Freitag, 10. Juni 2011

Buqetë me poezi nga Sejdi Berisha




MË PËLQEJNË RRUDHAT...
 
Më pëlqejnë rrudhat
Se plasaritjen e tokës ma kujtojnë
 
Më pëlqejnë rrudhat
Se lotët më lehtë më rrëshqasin mbi to
 
Më pëlqejnë rrudhat
Se ma kujtojnë zemërimin e rinisë
 
Me pëlqejnë rrudhat
Se ma ledhatojnë kujtimin
 
Më pëlqejnë rrudhat
Nuk e di pse kaq shumë
Më përkëdhelin stinët
 
 
 
 
PESË VARGJE...
 
Rrënjë, trung, kurorë
Tokë, nënë, këngë
Lindje, liri, dashuri
Dhembje, mall, nostalgji
Atëri, madhështi, histori...

 
 
DËSHIRË
 
Sa shumë kam shkrumb
Plagët shpirtit për t’ia shëruar
Por,...
Asnjëherë nuk arrita
Te e fundit dëshirë
Se dhembjet e reja ngarendin
Me buzëqeshjet e poshtëruese
Sërish shpirti më akuzon
Për çfarë nuk e di
As kurrë nuk e kam ditur
O, ledhatimi im i lotit
Që kurrë nuk më kuptove
Pse shpëtim kërkoj
Nga mëkatet e njeriut
O, uji i njelmët i trupit
O, Rrasa e Zezë e gurit
Mos më thuani asgjë
 
 
 
 
KOHË E SHKUAR...
 
Gjithmonë i hidhëruar me ecjen
E, koha nuk më pret
Dua prapa të kthehem
Kohën e shkuar
Ta shtrydh edhe njëherë
Hidhërimin tim
Legjendë ta bëj...
 
 
 
 
 
E TI QAJ ME LOTIN TIM
 
Flokun e lagur nga shiu
Përkëdhele me lotin pranveror
Syrin e ke në piklat e shiut
Puthem njëherë se behari po ikën
 
Në qepallën tënde rri loti im
Mos e fshij të lutem
Le të jetë si kujtim
Përkëdhele flokun
 
O, shiu pranveror
Pse kështu më përmallon
Kur të gjitha janë vetëm rënkime
Pse kështu më rëndon
Me frikën tënde
Me mosbesimin tënd
Sikur të gjitha kanë ikur
E Ti s’je më afër meje
Shiu pranveror
Syrin ma përvëlon
Më shpëto të lutem
Qaj me lotin tim
 
Me mosbesimin tënd
Sikur s’do ngel asnjë kujtim
Të lutem qaj me lotin tim
 
(Nga libri "Dashuro një minutë")
 
 
 
 
EC E FLI ATËHERË...!
 
Shkurtër, shkurtër është
Rrugëtim i shpejtë
Shpejtë duhet jetuar
Se në një mëngjes kur zgjohem
Stina e pranverës rri tek dera
 
Në atë ditën tjetër
Nga gjumi kur zgjohem
Stinët kanë mbaruar
Jeta shpejtuar ka
 
Ec e fli atëherë
O, pezmatimi im
Me adresë të humbur
 
 
 
 
 
 
LUTJE VARGUT TIM...
 
...Deri në qiell
Deri atje lartë
Ku nuk ka numra
Përveç zeros
Dil vargu im
Po të lutëm në këtë mëngjes
Plotë çudira...
 
 
 
 
POR KURRË MOS MË RRËFENI...
 
Duke ecur nëpër histori
Edhe nëpër shkretëtirat e saj
Më thanë
Rri këtu duke shëtitur
Derisa ta zbulosh tapinë e njeriut
Për fjalën e saktë
Për buzëqeshjen pa hile
 
Kërkova përgjigjen
E fshehur në kripë
Më ndihmo
O, vargu im përcëllues
Derisa ta zbuloj vetveten
Derisa t’i tuboj disa grimca rërë
Farën e lumturisë për ta mbjell
Atëherë më hidhni ku të doni
Por kurrë mos më rrëfeni
Për ujin, lulet as gjelbërimin
Sepse e di
Brenda vetes kanë shkrumb
Për tapitë e djegura të tokës
 
 
 
 
 
KËRKOJ DHEMBJEN TIME
 
Është mirë nganjëherë...
Ecjen për ta ndalur
Por, pa e lënduar hapin
Pa e ndaluar këngën
Pa e mashtruar pritjen
Pa e mallkuar vdekjen
 
 
 
 
URIM
 
I trazova shprehjet
Asnjë nuk e gjeta
As nuk gjeta lule
Ditëlindjen për ta uruar
Nuk më përputhej asnjë fjalë
Asnjë lule
Mendimi më ngeli zvarrë
Më rrodhi vetëm fjali e thjeshtë:
Urime ditëlindja
Me fat rrugëtimi i lumturisë,
I dhembjeve dhe i përplasjeve
Që na ushqejnë
Që na lënë pa gjumë
Kështu
Ecja është më e ëmbël
Kujtimi shoqëron gjithnjë
Ndoshta edhe deri në varr
Urime...
Shëndet dhe jetë të gjatë
 
 
 
 
 
ZGJOHU PLAKU IM
 
Zgjohu, o plaku im
Me ato mustaqe hidhërake
Se në Kullë ta kemi murosur
Amanetin dhe dashurinë
Hapi sytë që përcëllojnë
Në dritare
Vulosur ta kemi buzëqeshjen
 
Merre fuqinë prej toke
Se sfidë i kemi bërë gjumit
Zgjohu, o plaku musteqosh
Në Kullën tënde
Ngritur e kemi Kullën tonë
Pritjen ta kemi bërë diell
Dhimben në këngë e kemi shndërruar
Zgjohu plaku im
Sofër të madhe kemi shtruar
Ashtu siç ke pasur dëshirë
 
 
 
 
SIMFONI VJESHTE
 
Një ditë do të kthejnë
Gjethet dhe lulet në konaqet tona
Do t’i gjejnë buzëqeshjet plot dhimb
Vrapojnë për të na treguar në ëndërr
Si dukemi tash pa gjumë
 
Kurorë e lisave
Erë toke kundërmon
Asgjë nuk mbetët
Pos lejlekëve shtegtarë
Mbi oxhaqet e Kullave

Edhe...
Zanat e Uliksit
Kërkojnë zërin tonë
Lulet e venitura
Presin pranverën
Simfoni vjeshte
Lulet do t’i gjejnë
Buzëqeshjet tona
 
 
 
 
KY ËSHTË AI KUJTIMI...
 
Tani më fjala nuk ka vlerë
Shikimi nuk vezullon
Dora mbi faqen zjarr
Nuk e zëvendëson
Puthjen që iku pa shpjegim
Ky është ai kujtimi
Zjarr në zemër
Andaj mos shkruaj më
Edhe kështu
Mund të dashurohet
Edhe kështu
Mund të ecën
 
Nëse ke zjarr
Eja ta kërkojmë
Puthjen e ikur
Nëpër kujtimet e humbura
Unë po e filloj
Me shkronjën e parë të alfabetit
Ti nise apo mbylle
Me shkronjën e njëzetë e gjashtë
Të gjuhës sonë
Mund të befasohemi
 
 
 
 
TË PREHEM NDONJËHERË…
 
Rrëzë diellit
Rri vdekja me defter
Plumbi mbi kokë
Zbrazu bashkë me vdekjen
Nuk lutem për falje
Për tokën time
 
Mbi vetull dielli
U rrëzua nëna mbi fëmijë
Loti i flokëverdhit e ka përvëluar
Nuk arritën as të përqafohen
Në mes tyre lule e kuqrremt
Përgjithmonë kujtim
 
Pesha është gjë që nuk plaket
Kur hapet toka për varre
Kënga dhe ledhatimi i nënës
Lëkurën ma bëjnë këpujë
E dëgjoj zërin atëherë:
Bir i nënës, fli i lirë
 
Bekimi i saj
Oshtinë në horizont
Mund të prehem ndonjëherë
Në tokën e përlarë
Edhe pse shumë herë
Kullat na i shndërruan në fantazmë
 
 
 
 
Sejdi BERISHA u lind në vitin 1947. Që në shkollën fillore, ky fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën "Flaka e Vëllazërimit" të Shkupit e pastaj, në "Pionieri" dhe në "Rilindja për fëmijë". Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore "Bota e Re", kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës "Flaka e Vëllazërimit", e cila botohet në Shkup.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së(Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi BERISHA, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë.
Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas viteve të tetëdhjeta edhe gazetar i "Rilindjes".
Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës "Peja" dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Deri me tash ka botuar njëzetë e katër vepra nga fusha të ndryshme: poezi,eseistikë, prozë, dramë, monografi etj.
Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002 është anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist "Istref Begolli" të Pejës, është anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG) në Pejë.
 
Përgatiti: Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen