Freitag, 9. November 2012

TË GJITHA RRUGËT SHKOJNË NË VLORË

Xheladin Mjeku
 
TË GJITHA RRUGËT
SHKOJNË NË VLORË
 

Tfilluam këtij rrugëtimi kaq mundimshëm,
Të çmallemi për mote me vllaun,
Në legjendën e gjakut në zemër Prekazi,
Ndezëm flakadanët e lirisë,
Për t’ia ndriçuar rrugën
Shekullit të mëvetësisë.

Sa shumë kish lënguar Çamëria,
Sot plagëve po ua kërkojmë burimin,
Vumë flamurin në Gurin e Prevezës,
Filati, Konica, Janina e Arta
Na shtruan sofrën e bujarisë,
Përqafimi mbetet peng për një shekull.

Nga Manastiri, Shkupi, Tetova…
Me tingujt e gjurasë Grykës së Radikës,
Sa legjendat u tjerrën për nagantin e krismave,
Parakaluam triumfalisht faqeve të lavdisë
Dhe ia vulosëm kohës qëndresën,
Tek sa po zbret buzë Vardarit një rreze drite,
Hasan Prishtina përqafon burrërisht historinë,
Gonxhen, Kryetrimin, Epopenë e lavdisë.

Mbushur aromë jete rrugëtojmë tutje,
Një fresk i Mollës së kuqe na mbështjell plot jetë,
Gjithkah po frynte jugu furishëm,
Shpaloseshin rrënjët e kujtesës si petale lulevere
Mbi Testamentin e kohës së trisht
Me pika gjaku qëndis.

Nisëm rrugë drejt Majave të Boletinit,
Se atje valviten vitet e historisë,
Dhe fjala amanet brezave:
“Kur është mirë Shqipëria,
Edhe unë jam mirë”.
Dy nagantë shkruajnë epitafin e pavdeksisë,
Flamur ndër shekuj na vjen mes Kuvendit
Isa Boletini.

E nisëm shekullin për udhë,
Shtigjet e lirisë na premtoi,
Pritëm gjatë një kumt
Dhe shkurti na mbushi zemrat gëzim,
Prishtina po festonte agimin,
Çlirimtarët ia shtruan vendçe.

Nga Kullë e Bushatëllinjëve,
Dëgjohet kushtrim i maleve:
Po vjen Ali Pashë Gucia!
Osoja në Vraninë
Paska shtruar drekën e festës,
Barot e zemër qeliku.

Një flamur e shoh prej një shekulli,
Dedë Gjo Luli ma lëkund plisin
dhe shkund tytën e maliherit,
Në emër të atdheut,
Në emër të lirisë.

Në Lezhë çmallem një çast,
Kryetrimit ia puth rrezet në ballë,
Turravrap ngarend fushave të bleruara
Deri në krahërorin e shkëmbit në Krujë,
Ku pikon për shekuj gjaku i lirisë
E rrezaton një dritë jete.

Vlora vlon nga valvitja e flamujve të lirisë,
Krahshqiponjë hap horizontin plot rreze,
Shekullit ia fshijmë mjegullën e durimit,
Deri në bashkimin e ëndrrës së pambarim
Dhe e përgëzojmë Kuvendin e burrërisë,
Me gjuhën e zemrës dhe dashurisë.

Të gjitha rrugët kanë mësyrë të arrijnë
Në logun e burrave dhe besës,
Tok me Plakun* të ngremë gotat,
Në Kullën e mëvetësisë.

Por nga Prekazi deri në Vlorë,
Kemi edhe pak rrugë për të bërë,
Kemi edhe një mall për t’ia shuar
Nënë Shqipërisë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen