Sonntag, 27. März 2011

POEZI NGA VAXHID XHELILI



MË MUNGON

 
Më mungon shëtitja e gjetheve nëpër qiellin e lagur
Dhe hapat e menduar rreth Moravës
Pritja me gurë kristali në stacionin e ndarjes
Dhe shikimi i heshtur përtej meje
I vetmuar vrapoj rrugëve të mallit
E ti më mungon.




PREKJE


Shkojmë dorë për dore
Në zhveshtore gruroresh
E vallëzojmë tangon e etjes
Për spektatorët e qiellit të dehur
Në vitrina çastesh
I radhisim dëshirat si libra të hapur
Prekëm kallshëm
Të djeg me flake




BISEDË E LIRË

Etlevë
Sapo të kthehemi nga atje ku nuk ishim
Do të shkojmë në kasollen e dashurise
Asgjë nuk është reale
Përveç asaj që nuk e njohim




TAKIMI I DYTË

Flakë zjarresh valviteshin shikimeve
Në brigje shpirtrash shkumonin dallgë prekjesh
Mbi lëkurën tënde njomake kafshime çmendie
Tinguj zemrash shperndaheshin në simfoni malli
Me përzierje djersësh
Ujitej lulishtja e moteve shtegëtues
Humbeshim në oqean ofsheh
Dhe humbeshim





FEREXHJA E JETËS

E kur flokun tend do ta mbështjell me ferexhe lulesh
Do të qajnë edhe zogjtë e malit
Tokës do t`i mungojnë hapat e lire të një gruaje
Që u dogj nga vetëmia
E uji do të dehet nga valëzim buzëqeshjesh
I paralojës hënore
E unë nuk do të plas nga xhelozia
Kur do të më kthehesh nga kroi i fshatit
Me shtambën e etjes sime mbi supe




NË SPITAL

Doktor
Etleva më dashuron doktor
Sot më mori përsëri për dore
Rrokullisëm gurë nga bregu i trishtimeve
U fshehëm pas kaçubave të kujtimeve doktor
E zhvesha doktor e zhvesha
Pastaj ajo eci këmbëzbathur
Nëpër çmendin time





NË MSN

Mos më prek mbi supe kjtimesh
Mos ma dhuro trëndafilin me shkëlqim metropolesh
Falma buzëqeshjen e shtëpisë
Si dikur nana
Kur zbrisja pa shkallë
Nga qielli i fëmirisë





RINJOHJE

Unë jam bari delesh
Në lëndinën tënde të harruar
Ditën mbledh ngjyra mbi lule
Natën i shkruaj nota zjarrmie shpirtit tim të etur
Në vallëzim dëshire
Përmallshëm e fishkëlloj ofshurinë
Jam si i dehur
Jam si i marrë






ME ETLEVË

Kam dëshirë ta luash vetveten me piano
Në gruroren e mbjellë nga babai
E unë t`i bie saxofonit të dhembjes
Në prehërin e nënës sime plakë





NË GJERDEK

Në ëndërr gjeraqine aromë barishtash
Rreze dielli
Puhi flakë fllad
Gjerak i gëzuar
Pas hedhjes së fares
Shashtiset me kalin e shkumuar
Luginës së lumit
Bashkë
Stolisen me medaljonin e flakes




URIME BASHKIMI

Urime unë ty
Ty mua
Urime bërtitja deri në kupë të qiellit
Urime jeta
Shpirt e trup në pishinë amëshimi
Urime shpërndarja e thërmijave të bukës
Për zogjtë e uritur
Stacioneve të harruara
Urime njëri tjetri kalldrëmës së lagur
Urime sahara e dashurisë dhe shiu




NJERIU I MIRË

Ndjesë pastë
Akrepat e orës i kishte me fije bari
Rrobat e trupit me gjethe pemësh
Në yje e lexonte himnin e jetës
Mbi gurë matematikën e hijeve
Ndjesë paste
Kurrë nuk e shikonte ditën
Në fytyrë monedhe




TEXT PËR TEATËR

Aktorët luajnë symbylltas në bodrume
Publiku i duartroket zbrastësisë
Në sheshe

Akti i dytë

Aktorët gërryejnë emra dhe data
Në murin e lirisë
Publiku trishtohet nga litari i varur
Në prag shtëpie

Akti i tretë

Aktorët ngjyrosin harmoni
Mbi vizione të blinduara
Publiku e kapë për fyti terrin

Akti i fundit

Aktorët renditen si peshq të qelbur
Në amfiteatrin e turpit
Publiku feston
Duke i falur lule edhe atyre që gabuan

Unë pëshpërisë me vetvehte
Liria nuk është mahi




ABSURI

Analisti i radhiti domatet e tredhura
Në tezgën politike
Me kusht që blerësi të mos i prekë gjërat
I zbriti çmimet për 50 përqind
Me ngjyra të mbretërisë së kuqe
Secilit ia vizatoi në ballë mollën pa krimba
Në minus 30 gradë Celsius
E nënshkroi fillimin e pranverës
Natën e kaloi pranë jashtëqitjeve të qytetit
Analisti





VARFËRIA MENDORE

Varfëria mendore ka disqe alumini
Syza të zeza
Fytyrë të ngrirë në mermer
Dhe kravatë me ngjyra kombëtare
Unin e nget autostradave fiktive
Edhe kur e kuqja i sinjalizon në fund udhe
Nuk i punon freni





NENI 147

Neni 147 i kodit penal
Ta ndalon shitjen e mendjemadhësis
Në tregun e plaçkave në Bujanoc

Rreth teje nuk sillet dielli
Vogëlush i shminkuar

Në çantën e madhe
Mund të bartësh vetëm ligjet
E shtetit varr
Dhe kornizën e ndryshkur të njerëzisë sate të humbur

Me nenin 80 alineja 3
Parashihet lehja e qenve pas hijes sate fantazmë
E cila do të këndojë ditë e natë
Në pentagramin e pendimit





NË LUGINËN E PRESHEVËS

Sonte dikush e shikon qiellin
Malet
Ofhanë
Dikush ekranin televiziv e vendos në shtallë
Dikush me gazeta e fshinë prapanicën
Dikush i shtrëngon dhëmbët
Sonte
Dikush e shikon malin
Dikush mbi mbeturina ekspozon portrete politikanësh
Dikush qan
Njerëz jemi
Dikush betohet në luginën e Preshevës
Dikush e pi vetveten
Sonte çamëria ime
Plasa




KËTË CIKËL POETIK IA KUSHTOJ PRINCESËS SË BUJANOCIT
ETLEVËS SË FËMIRISË SIME. (Autori)




SHENIME PER AUTORIN

Vaxhid Xhelili u lind më 9 mars 1960 në fshatin Lluçan të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në Lluçan ndërsa të mesmen në Bujanoc. Studioi Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Prishtinë. Në Universitetin e Friburgut studioi Punën dhe Politikën sociale.

Me poezi filloi të merrej në bankat e shkollës fillore. Botoi në shumë gazeta dhe revista që botoheshin në Kosovë. Punimet e tij u përkthyen në gjuhën serbokroate, gjermane dhe angleze.
Librin e pare me poezi „ Malli për Etlevën“ e botoi më 1995. Të dytin „ Pasqyra e mërzisë“ më 1997. Librin e parë ia botoi në gjuhën gjermane shtëpia botuese Limat Verlag në Zürich.
U përfshi në disa antologji.
Jeton dhe vepron në Zvicër.



Përgatiti: Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen