Donnerstag, 29. August 2013

Zejnepe Alili - Rexhepi: Shtatë poezi


Fjalët e pathëna

Në kohë të gabuar ecim,
të heshtur e të përvajshëm jemi,
me brengën e historisë në shpirt
dhembshurisht…
në këtë botë të çoroditur,
dëshmitarë të verbër mbetëm.

Lot e pritje amshimi,
në kohë të gabuar
fjalët ngjoken, u tret pakuptimësia,
veç relikte të shkapërderdhura
me madhështi gjarpërore,
po s’kanë vlerë mbi gërmadha.

Në Esperanto heshtën eruditët,
ngecën fjalët,
si para Ciceronit engu
kur makthi shpërprish ëndrrat,
as në ankthe vrastare s’u mposhtëm,
madrigali mori vello dhembshurie.

 

Gjurmë

Bukën e bardhë dhe verën e kuqe,
kaherë i patëm shtruar në sofër
edhe kur krushqit bënin jehonë dasme
e trimat ngrinin flamuj lirie,
në dasma e në vaje,
në krismën përshëndetëse për lindjen
e trashëgimtarit të kullës,
kur derdheshin gjaqet për fjalë dashurish
atëherë dhe sot, po edhe sot,
kemi gjak të bekuar perëndish.

 

Dritë

Në universin shpirtëror,
thurra imazhin e jetës
mbi të ardhmen,
me treqind dasmorë.
Në vendlindjen e stërgjyshit
lash peng gjurmët e mallit,
stinëve të jetës
braktisur nga koha.
Të shterura gëzime,
të tërbuar zëra...
në shpërprishje shekujsh,
nëntore të përgjakur
si ritmi i fateve,
për dritë njerëzore.

 

Kulla arbërore

Në kullë ke djepin e foshnjërisë,
shpreso, shpreso ti zog dashurie!
Këndo ëmbëlsisht,
rritu, rritu imazh lumturie!

Thyeja shikimin e egër mallit,
përgjërimit fshija gjurmët,
dhembjes ndaloja shtigjet.
Bota është jotja voglush!

Një rrëke lumi të bart në jetë,
e shfaq imazhe yjesh si dritë hyjnie.
Me dashuri e shpresë pushto botën!
Mos i lë vend trishtimit të armëve
Se kulla e Arbrit djepin ta përkundi.

 

Arkë kujtimesh

Sa më kërrusi jeta e më mbyti malli,
në ato përsiatje motesh,
në të largëtën fëmijëri
kur dashuria kishte fole,
atë kullë bardhësie
ku peshonte mikpritja e bujaria,
për konak miqësie merrej,
buka në çerep gatuhej…
ngrohtësi shpërndante votra,
sofra shtrohej mjeshtërisht
nga duart e praruara të gjyshes,
aromë dashurie mbante buka
që me ëndje shijohej nga miqtë,
nipër e mbesa plot…
Eh, sa e fortë ishte kulla!

 

Për nder të Lokes

Buzë Vardarit sodisja veten,
thosha jam pjesë e këtij nënqielli!
Lumi, eh lumi,
rrjedh si jetë e trazuar,
valë-valë…
si balli i rrudhur i Lokes
lodhur pritjeve
për birin, nipin,
ndarjen kujton…
Sa trishtuese,
ftesa për varrin e panjohur
këndeve të Evropës,
ku tretet dashuria
për dheun, gjuhën,
nderin e Lokes.
Na mori lumi
me valët e trazuara si jeta!

 

Joshje

Më joshnin dallgët e jetës,
Atje ku pata vajin e parë,
në Juglindje të Europës
mall e dashuri të zjarrtë.

Miq të pa ftuar mbi trojet tona
kurrë s’do të duam,
as rrjetë të thurur me vaje,
si peizazh i trishtë ëndrrimtar!