Freitag, 17. Juni 2011
Cikël poetik nga Vehbi Skënderi
THUAJA HËNËS
Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!
Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s'ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !
Kur s'u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s'mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës - prit sa të vijë mbrëmja.
Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;
Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!
Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?
Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.
NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË
Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.
Ike edhe u ktheve!
Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.
"Nga jeni," pyes kot. "Nuk e di," më thua.
Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaj çdo prangë do ta këputë.
(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.
Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.
Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.
Po pse në Dashuri ndërron moti çdo minutë?
Sa e njerëzishme ishe kaq e çuditëshme e joshëse.
Si Hëna bukuroshe në Bazel në një mbrëmje vere.
Dhe melodi e largët, dhe çokollatë esmere!
Ti je Mjelmë Shtegtare e xixë nëpër natë.
Apo thjesht "kalimtare" një e tetëdhjetë e shtatë.
A ndoshta je «puhizë» që i vjen Botës përqark.
Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!
Apo një Pllakë Guri ndoshta miliarda vjeçe,
që s’dihet çfarë fsheh.
E vëren çdo Gjeneratë.
ORËT E MINUTAT, SI KËMISHA TË NGUSHTA FËMIJËSH
Më shtrëngojnë fort ditët e mia. Dilema!
Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh.
Paqja çdo çast sjell dhembje.
Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?
Jam tradhtuar nga Lufta e nga Paqja.
Ditët e mia të shkurtëra.
Jam stërnginjur nga etika e kallaisur. (Me aliazhe sulfuri.)
Nga retorika e papagajve parlamentarë.
Nga patetika minashkrehëse e ulemajve.
Ditët e mia. Orët e minutat.
Si biruca të ngushta!
Jam veleritur nga sfilata e "gjenuinëve" të gjelbër.
Nga edukata raciste e Aparteidit. Kultura e Pinguinëve të Anatol Francit.
Dhe kultura e Polifemit.
Nuk po e nxenë dot as kultura e odiçkës sime 3x3. (Në Bazel)
As kultura e filxhanit, që pi kafe. Dhe as kubatura e Oqeanit!
Po më ndrydhin fytin:
Shpirti primitiv i fluturimeve. Dhe shiu reaktiv.
Po më mbytin!
Orët e minutat lemeri! Pa fantazi e pa oksigjen.
Ditët e mia të ngushta, si këmish’ e Centaurit, nuk nxënë dot
As këtë zhuzhak të artë,
Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.
Ditët e mia të shkurtëra.
SHKALLET
Përditë ngjit mijëra shkallë që të të them "Mirëmëngjes!" Sa të të dëgjoj pak zënë.
Shpesh ndjen njeriu urinë e një fjale të butë e të pathënë
Më shumë se urinë për një trohëz buke.
Shkallë-shkallë sa të të them: «Nesër mos më prit!"
Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria! Dhe shpesh m’i këput krahët?
Mijëra shkallë! Nga superxhirot zemra po më çahet.
Pse më injektojnë helm çdo orë hallet meduza? Pse e mira çapet si qerre?
Dhe e Keqja si vetëtimë?
Mike! Më mirë vij rrëfehem te ti
Se në Katedralen Notre Dame de Pari...
Shkallë! Me koracë akulli e ballëdirsur
Për të soditur gjoksin tënd që dallgëzon si det nga frymëmarrja.
E për të të çuçuritur me një frymë :
Mike! Ndarja qenka më afër sesa takimi ynë…
Shkallë-shkallë! Që të përsërit pyetjen e përditshme : Si ke fjetur ?
Dhe pyetjen e çuditshme: Ku ka tretur loti im? Kush e ka gjetur?
Mijëra shkallë! As lodhem dhe as më këputen këmbët.
Kur presin dhëmbët hekur nga acari. Kur akulli tretet.
Kur vuajtjet e mia nuk i nxë as varri, as detet!
Shkallë! Shkallë! Në të dy anët e rrugës pemët. Shkurret dekorative. Trëndafilat.
Vilat në Bazel e në Rajnah. Vitet e ditët e mia rresht. Çapen bashkë me mua…
Dhe po qe se më pret Ti mbi Çatinë e Rruzullit. E po qe se më thua ti
"Jam në Everest", unë vij në çast. Sado të bjerë dëborë e çfarëdo ere që të fryjë.
Ngjitem! Bashkë me pajimet e mia: Ganxhat, çekiçët e litarët alpinë…
Dhe bashkë me shkrepat e tetëdhjetë (80) viteve mbi shpinë.
XHELOZIA
Një flokëverdhë helvetike, ndoshta shumë më e re se unë,
çdo ditë kalendarike bën për Qenin Zhyl Vern dy ditë pune.
Kjo mrekulli 24 karat që bën t’i ndrijë dy orë larg ngjyrë e lëkurës
Magjeps çdo kalimtar posi Lulja e Ujit mbi Liqenet e Lurës.
Sykaltër posi jar merr dhe tri medalje ar për Bukuri.
Në orë e në shi dy tetorëshe ia ndan Mikut Zhyl Vern.
Kur bën diell e kur vjen hija. Unë e përshëndes e diç dua t’i them.
E skuqem si fëmijë nga zilia. A që t’ua them hapur: vdes nga xhelozia!
Por s’di se si një ditë - jo, mor zotni, një çast! – i ndodhur shumë afër saj.
E shumë larg! – i flasplot njerëzi: Zonjë! Ndonëse nuk kam emër të madh
Si Miku juaj Zhyl Vern, ju betohem sinqerisht për Jehovanë,
Ju dua sa Qielli! E sa gjithë lulet e zogjtë kudo që janë!
Me tërë Mallin tim të flaktë: Ju dua! Andaj ju lutem shumë falmani këtë natë.
Jo, po kërkoj një natë dimri mijëra milje të gjatë.
Dhe as një natë vere, kur muzgu është i shkurtër e ikën shumë herët.
Ah, së paku falmë mua një orë vetëm, o e Bukur, një mëngjes a një mbrëmje.
Kur të jesh sa më e lirë. Dhe nëse je shumë e zënë
(O Zot, po vdes nga xhelozia) me Zotninë Zhyl Vern
Dhe çdo hapësirë e juaja është llogaritur
Në ditën tuaj kalendarike e s’ke një pikë bosh për të më pritur.
Se çdo lëvizje e re mund të të shkaktojë trauma e dhimbje,
Ndalo si kanarinë e ëmbël pa kurrfarë frike
Në shelgunpranveror të kësaj erotike!
Veç ja ku të betohem për këtë Tokë e për këtë Qiell!
Nëse nuk i përmbaheni dot as Minimales,
Unë do ta ftoj në duel mikun tënd të nderuar Zhyl Vern,
Posi dikur Pushkini i revoltuar baronin Dantes!
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
____________________________
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen