Montag, 12. November 2012

Tri poezi nga Abdyl Kadolli


 

HUMBJA E POETIT

 
Si humbe aq mister
Në gjirin e Bermudeve
U bëre legjendë

Lodrove larg e larg
Ylli ishte aq lart

Në Lodevë asnjë burim

Mund të ngjiteshe në Eifel
E të lundroje në Senë
Etjen ta shuaje

Edhe tek Urë e Shenjtë
Mund të kridheshe në Drin
Të shpërlaje këngët

Sa larg barite si era
Në pyllin e Bodlerit
Vdekja të zuri peng

Poetët të qanë me shami
Poeteshat me dashuri
Shi, shi, shi....

Si humbe aq mister
E u bëre legjendë
Në Itakën e Odiseut.
 
 
 


 QENTË NË PANTEON

 
Lehin qentë në Panteon
Zotin ta shqyejnë

Qen të larmë, qen të zinj
Turren me lemëri.

Lehin për etninë
Përmirren për lirinë

Të çartur për fron
Hëna i tmerron.

Lehin qentë në Panteon.



 


 LAMTUMIRË

Nga po ikën, miku im
Herë andej, herë këndej

Andej është kepi i rremë
Mitingjet vdiqën ngaherë

Kot u këndon poetëve të hirit
Ata tretën si brymë

Nga po thyen, miku im
Herë andej, herë këndej

Në Panteon nuk hyjnë
Bardë e kameleonë

Këtej Drini esëll rrjedh
Lamtumirë, Lamtumirë!


Prishtinë, nëntor 2012

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen