekës
një ëndërr minë mund të rrijë fshehur
me vetminë e n jë breshke.

Diku në tangjent të akrepave të kohës
ballë për ballë si në një ndeshje
një lot, një puthje a një buzëqeshje.

Në një çast
edhe unë mund të pëlcas
brenda orbitës së fushës së minuar
dhe lë pas,
lë pas
gjurmët e vargut të pashkruar.
__________________________
"Ëndrra të liga", Rilindja, Prishtinë 1995, f. 20/21






NËSHTEPINE E HENRICH-ut


DHE HENA NGANJEHERE NDRIN

Dhe hena nganjehere ndrin
Fytyrat qe i dua dhe s'i dua
M'i sjell ne ekranin horizontal te kujteses
Maskat cinike lozin role politikanesh
Ne skenen e jetes

Ndrin nganjehere dhe hena
E tepert dhe e domosdoshme
Ne perjetesine e vet
Pertallese e tmerrshme e poeteve
Qe dergjen ne ishullin e shkrete
Ose
Ne ferrin qe e krijojne vete



VAJZA DHE LULET NE DRITARE

Ne dritare vajza dhe lulet
Ose lulet dhe vajza
Mungesen e gruas femres
Ne pranine time
E perkund shperfillshem kolovajza

Nje vajze ne dritare a lulet
Figure demode dhe e konsumuar
(Gjermane as e shemtuar as e bukur)
Motiv i mjaftueshem per nje burre te vetmuar



LULET E VETMUARA

Gjermanja
As e bukur as e shemtuar
vjen njehere ne fundjave

Ne vetmine estetike
Lulet vetevriten ose çmenden
Si Narcisi

Sesi me vjen te bej nje skandal

Lulet e vetmuara
jane vetem per varr
________________

"Lulet e vetmuara", Rilindja Prishtine 2001




po e zëmë…[1]

po e zëmë se lexoja mbrëmë vargje
domethënë poezi
mbi dashurinë kishte rënë një vello
mërzi

rënkim e dënesë në një adresë
pa emër
si s’bëhet i gjallë Khajami:
jo gur Qabeje,
zemër kërko haxhi (poet), zemër

lexoja, po e zëmë, kot
se ishte një çast i lig, i kotë
siç e këtillë, fundja
edhe vetë kjo botë

dikur, brenda shpirtit të Njeriut
u zgjua demoni i fjetur
profan, trazovaç si vetë poeti
dhe klithi si Uollt, po frikë:
Jam Uitmeni i madh, o Amerikë!

po e zëmë...
paj edhe mund ta lëmë,
në solfexhon: doremifasollasi
paçka se në lirikë bie shi!
 
[1] E gjeta krejt rastësish në ca shkresurina me firmën e 15 majit 2010





Ç'MUJ M'I THAN GJEÇOVIT SOD

...edhe toka m'u dridh mundet
n'dridhma ajri
edhe qiellnat m'u shemb

e prap t'humbun s'kem me kjen
zotyne

gjurmes tande: fjal'e shpirt'e zemer
ma ashkel zjarri te njasaj mendje
qi drite diellit marr i ka

ku xe fill rraj'e gjytetnis
ku ban hir fjal'e e burrnis
n'vend n'kuvend n'Kanu

edhe qiellnat mujn me ra
e m'u bamun fusha mal e mali fushe
e me metun pa gja

...veç emni yt zotyne
na mbush na mbush na mbush

___________
Janjeve, 16 qershor 2012




NJË TRAJTË E SHFAQJES SË DEMONIT
(Predikim)

Është përbrenda secilit prej nesh Ai
Demon i fjetur, i bukur
I vetëm i vetëmjaftueshëm
Midis pyllnajës së vetmisë njerëzore.

Ai shfaqet kur ngatërrohet lëmshi,
Kur fijet e bardha të mendimit
Nyjohen me fijet e zeza të lakmisë.

Hije është Ai, hije
Me tërë shkëlqimin e ngjyrave
I gjithëkohshëm, i paqenë
Darkave, drekave
Kur mugullon e shuhet gjeni njerëzor.

Dikur, lodhur nga bredhëritjet e natës
Kur këndojnë gjelat e parë -
Konvertitët e fundbotës,
Ai kthehet i mundur nga babëzitë e njerëzve
Labirinteve të trurit,
E ngujohet brenda njeriut
I vetëm, i vetëmjaftueshëm.

Të tjerë djaj të imët
Zgjohen tok me agimin
E nisin bredhjet bezdisëse
Pikërisht si njerëzit e shtëpisë sime,
Të lagjes sime,
Të qytetit tim,
Të atdheut tim që s'e kam.




ROB I XANUN

Varianti I.

tash ti mshel m’ke shtatë drynash
shtatë çelësat m’i ke fsheh
nandëdhetë e nandë dergjë m’i çove
e s’del bar me m’dhanë qetsi

as natës pa hanë
as dites vejushë
nji askunvendi ku bren miza hekur

mkatin kërkoj e s’gjaj tjetër
veç njatë t’moçmin faj
dashnijet m’u djeg tej n’dekë

zot i madh
rob i xanun dashnijet qindroj
sall mos m’ban me vra njeri


Varianti II.

shtatë porta m’i ke kyçur
e tretur m’i ke çelësat
kopshtit të një ëndrre të vjetër

nëntëdhjetenëntë lëngata m’i çove
ndëshkim dhuratë a çfarë tjetër

as nata me hënë s’më zgjon
as dita diellit djegur

e po as fjetur jam
në delirin e fajit pa faj
që i thonë dashuri

zot i madh
zemërvrari nuk vret njeri


Varianti III.

me shtatë dryna ma ke mbyllur portën
nëntëdhjetenëntë sëmundje m’i ke hedhur në shtat
nuk m’ia hap zemrës aortën
as valë e detit as Drini plak

nuk më zgjon gjumit të pafjetur
as dita e huaj as nata ime
ëndërrkotja paska tretur
dashurinë ma le jetime

si Tantalli etjes digjem
jam Sizif me një gur të ri
zjarrit tënd piqem e piqem
po shpirtvrari s’vret njeri




KUNDËRHIMN PËR LIRINË


HAPËSIRA E LIRISË SIME

Aq e lirë
Sa për të kaluar në mbretërinë e vdekjes
Papengueshëm

Tek t’i puthja sytë e zez në terrin e zi
E dashur
Çdo gjë merrte dritë

Oh, si po më robëron hapësira e lirë
Me varret e atyre që mungojnë
E s’janë veçse sy të dielltë

Duke u vetëvrarë ditët
Si murgj skeptikë
Po hyjnë në kalendarin e ri

Ç’t’i bëj kësaj hapësire të lirë
Dhe boshit me dritë sterile



LIRIA E KOHËS SIME

Po rend pelë e pafre
Mbi shkrimet e censuruara
Si mbi livadh nostalgjie

Çdo gjë qe dhe është e paemër
Veç dhimbjes për brinjen e munguar

Tashti pa emra janë ditët datat
Nën tiraninë lirisë
Ngarend koha ime e pangjyrë

Po rend koha pelë
Dhe unë jam krejt i lirë
Ta shaloj kotësinë



Poezi qe due me m'u lexue si Urim

29.

‘I kingj t’ngrimun m’a suell agu
n’syt’e tij dy copa qjélle
ç’m’u ndal hapi mu te pragu
ku nis gjélla e k’saj të djélle

gjâ s’piptin as zog’i malit
ka ra dheut págjá e borës
veç n’kujtim nji trok’i kalit
t’rrahme t’zemrës m’i sjell dorës

se nd’rroi ora desh me m’thanun
n’kremte K’shnéllash Lady shkoi
si nder leqe zog’i zânun
thelltí synit lot pikoi

faqes’ tháme e la njollën
qysh e len veç gaca vrragën
er’e dimnit m’a hedh fjollën
e m’a shton dhimten mbi plagën

çka s’thot zemra me thâ m’erdh
po k’saj goje s’del mallkim
m’i ra ftyrës qehrja verdh
si me kjen harru’ jetim

nji mejtim sall nata m’pruni
thue Hyj m’a l’shoi nga qjélla
nji kângë-vaj prej guri e druni
thash t’ja bâj Lady-t për K’shnélla


Lady Mak(th)beth, 2006




MOLLË E PIKUR MIDIS GJETHEVE TË KALBURA

Njëra faqe e skuqur gjak i Krishtit
Tjetra e përbaltur ndër gjethet e kalbura

Zot i estetikës së përsosur
E gjej bukurinë
Në dhimbjen time dhe plagën

Sa keq që s’e bëra unë vrasjen
Ta këpusja oh nga dega
Bashk me ditët e mia të plakura

E të kryqëzohesha pastaj
Si martir pa faj
Në qengelin e natës buzëplasur



SHTËPIA NË FSHAT

Ziliqare e madhe mes kumbullave të zeza
Më mban mëri
Unë s’jam djali plangprishës,
Korridoreve tua me dritë hënësine
A nuk të bënte shoqëri pagjumësia ime

Edhe po s’ma hape portën
Hajnisht do të vij netëve me brymë
Dhe bashkë me minjtë do ta grimcoj mërzinë
Si çamçakëz evrope

Më në fund
Natës së pagjumë
Sherret e vogla do të çojnë fortune

Ja një fotografi nga Shtëpia e Heinrich-ut
Nga Shtëpia e të vdekurve e Fjodorit
(Një suvenir)
Ai plakushi i parruar jam unë
Me mallin tënd të braktisur

(Langenbroich, 2001)



___________________________________
Poezitë jan marrë nga profili i autorit në FB
 

Adem Gashi: Poezi qe due me m'u lexue si Urim


29.

‘I kingj t’ngrimun m’a suell agu
n’syt’e tij dy copa qjélle
ç’m’u ndal hapi mu te pragu
ku nis gjélla e k’saj të djélle

gjâ s’piptin as zog’i malit
ka ra dheut págjá e borës
veç n’kujtim nji trok’i kalit
t’rrahme t’zemrës m’i sjell dorës

se nd’rroi ora desh me m’thanun
n’kremte K’shnéllash Lady shkoi
si nder leqe zog’i zânun
thelltí synit lot pikoi

faqes’ tháme e la njollën
qysh e len veç gaca vrragën
er’e dimnit m’a hedh fjollën
e m’a shton dhimten mbi plagën

çka s’thot zemra me thâ m’erdh
po k’saj goje s’del mallkim
m’i ra ftyrës qehrja verdh
si me kjen harru’ jetim

nji mejtim sall nata m’pruni
thue Hyj m’a l’shoi nga qjélla
nji kângë-vaj prej guri e druni
thash t’ja bâj Lady-t për K’shnélla


Lady Mak(th)beth, 2006


Marrë nga profili i poetit në FB

Donnerstag, 7. März 2013

Shtatë poezi nga Brahim Avdyli

 
 
KËNGA IME

Kënga ime- jeta ime e shastisur
t`u përgjakën gishtërinjtë e të ranë dhjetë lëkura
së renduri pas diellit me një strajcë ëndërrash
me një strajcë dhembjesh, dëshirash që pëlcasin
pa britmë e pa vaje, por që s`pushojnë së renduri
pas pulëbardhave në fluturim horizonteve të ngrysura...
Zgjaten shtigjet tua, zgjaten e kurr nuk sosen
gjithnjë e më pak jam unë- çdo gjë ta kam falur
bonjakja ime- këngë, bimë e etshme gjaku;
s`di ç`të bëj me dhembjen që të çel në çdo rremb
s`di ç`të bëj me pikëllimin tënd pipave të tharë
s`di ç`të bëj me lulet e vyshkura- jeta ime e vrarë
kur dridhen sahatkullat ndër shtërgata motesh,
pa plang e pa shtëpi jemi, ne, endacakë të përjetshëm
ikim nga harrimi, mashtrimet, dhuna, nga vdekja...
por askund fundi i kësaj odiseade, askund Itaka
me buzëqeshje të na shkrijë akujt ankthit e të mallit-
duart t`i ngrohim pranë vatrës- kurrë të braktisur,
të na përtërihet durimi, ty- zëri i shterur
nga fundi i ferrit duke klithur, lëndinës së shtrigave...
T`i mbledhim, moj, cuklat e dashurisë e kujtesën e grisur
edhe me gjysmë mushkërie mund të ecim kah e nesërmja
tash e dimë përmendësh pse u nemën bjeshkët
dhe mësuam të zbresim në det, të ngjitemi kah dielli
udhën e shkronjave e mësuam, shtigjet e fjalës
fanarët e shpirtit t`i ndezim tej- përtej oqeanit
qiell e dhé je për mua- prush e hi jam për ty
djep i ëndërrave të mia- rrita ime je ti,
ndaj të pëshpëris çdo natë dhe të shtrëngoj si fëmijë
jeta ime e shastisur, vdekja ime- poezi!...




PËRPËLITJE

Ç`dhembje më e thellë
oj Nënë,
se dhembja e asaj që s`mund

ta them?!...


UNË DHE SIZIFI

Unë dhe Sizifi
nga të dy skajet e kohës
shekujt i masim
e pesha e dhembjes
si dënim i përjetshëm
na rëndon.

Më duket se ai
ka më shumë fat
meqë zbret në fund
të përsëritë lojën-
sa herë i rrokulliset guri

derisa unë-
këngëtar`i shkretë,
marr e jap një jetë të tërë
dhe s`lëviz nga vendi
gurin e dhembjes!...





 LUGETËRIT E FJALËS

Sa herë flas
më thonë të hesht

sa herë hesht
nën dhunën e tyre
më yshtin të flas

vetëm po të lëviz
nofullat nga dëshprimi
ngërdhuzen tmerrshëm

matem t`i pështyj
më gërvishtin në fytyrë
dhe fshihen

përpiqem t`i harroj
kur dalin papritmas
plot egërsi...

O të mallkuar,
a do të kishte kuptim
ferri pa ju!





ORAKUJT E RREJSHËM

Ei,
edhe poetët ditkan të bëjnë lajka,
të përhapin mashtrime,
të mbështesin Çezarin
e të lavdërojnë tiranët-
në emër të luftës për Liri!

Edhe poetët ditkan të jenë
si të gjithë të tjerët,
të yshten me të holla,
me shpërblime ndërkombëtare,
e të bëhen zëdhënës
të një të çmenduri tiran
maje Froni,

t`i mbulojnë tragjeditë
me perdet magjike të fjalës,
t`i kurdisin dramat e dhimbshme
të shekujve-
kur blihen!!...

O burrani,
mos u besoni kurrë
orakujve të rrejshëm-
krijuesve oborrtarë!





SYTË E ARGUSIT

Sytë e tu, Argus
i ka fryrë dhembja-
freskinë ua kanë tharë
marrëzitë e kohës.

S’ishte e lehtë të shije botën
duke ndërruar ngjyrë
dhjetë herë në ditë
si kameleoni,

s’ishte lehtë të shihje
demonë të nderuar si hyjni
dhe hyjnitë që grisnin munshkëritë
për të dëshmuar
shejtërinë,

s’ishte e lehtë
të përpije gjithë këtë pleh
që shitet për ar
midis bebëzave

e të masje
dioptrinë e hirësisë
çthjurjen e shekullit
pa guxuar të nxjerrësh
të vërtetën-

Argus,
ytë e tu i vrau shëmtia
në një kohë të pa kohë!*)

*) Kjo poezi e ka fituar shpërblimin e dytë të Konkursit letrar të „Zërit të Kosovës“ për poezinë më të mirë të botuar më 28. Nëntor 1997. 



TRAJEKTORJA E FATIT

U linda në malësi
e u treta në mërgim

duke djegur veten
me vargje nëpër buzë
e kokën e lënë
peng për të nesërmen.

Për besë,
kudo shpërndava
dhembjen time të zjarrtë
e mbolla ëndërrat-
thirrjet për Lirinë!

Sa keq,
vështirë po na lëshon
kllapimi e vdekjes-

ndaj na ndjekin
këmba pas këmbë të Ligat!



Marrë nga www.brahimavdyli.ch

Mittwoch, 6. März 2013

Sylejman Aliu: EVROPA

 
Sylejman Aliu

Evropa

Të njihnim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Në verën tonë seç bënte dimër
Dimër i fortë

Prapë të njihnim si damë të vjetër
Jo një vit, një thes shekujsh,
E urtë, e mlleftë, e ftohtë

Kishe ato që kërkonin të tjerët
Një ëndërr të çliruar nga tmerret

Mburrja yte vilte e vjelë
Qiell e diell
Në prehrin tim mushkonja pjellë

2.

Kishim lënë gjeografinë
E trollit të përgjakur
Brenda harrimit tënd ndëshkues
Kur gurë spirrash ngulnin në ne
Herë kryqe bizantësh
Herë maskaradë e fe
Herë shpatë e gjak
Litarë gjymtyrësh
Edhe në amësi
Vrisnin Iliri
Gjymtonin Shqipëri
Hije Karpatesh t’mashtronin n’histori
Otomania hapëronte si gjarpër i zi
Të të prekte dhe ty

Por ne ishim aty

Të mbronim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Në verën tonë seç bënte dimër
Dimër i fortë

TRI POEZI NGA FRAN UKCAMA


PIKOJNE BRENGAT

Nese sot ti ke një brëngë,
në zemër sa një kokërr molle,
prej asaj nuk po pikon gjak,
po veç lengu i ndjenjës hollë,
zgjohet kodi i urrejtjes,
dalë nga mëndja ta hedh në kosh..
Bota, si oaz gënjeshtre,
Kripë, pa bukë, të hedh në gjollë,
Blegerijnë delet e trunit,
Jeta shtynë ditën e saj.

 


 KULLA DERT

Kur I pashë muret e kulles si dhëmbë të thyer,
Me gërremça këthyer nga qielli,
Lmyshku , në mure , ëndur,
në derën e kalbun, i këputun dryni,
ka herë kafshuar prej ndryshkut,
koshi i kollomoqit, kotec laraskash,
oborroin e kishin pushtue ferrat e hidhëzat,
minjtë të zëmruem hallakateshin te çarraniku,
në lypje kafshate,
orrlat, mbi kreva rrushi mallkonin vetminë,
krrau, krrau, krrau..
rashë e mbeta mbi gurë,
fryma m`u mbyt në fyt,
zëmra sot, gur si nuk mu ça?!!




UDHËT E PAKREHURA

Sot po shkel udhëve të pa krehura,
Shputa plasaritet në kalldreme,
Gishtat si kokë e një breshke,
Thonjtë e çarë ,bujazga në prozhme..
Es shtegnajes pa një kah,
Kahjet m`i morën sorrat,
Nuk pëlqej llustër , asphalt,
Kur nuk kam në kohë, kohrat..
Udhen si grua të çmendur,
Dashuroj dokën që s`është,
A mos vallë dhe unë drumtari ,
S`di ku shkoj,
a s`di ku jam…!



Marrë nga "Sofra poetike" në FB

Dienstag, 12. Februar 2013

Thanas Jani: TRI POEZI PËR SHËN VALENTININ

 
Nase Jani

 DIVERSITET ME SHËN VALENTININ

Në mesin e shkurtit të shkurtër,
dashnorët i thonë njëri-tjetrit:
“Ç’ka bërë për ne shën Valentini,
që s’e bëri dot shën-Misteri?!”
Ku i mbledh dot gjithë dashniorët,
që dergjen shpirtdjegur gjithë vitin?
Si mund t’I dehë një gotë verë,
kur deti I marrëzisë dot s’i mbyti?!

Dashuria, gjithë yjtë i ka shenjtër,
ka emër ç’do zemër,
ç’do zemër,
ç’do zemër…

Sarandë, 1995


 


THASHË TË KËRKOJ SHËN VALENTININ

Thashë të kërkoj Shën Valentinin,
kërko, kërko, mezi e gejta,
në shkretëtirë të shkretëtuar...
Një thes me dhimbje kish në shpinë,
s’dinte ku ecte i harruar...

I thashë ca fjalë e s’më dëgjoi...
Më tha ca fjalë, që s’i mbaj mend...
Në shkretëtirë të shkretaëtuar
u shemb mbi rrërë e s’u përmend...

U shemb mbi rrërë e pastaj humbi,
humba dhe unë e s’isha më...
Nuk di ç’u bë thesi me dhimbje,
kish dashuri brenda në të?!

Athinë, 2005


 


SHËN VALENTINI ËSHTË TEK UNË

Shën Valentini është tek unë,
më sheh çuditshëm dhe e shoh,
mendon: për të jam i papunë,
mendoj për të, se më mashtron…

Mendon, se thinjat më kanë plakur
dhe zemra s’di të dashurojë,
se deti, nuk mban në gji-dallgë,
se era, nuk di nga të shkojë…

Mendoj, se shenjti-Valentin,
ka mbetur i padashuruar,
kërkon një datë në kalendar
të mos harrohet-i harruar…

Shën Valentini është tek unë,
më thotë, t’i shkruaj ndonjë varg,
I them: O shenjt, je plakur shumë,
në dashuri s’ka kalendar!....

Athinë, Shkurt 2013

Freitag, 1. Februar 2013

Sabit Rrustemi: VARIACIONE PËR LIRINË

 
Sabit RRUSTEMI

VARIACIONE PËR LIRINË

Të dëshiroj pse nuk të kam
N’mungesë tënde i robëruar jam
...
Pse të dua
Ndëshkime të rralla gatuhen
E një mal vuajtjesh

Përdorem për gjuajtje
Shqelmohem pështyhëm
Rrudhem ndryhem
Ftohem skuqem
Po - s’lakoj s’ndalem
Derisa me ty nuk çmallem

Ti vonohesh
Sytë m’i shterrë në pritje

Bota zien kur s’vjen
Përmbysen rrugët nxihen dritaret
Nata kapton malet
Sjell ujq karpatesh
E – sy çiklopësh

Edhe kur g’dhinë
Po si g’dhinë
Mungesa jote agun përhinë

Bota si botë
Kot ëndërron paqen
Nëse buzët e mia me tuat s’çapen

 
 
GRISHJA

Përfton syve të mi
Si dje syve të babës
Pardje syve të gjyshit
Katërgjyshit

Ndërroj hapat
Pas saj rend
E nuk e zë
E nuk e prek
E nuk e puth

As kur m’afrohet
Me drithërimë
Më përshkon vezullimë

Nuk e di
Fluturoi zogu
Apo ai avull dëshire
Me emrin liri

Nën qerpikët e një vashe
Erë dheu me grishë
Për flijim të ri

 
 
 
PO TA KISHA LIRINË

Po ta kisha lirinë
Një shul
Një qen
Dhe një mur
Do të më mungonin

Po ta kisha
Ah po ta kisha lirinë
Projektin për shtëpinë e re
Do ta filloja e mbaroja
I buzëqeshur

 
 
 
 
VETËM E DËSHIROJ

Lirinë vetëm e dëshiroj
I zoti s’jam ta shijoj
Kur dua
E si dua

Krushqit ma falën varësinë
Në një pasdite
Me një buzëqeshje cinike

Rashë në provim
Për një puthje
Tinëz botës iu shplova nuses

Liria mori edhe një mungesë
Në jetën time

Tash e grish kot
S’vjen me ftesë
As në besë

Pa një udhë gjak nuk rrëmbehet
Nga ai tjetri

 
 
 
 
PENG I DËSHIRËS

Nga sytë e përdalë të botës
Trembet liria
Në vargje të mia fshehet

Llapë e llapë
Gojë e botës së përdalë
E ik nga unë ajo

Përditë nga pak
S’është me mua

Vonohet
S’duket udhëve
Netëve ëndërrash ndizet

Peng i syve bëhem
Ditë e natë
Peng i dëshirës për lirinë

 
 
 
 
AS PUTHJA

Hap pas hapi kërkoj lirinë
Liria për një fije floku
Largohet hap pas hapi

Hapat e mi
Hap pas hapi
Ngarendin drejt saj

Një fije floku
Ia vret syrin lirisë

Nëpër faqen prush
Gishtërinjtë më ngatërrohen
N’atë fije floku

Liria skuqet
Prej pamundësisë sime
Mbyllet nën qerpik

As puthja s’e kthjellon

 
 
 
 
TË TË PREKË

Shkunden gjethet
Si flokët tua fytyrës
Shkunden e s’ndalen

Të zverdhura bien
Bien e presin
Nën hapat tanë

Ti shkund degët
Flokët shkund
Çelë fytyrën

Dora ime
Zog i ngrirë dëshire
Të të prekë matet

Hapat ngatërrohen
Nëpër të thyerat degë
Shkelen gjethet

Ato shushurijnë prej dhembjesh
Nën shollat tona
Pas na ndjekin

 
 
 
 
NË PRANINË ESAJ

Pë pritje
(di) kush ma vjedh shikimin

Dritarja
Rruga
Apo vonesa e lirisë

Dora drojshëm ngreh dëgjuesen
Numrat hanë gishtat
Telefoni therrë orëzemrën

Përmes eterit
A shlyhen mungesat

Jetën time e dua
Vetëm në praninë e saj

 
 
 
 
MUNGESAT E LIRISË

Nëpër të sotmen time
Mungesat e lirisë
Mbushin katrorët e zbraazur
Spektrin e dëshirës thyejnë
Me një vajë qyqeje ne verë
Ngushëllojnë të tharat degë

Kot bie në gjunj
I falem ditë e natë
Gjurmët ia puthë
Nëpër të lumen tokë

Vetëm për ca pika gjaku
E një faqe të bardhë
Ndrydh në Vete e në Mua
Një mal dashurish

 
 
 
 
KUR PIKON ÇATIA

Nata çiçër
Më palon për shtrati
Tek shtrihem për së gjati
Mornicash kaplohet shtati
E dridhet i ngrati
Nuk e ngroh jorgani
As organi

Fillikat i prerë me vija
Ku pikon çatia
Zë e shembet shtëpia
Braktiset dhe nga dashuria
Se mungon oh
Erë ëmbëla liria

 
 
 
 
DIÇKA E LIRTË

Diçka e lirtë
Endet e s’pushtohet
Prej syve t’u të zez
Prej qenies sate të butë

Diçka e lirtë
Përvidhete dhe buzëve të mia

E dashur
Në më do flijom
Në të dua flijohu
Liria nuk është liri
Nëse nuk ia falim nga një dashuri

 
 
 
 
AJO QË NUK E KAM

Kam shtëpi tokë grua fëmijë
Dhe krejt ç’duhet për të ngrënë
E për të pirë

Po s’vlejnë hiç
Sepse ajo që nuk e kam
E ka emrin tënd

 
 
 
 
E(T)JA

Në sa metafora
Të ta shpallë dashurinë
Në sat ë tjera
Të ta fsheh
E ta vras të njejtën
Nëpër gardhiqe provincash
Për sytë qorr të Publikut

Oh ç’ddigjem nga dëshira
Për një liri
Të paprekur
Të paputhur
Të pajetuar
E – Po – e(t)ja
S’më del nga metafora

Nga albumi poetik"Natyrë me vaj" 1994
Përfshirë dhe në librin poetik VARIACIONE PËR LIRINË, 1997