Mittwoch, 15. Juni 2011

Haxhi Muhaxheri: PANAROMË POETIKE KUSHTUAR KOSOVËS



Sabit RRUSTEMI
 
MESHA E PAVARËSISË
 
Nis në Shtëpinë e Lidhjes në Prizren
Aty nën kala
Pastrohemi me ujin mëngjesor të Bistricës
 
Dalim te Verrat e Llukës
Për t’u ngritur në lulediej
Grykës së Kaçanikut
 
Hyjmë me mallin e triumfit
Në Shkupin e Kosovës
Për një Simfoni të qetë të Bardharit
 
Kapërcejmë Fuqitë e Mëdha
E harrojmë një Moratorium
Për të zbritur në Vlorë
 
Shpëtojmë gjysmën e etnisë
Nga operimet ballkanike
Me Kosovën nëpër lisa
 
Në pauzë
Londra përsërit një racion dreke
Me konferencë Berlini
 
Fçinjët lakmitarë
Na vjedhin Bukën e Bekuar
 
Neve mbesim duke i ngrënë gishtat
 
Një shekull udhë bëmë
Në ballë me agimët e ademët
 
Golgota kohësh sfiduam
Nga Prizreni në Prekaz
Nga Karadaku në Koshare
Deri tek kjo Meshë e Pavarësisë
Në zemër të Dardanisë
 
Aty Në Majën e Bregut të dielltë
Rreth të Përndritshmit Rugovë
Këndojmë hymnin e gjithë luftërave
Kur ka ra Kushtrimi n’Kosovë
 
Dardania shpërgjumë antikën
Në mileniumin e tretë
Shenjtërohet me pavarësi
 
Kori i përzier
Nga Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë
Ngrit majegishtash një popull
Tek përmbyll Meshëm me Hymnin e Ri
Zgjohu Dardani
 
(15 Shkurt 2008 – 13 Shkurt 2009)
 
 
 
 
 
 
Shaip BEQIRI
 
KOSOVA
 
K është skeleti i një balade
Mbetur në fytyrën e brendshme
Të dheut të thërrmuar në bebëza
Të atij që vdes sërish për ty
Dhe i mbetet një jetë e pasosur
 
O është dielli nga i cili kam hequr
Vetëm pjesën time të thyeshme
Me e përdorur pa kurrfarë nevoje
Në vend të zemrës sate
 
S i ngjan gjarprit tënd të zi
Që zgjatet nëpër jetën time
Ndër hije degash e ëndrrash
 
O një tjetër diell i fshehur
Në retë e mjegullat e tua
Apo zemra ime e verbuar
Në plagën tënde të gjallë
 
V jep profilin e një lugine
Në zgrip humbellash pa fund
Ku vetë e nëntëdhjetenënta
Nata të pret prore në pusi
 
A janë gjymtyrat e thyera
Gozhduar për kurmin tënd
Kur desha me të përqafuar
Midis mija klithmave të tua
Në grahmën time të këngës
 
 
 
 
 
 
 
 
Bajram MJEKU
 
KLITHMA E FUNDIT PËR KOSOVËN
Përditë të zhvatim, përditë të lëndojmë
të dhunojmë kur e sa herë të dëshirojmë
ç’trishtim e ç’tmerr që aq shumë na duron.
Nuk dimë a të kemi nënë a kurvë të përdalë
përditë t’i thithim e gërvishtim gjinjtë
në vend të tëmblit tash të kullojnë sall gjak.
Themeli të është dërrmuar, pullazi shpartalluar
nuk janë kalorësit e Apokalipsës as vojvodët e përhënë
fëmijët tu t’përdalë janë fort e dashura nënë.
Klithma ime e fundit në hon është fashitur
kot pres lajmësin e fitores dhe vdekjen me nder
zëri më është shterur, baladat janë përdhosur
asgjë s’jam asgjë veç kalorës këmbëprerë.
Më janë mërguar ëndrrat, as ndjenja më nuk kam
tash sa vjet sulem nëpër Fushën e Mëllenjave
edhe lulëkuqet janë tharë, edhe eposet më nuk janë.
Përditë të baltosim, përditë të zhubrosim
po ti duron edhe kur ne të përdëllojmë
durimi është happy end, a ka fund durimi
kur as dallgët e Drinit dot më nuk të lajnë.
Nuk janë b
ijtë tu, ata janë hamshorë
pa nam e nishan, pa cen e pa gjen
mbi kurmin tënd kalurojnë përhënshëm
oh, faqen e zezë e paqin, mos ju qoftë për nder.
 
 
 
 
Shefqet DIBRANI
 
KOSOVA
 
Në betejat më të rrepta,
në rrebeshet më të mëdha
gjithmonë bota e pa.
 
Pati burra të patrembur
pati dhe trima me fletë
që me duar priten rrufetë.
 
Tani për Kosovën, këtë bukuroshe
do çelin lule me lirinë,
bashkë me brezat që do të vijnë.
 
 
 
 
 
QËNDISMË
 
Është kënga më e bukur
Qëndisur me gishtërinj nusërie
Është këmishë për çdo stinë
E varr i hapur në zemër
Është dhembje që plas shpirtin
Unë e quaj thjesht:
Kosovë
 
 
 
 
 
DO TË VIJ
 
 
Qysh kur mërgova
O dhé i shenjtë
Te ti më rri mendja
S’plaket as dita as ora
Shpirti mes jush më rri
O njerëz të mi
O fusha plot begati
O male kryeqiell
Ara mbushur me diell
Vendlindja ime e ngrohta fole
Me pemë e bar
Me zogj e dhé
Kosovë
Me baltën tënde u gatova
Me qumështin tënd u madhova
Me mallin tënd po përvëlohem
Kosovë
Pa ty o Nënë
Pa dorën tënde të ngrohtë
O e shtrenjtë po ikën kjo jetë
Pa ty o Atë pa këshillën atërore
Pa përqafimin tënd motër
Pa sytë e tu vëlla
Pa ju shokë
Ooo
Gjithë jetën më mungoi
Ngrohtësia e diellit njerëzor
E malli djeg për ju njerëz
Për fusha e male
Për kroje e përroje
Për gjethe e bar shi e borë
Për ty Kosovë
Për ty Kosova ime
Këndova gjithë jetën
Me zërin e mekur të mërgimtarit
Me mallin e pashuar të poetit
Për ty Kosova ime një ditë
Do të vij te ju o male të bukura
O fusha të uruara
Me Drini me Ibrin me Llapin përmes
Do të vij në zemrën tuaj
Male që rritni veç shqiponja
Do të vij në Kosovën e lirë
 
 
 
 
 
 
 
Vasil TABAKU
 
DHIMBJA IME
 
Dashuria ime
E ka emrin KOSOVË
 
Dhimbja ime
Ka portretin e KOSOVËS
 
Malli im
Ka frymëmarrjen e KOSOVËS
 
Shpresa ime
Është e nesërmja e KOSOVËS
Ëndërra ime
Është syri i KOSOVËS
 
Zgjimi im
Është një diell i ngrohtë KOSOVE…
 
Une nik jam pjesë,
As copë, as fragment
 
Une jam KOSOVA
Jam SHQIPËRIA…
 
 
 
 
 
TË PUTH KOSOVA IME
 
E dua Kosovën E dua
dhimbjen e sajë prej guri E dua
driten prej ënderrash Ndërsa buron
mbi shpresën tonë të përgjakur... Kosovë,
ti dashuria dhe dhimbja ime praj ajri, drite dhe qiejesh,
hedhur mbi supet e mi si balada zjarri .
Kosovë ti dashuria
dhimbja ime prej shiu dhe rrufeshë përveluese.
Mbi malet e bardhë si aedë popullor.
Ku këga mbetet lart
si një aureolë dielli Të puth Kosova ime Ti zemra ime.
Dashuria ime.
Dhimbja ime Malli im,
Mëngjesi,
mesdita
dhe mbrëmja ime e fundit....
 
Tirane mars 2008
 
 
 
 
 
 
BALADË KOSOVARE
Shpirti im
një tufë zjarresh
nëpër muzgun e trishtuar.
Zog i vrarë
regëtinë
zemra e kafshuar…
KOSOVË
Kaprollja e bukur e BALLKANIT,
për ty
dhe tërë errësirsn tënde
Kam në dorë
një qiri të ndezur.
Digjen gishtat e mi
ndizen shpresat…
Mbase ndrijnë ca çaste…
 
Dhjetor 1995
 
 
 
 
 
 
BASHKËKOHORE
 
Vështroj zogun
si digjet i dehur
në këngën e vet
Ndër duar
mbaj rruzujt përvëlues të lotëve…
Kam fjetur
në shtratin e dhimbjes
mbi xhamat e thyer të heshtjes…
KOSOVA për mua
ende mbetet një fjalë e palexuar…
Eshte ende e palexuar dhimbja fisnike
Dhe emrat e martireve te KOSOVËS
Të palexuar janë
Zërat e fëmijëve në agun e lirisë
Është ende i palexuar
Zjarri i shpirtit te KOSOVËS…
 
 
Janar 2009
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Shqiponja DURO
 
GAVROSHI KOSOVAR…
 
Deti kuqezoi renien e Diellit blu
Toka gugezhiu tanke
Ajri bresher plumbash
Gjaku i lumenjeve
Ujevare e kuqe ...
Mitin e jetes kobezoi
Kulla humbi çatine..
 
"Negociuan" shekujt per simbole
Identitet i mohuar...
Barrikada muresh
Thatesire
Zhuritese
Zhgjender 'paqeje'
Nje femije
Me sy te kalter deti
Kaçurrela diellore
Buzeqeshje vezulluese hene
Ndali para nje ushtari
Lara-lara uniforme
Deri ne fyt i pranguar
Pushtimi
Femija qeshi
Nxorri …
Urinoi vrerin e pritjes
Para bajonetes
Para vizes
Ne toke
Me harte lufte
Nje trup i copetuar
Ne pritje te Paqes
I ndau shqetesimin ushtarit:
"nuk ka wc ne kamp?!"
 
Ra...
Mbi gjunje te arnuara plagesh
Me pe te gjelber
Nje plumb ja preu fjalen e fundit :
"kur do kthehem ne shtepine time?!"
Koha ndali
Toka gropa te hapura mbiu
Anash tyre zinxhire refugjatesh
Trupi i vocrakut
Gavroshi Kosovar
Ngeli ane lugines
Lumit te kuq
"Ushqim" per skifterat e zinje…
 
Toka u drodh
Malet u çuan ne qiell
Per te bashkuar majat
Ne nje krah te vetem
Lirie...
 
 
 
 
 
 
 
TËRFIL I KUQ NË KOSOVË
 
Tokë e njomë
vaditur kuqëlueshëm;
Bardhesi e kalter,
Plis i gjakosur
 
Rënkonte lulëkuqja
dhimbjen...
 
Era e Re e flladit
sodiste krahët flamuri
përplasej
mbi mermere
të heshtura
përmendoresh.
 
Rrugëtime varresh
Zinxhir mermeresh...
 
Një trung i djegur druri
me degë te thyera
dushku i tharë
mërmëriste dhunën -
i vetmi dëshmimtar...
 
Rënkonin yjet
ditët e prera
në mes...
 
Përmbi barin gri
Tërfil i kuq çeli...
 
 
 
 
 
 
 
 
Fahredin SHEHU
 
KOSOVA
 
Gurët e paluar
Vathë arri me gurë ametisti
Nën mozaikun me motive Ouroborus
Dhe pjergulle te përdredhur gjarpëruese
Në shtylla mermeri të rrëmbyera
Të dërguara në Korinth
 
Nënë e përlotur me foshnjen e rrëmbyer
Barbarët na shikonin si veten
Ja se s’bën të jeshë ndryshe
Nën vorbullën gëllëtitëse apetitesh të sëmuara
 
Një vulë mesingu stampon
Dyllin e përgjakur përplot hemeoglobinë
Në pergamen prej lëkure dardane
Dhe kallinjë të praruar me shfryrje lulekuqesh si yje
Në natën e bekuar
 
Dhimbja flet me rrokje tallase
Nga gërsheta baladash të shprishura
Ti nuk zvoglohesh si hija anash diellit
Edhe këtu dashurohej si në Veronën e Shëkspirit
Edhe këtu heshtja si rrëshirë okupon
Mbetjet mortore të të dashuruarve
 
Tash kremtohet frymëmarrja
Hija të rritet përtej madhësisë shpirtërore
Frymëmarrja e lirë si prurje shiu të bollshëm
Tokën ta bojëdis me të gjelbërtën e bekuar
Çupëzat dhe djelmoshat sy-gentiane
Dhe aromë nga gjethet e Farsikës
 
Ja se endemit jemi në trungun human
Bosh nga urrejtja dhe kreshmuar nga ekspansioni i sëmurë
Një popullacion monumentesh humane
 
Ja se krenaria si uji peshkun nuk na mbyt
Ja se jemi mirënjohës për bekime
Të miqëve
Të afërm
Të largët
 
 
 
 
 
 
 
 
Mimoza SALI
 
NË PREHRIN TËND KOSOVË, LASHË NJË COPËZ ZEMRE
 
Unë pulëbardha krahëkuputur nga Epiri
Fluturova drejt anijes së dashurisë si epitaf i lashtë
Tek ti Kosovë, zonjëz e stërlodhur nga plagët shekullore.
Erdha për të mjekuar plagët e të parëve të mi,
Dhe sëbashku kënduam këngën e gjyshërve tanë...
 
Buzët e mia të thara për një pikëz ujë prej lumit Kalama
Pinë lotët e legjendës, buzë varreve familjare në Drenicë
Që kërkuan rizgjimin e lirisë hyjnore...
 
Ah, Drenicë! Në lotin e dhimbjes vara gjerdanë shqiptarie
Si meteor lindi muza e dashurisë brenda mureve të lashta të Vushtrrisë.
Të ngritura prej një gjuhe, një tradite dhe një historie...
 
Zemra ime digjet tani nga malli, nana më flet nga varri:
"Bijë, bijë dëgjoi ninullat e kombëtarizimit
Se Kosovë e Çamëri, janë NJI, NJI, NJI!"
Përjetova një emocion që gëlon mes dy kohërave...
 
Me krahët e ARTËS përkëdhela dashurinë më të madhe njerëzore,
Në trungun që u munduan ta shkulnin nga rrënjët,
Por gjoksi kurrë s’ju shkul prej ijës
Aty, gjeta mikpritjen dhe dashurinë, siç prêt nëna të bijën.
 
Unë pulëbardha krahëkëpur nga Epiri, në prehrin tënd Kosovë
Lashë një copëz zemre, bri shekullit më të ri, ku po derdhet dritë, dritë...
 
 
 
 
 
 
 
 
Sylë MUJAJ
 
BETEJËZA E KOSOVËS
 
Ishte një Betejzë, mbas betejash me çmim,
Qe Kosovës ju dha dhe një shkëlqim,
I thash betejëz sepse shume e vonuar
Faji është i yni, deshëm apo nuk deshëm duhet pranuar,
Ne po i bimë fyellit kur projekt bënë komshiu ynë Serbia
Na sot ti bëjmë planet tona, te ndryshohet përtace qeveria.
 
Sa shekuj u deshtë qe na ta marrim veten ç’drejtim
E shqiptarët te shkruajnë e vendosin për veten e vetë,
Jemi vonuar ne kohë, na duhen vlera ne rrugëtim
Këndellje ne projekte, ti bëjmë vetë, bukur konkret e lehtë.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Xhemajl RUDI
 
KOSOVA
 
Kosova - një arkitekturë eshtrash,
me flijime heronjsh themeleve.
 
Kosova ec jetën e shekujve,
mes kohëve të plagosura.
 
Kosova - shtrirë kontinenteve në hartografi lëkure,
në jetën e dëshmorëve u pagëzua.
 
Kosova - brerore me siluetë të thyer,
freskon buzët e thara me nektar lulesh të të rënëve.
 
 
 
 
 
 
 
 
Yllka FILIPI
 
KOSOVËS!
 
Temperaturë... lëngatë...
e bardhë valëvitesh, mbi ylber të trishtë
nga pik' loti kthehesh në shtretër dashurish.
Të zëmbakta duart, përkundin në djep
foshnja ardhmërish.
 
Vallë, ende mbahesh, pas të tillë lëngate...?
E vogëlza ime, e madhja sharmante,
mbi plagë lind shpresa si lulja mbi shpate.
Jehonë në shtatë qiej,
zëri i trimave nga nëntoka mjaltëzon ninulla lirie
heshtni, për hatër të Zotave!
 
Shëëëëëëët!
Fli, moj zemër, fli, që të rritesh shpejt!
mbi dafina sfidash kokën lart ta ngresh!
...Përmbi drurë cungje
gjethi yt do jem!
 
Kosova mitike!
...S'dini se ku gjendet?
Kërkoni në hartë
aty ku ka gjak!
Mbi plagë lind shpresa si lulja mbi shpat'
 
Tiranë, 2010
 
 

 
 
Nehat JAHIU
 
HEU KOSOVË
 
Heu, Kosovë çerdhe e lashtë
një vdekje,
tokë Ilire
Drenicë ti fole martire.
 
Heu, Kosovë lulëkuqe në kullë
e përgjakur me flamur,
fole në shkrepa
nuk të lanë të vdisësh Shota e Azem Bejta.
 
Heu ,Kosovë kështjellë e vjetër
sa herë të është nxirë oxhaku,
kurorë të thurrën ditët nga gjaku.
 
Heu, Kosovë ti djep plak
kur nuk u dridhe, u lave me gjak,
që ndjell lot guri
kur për tokë nuk të ra flamuri.
 
Kosovë o ti Kosovë nënë e madhe
Kosovë e mbuluar me varre,
manushaqe prilli
Kosovë, Kosovë ti lule Dugagjini.
 
Heu ,Kosovë ti e lashta tokë
gjithmonë u rrite në barot,
sa herë që të mbuloi errësira
ti ndezë qirinjtë Hasan Prishtina.
 
Heu, Kosovë rritur në histori
e përgjakur në luftëra gjithkund për liri,
mbushur, mbushur me plagë
e ruajtur shekuj shekuj me radhë.
 
Heu,Kosovë ti loke fisnike
Shumë pranverë në kullë i prite,
kala mur, mbi mur
themelet askush nuk mundi me ti shkulë.
 
Heu, Kosovë korbat nuk të lanë qetë të flesh
të dhanë plagë të plagosën shpesh,
dëshmorët të qofshin lavdi
që me varre të stolisën lirinë.
 
Heu, Kosovë sa herë thirre ti në kushtrim
në ballë të oxhakut të doli nga një trim,
për ty u dha besa-besë
i gjallë pa ty Kosovë askush nuk deshi të mbesë.
 
Heu ,Kosove, Kosove ti lulekuqe,
Adem Jashari ta vuri duvakun, te beri nuse...
 
 
 
 
 
 
 
O KOSOVË
 
O tokë e lagur me gjak
e ti ujë i përgjakur i Drinit Plak,
o ju male të larta me dëborë
ju që Kosovës i thurrët kurorë.
 
 
O ju trima që luftuat për këto troje
ju që mbrojtët këtë djep Kosove,
ju që dhatë jetën e derdhët gjak
për Kosovë ju morët hak.
 
Ju vasha shqiptare, vasha trime
u bëtë nuse me gjak lirie,
nuse të stolisura me flamur e kurorë
sa hije ju paska nusëria për Kosovë.
 
Kosovë merri këta trima e futi në gji
Kosovë shumë të deshën këta ty,
Kosovë, Kosovë e krenari
dëshmorët të përqafuan ty,
ta puthën Kosovë tëndin dhe
Kosovë e dashur cfarë nuri ti ke.
 
Kosovë hiqe me këtë shamizezë
shumë trima për ty kanë vdekë,
hiqe Kosovë,hiqe shaminë e zisë
se për ty Kosovë vdiqën për pragun e shtëpisë.
 
 
 
 
 
RRITUR ME BUKË KOSOVE
 
Nënat o trima juve ju kënduan ninulla
ju përkundën në djep nëpër kulla,
sofrën ua shtruan me bukë kripë e zemër
që ju kurrë mos ta harroni tuajën emër.
 
Të rritur me bukë,bukë Kosove
mbjellur në arat tona në këto troje,
pranë djepit aty afër në oxhak
amanetin ua rrëfej gjyshi plak.
 
Rrëfime legjenda të lashta histori
se si duhet të vdiset për liri,
besën e dhatë ju o trima që në djep
se për atdhe keni për të vdekë.
 
Nëna me qumësht juve ju rriti në gji
ujin e kësaj toke në kroje e keni pi,
ju dëshmorë të lirisë e të kësaj toke
rritur me bukë, bukë Kosove.
 
 
 
 
 
TEK KJO TOKË
 
Tek kjo tokë, tokë e kuqe
kanë mbirë shumë lulëkuqe,
kanë rënë në varr shumë nuse
shumë trima lulëkuqe nëpër varre
vdekja e shkruar nëpër male.
 
Tek kjo tokë me lisa
janë aty buka dhe rrita,
gjakëra të ngjizur në rrasë guri
shkaba qëndisur tek flamuri.
 
Tek kjo tokë- tokë e fortë
arat mbjellur me eshtra dje e sot,
lule skuqur me gjak Kosove
tek kjo nënë me shumë morte.
 
Tek kjo tokë ka varre shumë
u derdhë gjaku u derdh lumë,
e të bleruar janë mal e fushë
dasëm bën dasmorët me krushq
 
Tek kjo tokë, tokë shqiptare
mbijnë lulëkuqet përmbi varre.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Seveme FETIQI
 
DIELLIN E PASHE
 
(Poezia mori çmimin e dyte ne Oren letrare Tradicionale,
ne Koblenz me 2009 dhe e ndau çmimin e trete
ne Takimet e Poeteshave Shqiptare ne Vushtrri 2010)
 
Kur me mbollen
ne toke
se pari deshta
te te shoh vetem Ty
o Diell
e lule pa Ty
me shekuj isha
ne erresire i krehja
rrezet e tua
i enderroja
agimet e purpurta
ne fytyren tende
te perenduar
 
...dhe plumbat shekullor
ballin ma qelluan
syte mi verbuan
me hirin e roberise
me shtatqind dimra
fjalen ne gjuhe ma ngrine
petalet mi shperndane
nje nga nje
kah bota e larget
 
vetem farat i mbulova
me dheun e lare me gjak
e rrenjet e mia
i shartova
me agimet e bardha
per tu takuar
ne deshirat e mia te
klorofilta
 
mallkova erresiren e kuptova
edhe lulja paska aht
 
u bera murane ne pritje
u bera klithje ne heshtje
u shnderrova
ne myje te pamposhtur
me fije shpresash
thurra kuotat e fitoreve
pikova lote te kuq
 
shqiponjat lajmeronin
Festen e pritur
ngrita koken
rrezet e tua i putha
une lulja jote e vuajtur
u ktheva kah Ti
Ty te pashe
Diellin tim e pashe
 
Tash edhe ne vdeksha ndashte
_____
E shkruar me 17.02.2008 Dita e shpalljes
se pavaresise se Kosoves
 
 
 
 
 
 
 
Nexhat REXHA
 
17 SHKURT 2008
 
Populli im hoqi pamjen e mrrolur
Bashkë me zymtësinë ndërroi urrejtjen në dashuri
Sa herë gëzimet u këputën
Lidhte nyjet në ëndrrat e pagjumta
 
Çfarë nostalgjie lidhë të djeshmen
Me ngujimet e urrejtjes së shekujve
Thellë ruhet kujtimi i ushtimës gërryese
E unë shuaj etjen për tokën e për vete
 
Askush nuk lëkundi betejat e gjakosura
Vetëm roje bënë ushtarët besnik
Atë ditë të shenjtë liria i hoqi maskat
Flakadanët mbuluan faqet e atdheut n` bulim
 
Në kryeqendër kuvendarët bluanin zot.....
E në Dardani skeletet e trekëndëshit
I binin tupanëve nën dhe
E bubullimë e tyre kaloi mbi re
 
Në muzeun e kujtesës ruajtën
Vargjet e Shandor Petëfit
"Në qiell me gjakun tuaj do shënojmë
se botën mbretërit dot më s`e mashtrojnë"
 
 
 
 
 
 
URATË PËR ZJARRIN
(Pamja e parë)
 
Atë ditë kur e dogjën
Lulet i varen petalet
Se bënte vapë gjithësie
I gjithë trupi i një njeriu shkrihej
 
Asgjëkundi nuk dëgjohej fjala ndërgjegje
Andej pritej këndej vritej i nalti njeri
Pastaj humbi vendi i nemur
Në pikën e drunjtë që lëshoi prush
 
Sa shekuj ikën e prushi nuskën
Hijëzoi nëpër bulevardet e botës
I madh ngritej bronzi
Nëpër lakimet e shekujve
 
(Pamja e dytë)
 
Tetë ditë meditoi jetën dhe vdekjen
Gjordano Bruno
Në këtë meso kohë ai vërtetoi
"Optimizmin e mendimit të lirë"
 
Më pas
Djegia e trupit të Tij
Fluturoi nëpër qiell
Për ta pushtuar përjetësinë
Udhëtimi zgjati katërqind e tetë vjet
Deri në Kosovën e 17 Shkurtit 2008
 
Ai
Nga ajo kohë
I flet Romës e botës
Në sheshin e luleve (Campofiore)
 
Urata e zjarrit
Erdhi edhe ndër ne
 
 
 
 
 
 
 
Nebih BUNJAKU
 
PAVARËSIA
 
Gjatë të pritëm rreze dielli
me shumë shekuj e dekada
kurorë lulesh midis prilli
të sfiduan në barrikada
 
akulli shesheve të Dardanisë
i 17 Shkurtit me borë acar
tretej në zemër të shqiptarisë
lavë vullkani magmë e zjarr
 
për Ty seç na dogji malli
nuk të lejonin të vije dot
kurrë s’të lëshojmë për së gjalli
për Ty derdhëm gjak e lot
 
me gjithë shpirt na buzëqeshe
Nusja jonë në Kuvend
ballëlartë rrugëve e në sheshe
në zemrat tona zure vend
 
në ballë të valles Nusja e jetës
dasmë të tillë s’ka parë bota
që nga shekujt e Mesjetës
në Dardani si luhet shota
 
 
 
 
 
 
 
 
Xheladin MJEKU
 
EDHE PAK DARDANI, EDHE PAK KOSOVË
 
Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka pak Dardani
 
Edhe pak Dardani, edhe pak Kosovë
Në këtë palcë guri, në ashtin prej lashtësie
 
Mbi masën e syrit e peshën e gurit të vet
Ngriten bedenat e kështjellës - qëndresë stoike
 
Për një pëllëmbë Kosovë, një ëndërr Dardani
Shekujt u shtynë gjatë tej Alpeve deri në agoni
 
Mjer toka që thahet për një pikë gjaku
Për një këngë kushtrimi të shtegut të lirisë
 
Merre si ta marrësh, në këtë Kosovë
Në cilin skaj ta prekësh ka edhe pak Dardani
 
 
 
 
 
 
 
Haxhi MUHAXHERI
 
KOSOVËS
 
Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
pritë të zinin keqas djalli e i biri
Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane
Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie
 
 
 
 
 
 
 
Puntorie ZIBA
 
TRUALLI IM
(Kosovës)
 
Shkelë me këmbë merimange
shputa ime ,
ngadalë e me naze
se këtu është Kosova
pa re të shpupurishura,
me faqen e fildishtë
që s’la pa lëbyrur
sy zogu e njeriu.
(Kosova ime)
Ky truall me dy - tri fusha
e me dy - tre male këndej,
me dy- tre lumenj e dy dete andej,
me dy -tre qytete e dy - tre fshatra këndej,
me dy- tri ëndrra e dy- tre vaje andej,
me dy - tre qiej, e dy- tre diej këndej.
Ec ngadalë shputa ime,
në këtë tokë të butë e të bardhë
ku babai im i thinjur mund të ngarkon
shtatë mi e njëqind e ca milion
qerre me eshtra,
si qerre me kashtë.
Në varret e këtij trualli,
aty ku engjëjt regëtijnë,
jam nisur unë me tim bir
që të vdesim e të rrojmë.
( Kujdes!)
Ngado që do shkelësh shputa ime
hap sytë mirë
se po trand
skelete njerëzish
që vdiqën
në kohën drurit
në natën e ndezjes së zjarreve,
në neolit
e paleolit
në stinën e korrozionit,
kur sapo evoluuan gjymtyrët:
sy e zemër
krah e këmbë,
bashkë me boshtin kurrizor.
Kujdes shputa ime prej elefanti
me origjinë
fisnikësh,
kujdes
ngado që shkel
se do ograisesh.
Shkele me këmbë shpendi këtë truall hir
është i brishtë
e ka mnerë,
se këputet në an,
ky vend heronjsh
që vdiqën e rrojnë
me zemra të vogla e të mëdha
që ju kërcejnë
tak, e tak, e tak,
për pranverën e sivjetme.
 
 
 
 
 
 
 
Sevdije REXHEPI
 
LARG KOSOVE
 
Nuk do jem me ju
Kur nis pranvera e blertë
As në mëngjesin e ri...
 
S’do t’i dëgjoj
Krismat e dashurive
Me shekuj mbledhur në këtë pllajë
As shpërthimin e lotëve
Gëzimet e përhershme
Dardani - në kurorë mbuluar
 
Liburna del mbi valë
Nami Yt ringjallë - Kosovë...
 
Unë larg teje Atdheu im
Ti afër me zemër
Do mbetesh ajo
Kurrë më tjetër emër
 
17 shkurt 2008.
 
 
 
 
 
PËRNDJEKUR
 
Përtej detrave
Zë i ëmbël udhëton mbi re
Dhe atje rri zgjuar
Nuk fle...
Përmallshëm...
Imazhe të së kaluarës shfaqen
Kur në rini
Gjurmët fshihje pas vetes
Mos t’i zbulojë nata
Se rrihte shtrëngata
Udhëtim pa fund nëpër kohë
Që dekada u bënë
Unë... u bëra natyrë
Shtriva shpirtin andej e këndej
Si lumi gjarpëror
Shqipëri e Tetovë
Seç m’u rriten flatrat dhe më shumë
Për ty Kosovë
 
 
 
 
 
 
Ullmar QVICK
 
LULET E KOSOVËS
 
Të bukura janë bozhuret dhe lulëkuqet
prapë dihet se gjaku kërkon gjak
dhe mjaft lule gjaku çelen në Kosovë
Në oborr të Fakultetit rriten bresat*
pak të ashpër në shtat, ndërsa lulet
me ngjyrë të kaltër,
veç pak të kuqe brenda!
Në prag të Fakultetit ngjyra e besës
ngjyra e shpresës!
Dëgjoj të qeshurat e studentëve...
Bresat më shikojnë me sy të kaltër
Po mendoj për të ardhmen,
për besën dhe shpresën
në jetën e rinisë kosovare...
 
* Bresa (Cikoria) – bime e rendomte në Kosovë
që ka lule të kaltëra. Në disa shtete dhe në Suedi,
është përdorur gjatë luftës së dytë botërore
si surrogat për kafe.
____________
Kjo poezi ka marrë Çmimin e parë
në Festivalin e poezisë në Malmö,2004.
 
 
 
 
 
 
 
Kolec TRABOINI

KOSOVE 1998
Në situata të vështira dëshpërimi
ngrejmë sytë nga qielli
e thërrasim:
O Zot!
Nuk dimë a është revoltë a thirrje për mëshirë.
Por gjithsesi,
sado e trishtueshme të jetë gjendja,
gjithmonë mbetet shpresa
ky flamur i rreckosur e dalëboje
në zemrën e akullt të Europës plakë
si kafka qindvjeçare e një kali në Vaterlo.
Bashkoj dhembjen me shpresën
mallkimin me urrejtjen
dashurinë me mëshirën
aspiratën me fatin e çdo njeriu
atje në thellësi të pusit të zi
të skëterrës njerëzore
Sado që jetojmë në një botë të lirë
Shpirtërisht jemi të thyer prej asaj errësire
Të thyer prej këtij shekulli mizor e hipokrit
që nuk e vuan vrasjen e ndërgjegjes
përpara masakrave mizore
përpara therjes në fyt të engjëjve
përpara gulçeve të gjakut e çarjes së kafkave
përpara tankeve që shtypin krahë të njomë
pëllumbash
përpara mesjetës që del prej katakombesh ballkanike
për të zhdukur e shfarosur një popull.
Me sytë drejt qiellit në revoltë
kthehem e them:
Ku je o Zot?!
Boston 13 Gusht 1998
- Kjo poezi në përkthimin anglisht është botuar në Antologjinë poetike me titull:
"OF MEMORY'S BLESS"- The International Library of Poetry, faqe 108,1999,
me krijime të autorëve nga SHBA dhe vende të tjera të botës.



MASAKRA
Ejani ju stuhi resh me vetëtima
udhën e ndriçoni tek ky fshat i vrarë
se përmes kufomash shteg nuk gjen të ecësh
e qiellit korbat krokëllijnë kra-kra.
Ejani ju shtrëngata shiu me litarë
varuni nga lartësitë me gjëmim
t’u lajmë plagët kafkave të çara
nëpër pellgje gjaku plot pikëllim.
Ejani t’u gjejmë gjymtyrët pleqve
e qeleshet t’ua vëmë në kokë
se kanë patur veç një jetë të ndershme
varrimin e duan me nderim në tokë.
Vogëlushëve dhe pas vdekjes t’ua prajmë vajin
duart e nënave t’ua vëmë pranë
gjinjtë e bërë copë nga thika sllobosh
qumësht e gjak ngrirë e bërë kallkan.
Ejani ju qiej, përmbysuni prej dhembjes
rrëzohuni në Reçak me rapëllimë
i mbulo me bozhuret e Kosovës
të shkretët kufoma që kërkojnë amshim.



USHTARI I PIKELLUAR
Ti je një ushtar i përbaltur që pas beteje
në llogore rri e mendon për miqtë e vjetër...
Ata nuk janë më.
Kanë mbetur në kujtimet e tua si hije
nëpër mugëtira e ankthe ikjesh
për të shpëtuar çfarë të mundin në kolapsin njerëzor
e duke lënë në shpirtin tënd dhembjet e plagëve
që nga nxitimi pas i lanë
për t'i shtuar shpirtit tënd mundimet...
Ti je një ushtar i pikëlluar
që në kujtime nuk gjen ngrohtësi
ndërkohë që një dimër i acartë,
e një stinë shtrëngatash përçudnuese
copë-copë ta bënë kapotën e vjetër
e çorapeve të leshta s'u gjenden më as fijet.
I pikëlluar se në vezme ke pak fishekë
e fare pak bukë për qëndresë
sepse ata që janë pas, në prapavijë të luftës
ikën...të harruan...
Ti je një ushtar i përbaltur në llogore
që s'ka urdhër as të sulmojë e as të tërhiqet
e duke ndezur një cigar jeton me kujtimet
e ankthin e mungesës tënde në këtë botë
të nesërmen e betejes së pritme...
Të nesërmen
kur miqtë e tu të vjetër do të brohorasin
deri në kupë të qiellit për fitoren
me degë dafinash nëpër duar e gjokset rrahur erërash
me flamuj të shpalosur në të katër horizontet
ndërkohë që mbi varrin e ushtarit pikëllojnë
një palë këpucë pa lidhësa
e një kokore e bërë shoshë nga plumbat.
Boston 28 Nëntor 1998



KRUSHQIT E LIRISE
Krushku i parë këngës fort ia thotë
u ndez kënga, fjalët u bënë shpuzë
nuk ia shuajnë as përrenjtë e maleve
prushin që aq fort ju djeg në buzë.
Presin nusen nisur prej aq vjet
në jele të kalit kush lahutës po i bie
këngën një mijë vjeçe po këndojnë
një mijë krushq nusërie.
Njëqind vjeç është plaku që ngre zënë
malet nxjerrin kokën deri në re
ngrihet tym bora e bjeshkëve
qiellin sikur çajnë njëmijë rrufe.
Kalërojnë shigjetë nëpër beteja
shokun nuk e kanë për luftëtarë
trimërinë e gjoksit përmbi top
tek ti Dardani i kanë marrë.
Në stuhi të madhe, erë e shqotë
krushqit luftëtarë u vranë, u prenë
pritave me bajlozë, krajl e mbret
shpatë e top me plumb e thikë përzierë.
Sa një lis e ke një gjoks rapsodi
kreshnikë që nuk gjenden përmbi dhè
e çan qiellin kënga e gjoksit
njëmijë tumpana bien si rrufe!
Dardani këngë e lashtë e vjetër shumë
lavdia bashkë me gjak të rrodhi lumë!
1981
 
 
 
 
 
 
Adem BERISHA
 
 
K U R O R A R T A
- Kushtuar Pavarësisë -
 
Ditë e madhe, ditë gëzimi,
ditë e shpresës, ditë e mbarë,
ditë fatlume, ditë shpëtimi
e shumëpritur nga çdo shqiptar.
 
Porsi rrëfe që vie prej qiellit
në gjithë hapsiren e Dardanisë,
porsi rrezja e parë e Diellit
shkëlqen Dita e Pavarësisë.
 
Pritëm, pritëm por kurr s’pushuam
së luftuari për këtë ditë,
pa ngurrim botës i treguam
se Kosova do të jetojë n’dritë.
 
Për këtë ditë q’është e bekuar
nga Madhëria e Përendisë,
shumë lulëkuqe jetë kanë ndërruar
u bënë pishtarë, deshmorë t’lirisë.
 
Në shumë etapa të historisë
shpesh ky vend në gjak është larë,
qe prej kohës së Ilirisë
kurr ky gjak s’ka njohur të tharë.
 
Kohë përgjakjesh qoftë mallkuar
për shumë vite e për shumë mot,
për gjithëmonë të ketë përenduar
le të çrrënjoset qe prej sot.
 
Sot është Dita e Pavarësisë
kem’ përse të gjithë të krenohemi,
të gjithë të jem’ n’shërbim të Lirisë
nga ky vend të gjithë të betohemi.
 
Për këtë liri që e fituam tok
me gjithë atë gjak që nuk ka çmim,
s’ngurruam dje, s’do të ngurrojmë sot
qe ta mbrojmë me përkushtim.
 
Eni pra tash të vallëzojmë
vallen më të bukur të lirisë,
deri n’agim të mos pushojmë
për Dit’n e Madhe të Pavarësisë.
 
Tash secili le të këndojë :
mirë se vie ooooj Pavarësi !
kurdoherë po të jetë nevoja
prap të gjithë do të biem për ty.
 
 
 
 
 
 
 
Lediana PAJA
 
GËZUAR PAVARËSINË KOSOVË
 
Tokë e shenjtë, tok’shqiptare, bij e nënës sonë Shqipëri
Tokë që trima dhe bujarë t’kan shërbyer me dashuri,
Tokë e vyer, tok’e çmuar, shumë pagove për lirinë,
Dete gjaku papërtharë, ende ti i mban mbi shpinë.
Gjak i kuq, gjak martiri, gjak qe leu çdo shtëpi
Gjak që trimat-ë sëbashku, kanë dhuruar për Lirinë
 
Dje të kan prit si nuse, teksa hyn në shpi të re
Vallja, kënga nuk asht ndal, derisa hëna prapa u fsheh
Zemrat trime, zemra’ dashurat, fort gëzuan për këtë ditë
Zemrat që ishin të plasura, ngjizjen prapë ua dhe ti
Liridashur, liriëmbël, oh e shtrenjta ti, liri;
Pjalmin tënd die shijuan, pjalm lirie u dhe ti
 
Oshëtiu I gjith vëndi, botës çark I shkoi ai(zëri)
Lajmin dha në çdo shtëpizë, se e lirë do ishe ti
Edhe nifmat edhe zanat, seç u zgjuan përsëri
Me gëzim, me këng e valle, të kanë prit në këtë dit’
Tok me shqipet anembanë, festuan deri n’agim
Pas të parës vese ikën, për të ardhur përsëri..
 
Tok e shenjtë, tok’shqiptare, bij e nënës sonë Shqipëri
Sa lezet të ka kurora, kjo kurorë e LIRISE
Tok që rrite bijë trima, me gji zane I ke rrit
Tok që kurrë s’të braktisën, se e ëmbël ishe ti
Tok bujare sot shpagove, dhimbjen e gjith rrobërisë
Të gëzuar, lumturuar, të pafsha tani gjithnji...
 
18 Shkurt 2008
 
 
 
 
 
 
 
 
Agim GASHI - Drenica
 
ME FAT PAVARESIA
 
Themelet e tuaja Kosove
- te lara me gjak ,
nga trimat qe mbrojten
- nder dhe prag .
 
Muret tuaja Kosove
- bijet me te mire ,
te flijuar nder shekuj
- qe te jesh e lire .
 
Qatija jote Kosove
- gjenerata e re ,
lakmi ta ka bota
per rinine qe ke .
 
E shendritshme Kosove
- per ty ardhmeria ,
me fat,me fat,me fat
Kosove Pavaresia !
 
 
 
 
 
 
 
 
Lori XHAFERI
 
PËR TY KOSOVË
 
Kosovë moj nëna ime një libër shkruar me gjak,
ku pleq e fëmij’ duruan kryelart’ prangat e robëris’,
ku për lirinë rinia priti e ëndërroi derisa u plak.
Ti botën ngrite n’ këmb’ për shpalljen e pavarësis’
 
Bijt’ e tu shqiponja Ibrahim Rugova e Adem Jashar
Kosova djepi që rriti veç trimat që luftuan për aty
vendi ku liria ësht’ perëndi e nuk këmbehet me ar
Kosov’ me njëmij’ plag’ me lotin që të mbeti në sy.
 
Kosov’ moj nëna ime me djemt’ e tu si stuhi
gjakun derdhën që përjetësisht t’ jetojn’ tek ti
që ti të jetosh e lir’, krenare dhe veç n’ pavarësi
un’ vdes,ringjallem e për ty flijohem përsëri.
 
Kosov’ ti një cop’ qiell t’ kaltër sot mban si flamur
dhe yjet e Bashkimit Evropian te rrethojne si mur
ti lufton, ndalesh,qesh,qan e nuk dorezohesh kurr’
Kosov' o nëna ime,e pavarur sot ke një tjetër nur.
 
 
 
 
 
 
 
 
Neki BABAMUSTA
 
KOSOVË,O VATËR STËRGJYSHORE
 
Kosovë e shenjtë, o Dardani,
ndër brezni,
me besnikëri e trimëri,
ke qit pushkë për liri.
 
Me kapedanë të dheut arbëror
me Ded Gjon Lulin, Idriz Seferin,
Isa Buletin, Azem e Shote Galica
i ke thënë jo robërisë,
s’je nënshtrue Serbisë.
 
Gjithmonë mbi pushtues fitimtare,
para botës qëndron krenare.
Janë stërnipët e Skënderbeut,
të kalitur me forcën e Anteut.
 
Në Londër Europa ne na cungoi,
prandaj sot ajo t’mos vonojë,
të drejtat njerëzore të plotësojë,
për pavarësi siç dëshirojmë.
 
Serbët, zjarrvënës shovinista,
Pjell e sëkeqes, bolshevista.
Ndal, dorës gjakatare!
Krimeve makabre!
Jo, luftës në Kosovë!
Kosova do fitojë.
 
Prandaj vëllezër:
Një komb të bashkuar,
Rreth të shejtit flamur arbëror!
Ma bën thirrje Nëna Kosovë!
Për të emblën gjuhë prindërore,
për trojet tona stërgjyshore.
Kurrë, Kurrë më,
s’do na e falë Historia,
Ç’menduri!
Nën pushtetin gjakësor,
Të krajlëve nga Serbia!
 
 
 
 
 
 
 
 
Sabit ZENELI
 
SECILI DËSHMORË ËSHTË NJË COPË DIELLI
 
Këmishë te re me shqiponjë
Sot ka veshë Iliria
Ulqini
Tetova
Vlora
Presheva
Çamëria
Kosova dhe e tërë Shqipëria
 
Edhe Theranda e Besiana
Dy motra te një nane
Festojnë e festojnë
Besim Ndrecen e madhë
E vëllain e tijë Zahir Pajaziti
Me shekuj dhe epoka
Kurrë nuk do ti harrojnë
 
Secili dëshmor është një copë
Dielli që bënë dritë
Edhe në Kumanovë
Shkodër e Mirëditë
Therandë e Gjilanë
Drenicë e Llap
 
Kurrë Kosova nuk ka qënë
Më e lumtur se sotë
Nuk do të lagët më kurrë
Me gjak e me lotë
 
Te lumtura janë edhe
Vargjet e mia
Të përqafuara nga
Pavarësia,
Pavarësia
 
(Çmimi i tret në konkursin letrar "Pavarësia 2010")
 
 
 
 
 
 
 
Jorgo S. TELO
 
KUR SHKON HAKA TEK I ZOTI…!
 
Dhe ja, më në fund bekim dha Drejtësia:
Dhe pse me vonesë… më mirë von’ se kurrë.
Buzëqesh Kosova, ngërdheshet Serbia;
Dhe flatron Shqiponja krenare mbi flamur.
 
Flatron e hareshme mbi trojet kombëtare
Ëndërruar ndër shekuj… etshëm mot pas moti…
Tash haka iu dha çështjes Kosovare;
Gëzon Shqipëria me flamur kastrioti.
 
Të ligjshme – Pavarësinë, e lumja Kosovë;
Ecjen mos e step, dhe vrapo lirisht!
Tok, si një familje të rendim dorë për dorë;
Dhe këngët e vallet t’i ndezim shqiptarisht.
 
Këndo, Pagarusha, mos resht, o Agim Gashi!
Kushtrim zeri juaj … më fort të buçasë…
Hasmët gjithandej të heshtin, të pëlcasin.
Bilbilat, kanarinat me ju të mblidhen bashkë.
 
U krye sot Kosova dhe me Drejtësi
E mendjes t’i thrrasin qeverit’ e vonuara.
T’njihet sa më shpejt kjo Pavarësi;
Boll më në pritje me t’drejta të mohuara…
 
Të bekoi Drejtësia, në korrik, moj Kosovë
Detyrat që t’përkasin tani zgjidhi shtruar…!
E paqen e brendshme vet’ merre në dorë
Ngadhnjyese t’jesh përherë lart duke flatruar.
 
 
 
 
 
 
 
Kujtim STOJKU
 
BILBILAVE TË KOSOVËS.
 
Ju lindët në vitet e errësirës
E tash shikoni para me shpresë
Ju fëmijët e Kosovës n’vitet e frikës
I kujtoni tash këto net plot terr.
 
Dhe këto vite të rënda robërie
Plot dhëmbje ju sollën hir
Lufta dhe flakët e zjarrit për liri
Si pishtar sot ju ndrin në fytyrë.
 
Ju pamëshirë ju goditën për vdekje
Kosovën deshën ta kthenin në shkreti
Kuçedra e frikshme si në përralla
Donte t’ju mbante në skllavëri.
 
Por gjaku juaj i njomë Kosovën vaditi
Duke rënë për të mbitë përsëri
Dhe sot dëgjojmë cicërimat tuaj gazmor
Ku lozni dhe qeshni, këndoni në Liri.
 
 
 
 
 
EKSPOZITA E GJAKUT.
 
Ku po shkojmë babi,më tha një ditë im bir’
Do të shohim thashë më të bukurën ekspozitë
Ekspozitë me shpirt, dhe erë gjaku Kosove
Në Dardaninë e lashtë,bekuar prej perëndisë.
 
Atje në Kosovë është hapur kjo ekspozitë
Ekspozitë e veçantë e nderit dhe lavdisë
Ekspozita e kësulës bardhë, dhe burrërisë
Aty ku ekspozohet gjaku i kuq, aroma e lirisë.
 
Dhe ne djal’,thithim këtë aromë të rëndë gjaku
Që vaditi tokën e lashtë të heronjëve
Ja,pikërisht mu aty ka mbirë zambaku
Për të zbutur dhëmbjet e rënda shekullore.
 
Ska shumë kohë,këtu edhe gurët s’merrnin frym’
Se shkileshin nga çizmja e huaj e barbarit
Buzëqeshja u kishte ngrirë në buzë
Dhe zemrat në kraharor,gati sa su plasnin.
 
Mirpo dielli u buzqeshte se liria do të vinte
Dhe ata sot me njëri tjetrin,përqafohen me mall
Bilbilat këndojnë mbi kokat e fëmijëve
Yjet nga qielli n’Kosovë kan’zbrit,ndrisin si flakadan
 
Jeta tani marshon gëzueshëm nën flamurin e kuq
Sepse kjo tokë e shenjtë atyre u përkiste
Prandaj dhe nata e zezë në gjunjë u përkul
Dhe sot kjo tokë, rrezaton dritë lirie.
 
Dhe kjo tokë sot ka hapur gjoksin e saj
Ku na përsërit amanetin e heronjëve
Mos harroni gjakun që derdhëm dhe ramë
Nën flamurin e kuq,me shqiponjën dy krenore.
 
E tash,qielli,yjet,hëna dielli të përshëndesin
E gjithçka mbi tokë me nderim të falet
Karafilat e kuq gjithnjë do të çelin
Është amaneti i heronjëve, për ty Kosovë krenare.
 
 
 
 
 
 
 
Besnik CECI
 
NËNË KOSOVËS
 
Jam biri yt ,me shpirt kosovari!
 
Nene Kosove,mos je ne hall,
Nga kjo zhurme,neper bote?!
Ket' zambak te Pavaresise,
Kush guxon ,t'a preki sot?!
 
Le t'a prekin po ua mbajti!
E ne prape,do ja bejme fora,
Se lahuten e plot dyfekun
Nuk l'shojme kurre nga dora.
 
Po te preken nje fije floku,
T'a marre vesh e ter' bota,
Jemi gjalle ne bijte e tu,
Zjarr do marre ter' Evropa!
 
Ti s'na ke vetm ne,
Bijte e tu,djem e cika,
Ke dhe dy miq te fuqishem,
Jane Anglia e Amerika.
 
Nene Kosove ,ti ece perpara,
Mos shiko zagar't nga mbrapa,
Kur na shohin te bashkuar,
I merr frika,i merr data.
 
Nene Kosove,qendro krenare!
Historine me gjak e shkruam,
Qindra vjet,brez pas brezi,
Nderin tend e lartesuam.
 
Nene Kosove, jam biri yt,
Dhe kam shpirt kosovari.
Gjakun tim s'e tradhetoj,
Se kam gjak shqipetari.
 
4 Gusht 2010
 
 
 
 
 
 
 
 
Sabit ABDYLI
 
NËNTORI I TRETË
 
Eja Nëntor
eja!
Shtruar ta kem
rrugën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
 
Auckland, 2007
 
 
 
 
 
KOSOVË
 
Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr...
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën...
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit...
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
 
Auckland, 2006
 
 
 
 
 
 
RREZON SHTET KOSOVA
 
Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon
 
Jehonë e valës detit
Oshëtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
 
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth Kosovë!
 
Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!
 
Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
 
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova ime e bardhë !
 
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
 
Rrezon shtet Kosova.
Buza më buzëqesh.
Lirinë tënde të pritur.
Ta puth nënë Kosovë!
 
Auckland,shkurt 2008
 
 
 
 
 
 
 
Afrim ASLLANI
 
ÇOHU LOKE,
SHKO E SHIHE
KOSOVËN NUSE
 
Çohu Loke e shko në qendër të Kosovës
Çohu, shko e shihe Kosovën nuse
E veshur me petkun e bardhë
Me petkun e festës
Me petkun e gëzimit
Me petkun e bijve t’saj.
Çohu Loke shko edhe pse e lodhur
Çohu, shko e shih bijtë tuaj si festojnë
Aty i gjen të gjithë
Edhe dëshmorët në mesin e tyre
Në dasmën e madhe të Pavarësisë
Sepse Ata e sollën me gjakun e tyre
Sot i gjen aty
Janë në mesin e t’gjithëve që festojnë
E na shikojnë drejt në sy
E na flasin me gojë.
 
Hej, ju populli i Kosovës
Festoni, gëzohuni me miqtë tuaj
Mbaj afër sepse ata janë gëzimi
Se ne e sollëm këtë
E ju s’bashku ecni para
Në rrugën e gjatë
Që me e shekuj e trasuam
Pavarësi, Pavarësi
Andaj festo
Me këngë e valle
Se kësaj me një emër
Gëzim e dasmë e madhe i thonë.
 
(Nga libri "Dhuratë për njerëzinë")
 
 
 
 
 
 
 
 
Demir RESHITI
 
MË FAL KOSOVË
 
Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës
E shkova ta pres pranverën ndër male
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë
Që ujkun e zi ta godas në ballë
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi
Ikën ditët netët, kohet vanë
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën
Ç’nuk bëra për ty Kosovë
Detit ia vodha thellësitë e pafund
Kur fushës vinte vdekja
E lumit rridhte gjaku
Kur korbat nxinin qiellin
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës
Më fal Kosovë
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty
 
 
 
 
 
 
 
 
Shaban CAKOLLI
 
HIJE TË KA PETKU I RI KOSOVË
 
Veshë Kosova në petk të bardhë
po shëndritë si argjend ear
në këtë shënim jubilar
i madh e i vogël këtu janë ardhë.
 
Me muzikë,kostum kombëtar
shkëlqejnë çupat si burbuqe
këndojnë këngë e hedhin valle
naështë bërë Kosova nuse.
T´qoftë me fat mori Kosovë
mos ke dert se nuk është vonë
vish jelekun me shqiponjë
këtë simbol krushqit kërkojnë.
 
Fort po ndritë nusja në shesh
me krushqërinë e UÇK-së
hidhu në valle e buzëqesh
gëzim të madh solle mes nesh.
 
Dasma jote nëpër mote
do të jetë kurorë nusërishë
një ndër dasmat kuptimplote
me krushqërinë e lavdërisë
 
Me kostume të kuqe
në mes me shqiponja
datën tënde të nusërisë
ta shënojmë me shkronja të arta
Në FAQET E HISTORISË
 
 
 
 
 
 
 
Mentor THAÇI
 
KAM EMRIN TIM!
 
Hashtave e Rrashtave, Dardani!
Përditshmëri e vetme antike.
Fçiun më të afërt,
gjashtë javë kalërim e trokëllimë!
Nga Orienti në Oksident,
një Botë e tërë në vete.
Gjuhë të panjohur, s´të zinte veshi,
e vetme Pellazgishtja e ilirizuar,
edhe atëhere kur bota matej
me lindje e përëndim Dielli,
nga gjashtëcepëshi i Yllit Hyjor!
Majekrahçe, a majëgjuhe,
Zot në Qiellë e Zot në Tokë!
Më të lashtë, nuk njihnim,
se, djalli akoma,
nga verdikti bythëprapë
i jonjerëzores, nuk pat dalë!
E, ne atëhere,
ne, prap ahera,
gjithnjë prap tevona,
akoma, sot e n´mot!
T´kurrjet, ah, tri dredhë në rruzë,
deri te hashtë e asht në atakim,
dhe, hiçzë nga gjuhë e panjohur,
p´veç Pellazgjikes së ilirizuar,
që dikush (jo)rastësisht, Shqip i tha!
Dhe, Zotiynë nuk u hidhërua, jo!
Nuk ndërroi as gjuhë e as emër,
me pak g´dhendje e lëmim,
prapë se prapë,
Hashtë e Rrashtë, këtu se këtu!
Verdikti Kanonik, i vulosur në gjak,
s´ka djalë nëne,
që ia luan jehun!
Ag në prag,
dhe, err e ag,
Dardani se Dardani!
 
Villingen-Schwenningen, 24-25.07.2010
 
 
 
GËZUAR!
 
K oha ecë nëpër teh shpate!
O rientit të oksidentuar, tashmë,
S provë pas sprove, si n´fillim,
O rgjitë e djallit, në veshët e stërshurdhur!
V et-vetes, si askush i ngjajmë,
Ë shtë, çështje kohe, nderi e t´merri!
 
D yerve të kancelarive misterioze, onomatope kërkesash,
A skush më mirë të 12 Apostujt se ne s´i priti,
R rugë tjetër Bota s´njihte! Qebesa, as sot!
D ardani, fund e krye! Pse heshtin kur s´duhet?!
A priori! Fantazmat shkunden, bien përdhe!
N deri, ka vendin e vet, aty ku tha Ynëzot.
E mri im, mijëvjeçarët, s´arrinë t´i mbaj në mend!
!!! Hm! Kush njeh veten më gjatë se ne?!
 
Villingen-Schwenningen, 25-26.07.2010
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Besnik KËRLUKU
 
QËNDRESA
 
Lumja ti Kosovë, bota të ka zili
në gjemime, pushkatime, varre e stërmundime
kurrë s’u plogshtove, s’u gjunjëzove
flamur mbete kombit lavdin ia rrite
 
Ti je Lokja famëmadhe e sofrës bujare
kështjellë e pamposhtur e kohërave
zjarreve të kurdoherë në ballë u dole
trima rrite, po edhe sot faqe historie shkrove
 
Unë pika e gjakut të nëndë maleve
u gjënjëzova pranë vatrës me shumë halle
e ngrej grushtin lart për një përshëndetje
liri a vdekje për Loken e shqotave
 
T’u këndojmë Loke trimave që rrin në këmbë
shtati i tyre sterall shkëmbi, Tomori në zemër i mban
lahutari s’pranë, këndon për trimat në kuvend
burra me nam, sot fjalën në gojë mbajnë.
 
I mençur thonë Loke ai që bën trimëri
që në rritë dhe në mbrotje bëhet fli
mburje prore edhe në histori
lart flamurin e kombit e cove, bota të ka zili.
 
 
 
 
 
Arsim HALILI
 
PAVARËSIA
 
I shtriu krahët
Shqiponja dykrenare
Nënqiellit tonë
Të gjakosur me shekuj
 
Të rënët pyesin
Ç’është ky gëzim!?
 
Me shekuj pritjeje
Fryu erë lirie
Festë e madhe
Festë pavarësie
 
 
 
 
 
 
 
Fara PALLQA
 
KOSOVA
 
Si njeriu kembe zbathur
leckosur, pa shenja jete,
ishte kjo enderr, nje shekull zgjatur
por cdo zemer e barti ne vete.
 
Ish zjarre me hi mbuluar
ndonje shkendije merrte vrull,
shpirt trup tortuar
por zjarri su shua kurre.
 
Nje dite zjarri shpertheu
u derdhe edhe gjak femie,
por rrugen akmikut ja theu
tani fryne ere lirie.
 
Eshte rikethim te burimi
shohim veten ne gjendje normale,
mbi koke qielli eshte i yni
eshte ndjenje fenomenale.
 
28 7 2010
 
 
 
 
 
 
 
Fatmir MUSAI
 
SHENJTI I KOSOVES
 
Kur shkrepetin baba Tomorri,
Gjithnje ju thoni: "Bace, u kry!",
Si t'i drejtoheshit nje shenjtori
Qe s'duket kund, po eshte aty!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Kujtim MORINA
 
Fushё-Kosovё
 
Fluturojnё mёllenjat mbi fushёn e Kosovёs
A thua, ç’mesazhe sjellin nga vise tjera tё Balkanit
 
Krrokatin mёllenjat tё egra, tё buta
nё qiellin ngarkuar me re tё ulta
 
Pemё e vetmuar nё mes tё fushёs
shtrij krahёt e mbuloji zogjtё e trumbёs
 
 
 
 
 
 
 
Lefteri E. JANUSHAJ
 
Dy poezi per Kosovën
 
MOS BJER NË GRACKË KOSOVË
 
Ngirju mbi dhimbjen Kosovë
sado që je gjakosur rrëndë
Lirin me mund e fitove
ruaje si gjënë më të shtrenjtë
 
Hijenat të vijnë vërdallë
të të hedhin prapë vellon e zisë
e di se për të rënët ke mall
kujdes ruaj rrugën e lirisë!
 
 
 
 
UDHËTIM BIBLIK
 
Mos nise udhëtim Biblik Kosovë?
se duan të të ç'kulin rrënjët
të ngulur thell prej të parëve
vaditur me gjakun e Jasharve
 
Me dhimbje po ta ndjek udhëtimin
këtu strukur në një qoshe
jam plak e s'të vij dot në ndihmë
Trimëresh Krenare e Pashoqe
 
E kam për nder të jem motra jote
sado që përpiqen të të njollosin
të ndjek e pikëlluar me pikë loti
se na e ndan mizorisht këtë vend
 
Të leht e paç rrugën e mundimit
se do lesh djem e vajza nëpër të
po do ngrihen lapidaret
dhe shkjau s'do guxoj më
 
Jam plak dhe e sëmur Kosovë
dhe me dhimbje të ndjek nga kjo skut
po kam vdekur dhe ti fitove
prekëm gurin e varrit kur të vish këtu
 
Amanet ua kam lën edhe nipërve
mbi varr te shqiptojn 'Fitoi Kosova'
se dhunshëm na coptuan ndër vite
e s'na lanë të shijonim trojet tona
________
Autore-Lefteri E. Janushaj
Keto vjersha per Kosovën
tezja ime i ka shkruar g
jatë kohës mbas luftës
Shpresoj tu pelqejne
Aulona Capaj
 
 
 
 
 
 
 
 
Gëzim HALILI
 
MOJ KOSOVË DARDANE
 
Moj Kosovë
Kosovë dardane
fushe e madhe
male ke ne ane.
 
Moj Kosovë
Kosovë Ilire
halle madhe
zemër mire.
 
Moj Kosovë
me gjak larë,
e rraskapitur
por kurrë vrare.
 
Rraskapitur
por e vrarë kurrë
të ranë djemtë
për flamur.
 
Për flamur
duke luftuar
gjuhën shqipe
me e mbruar.
 
N’shekuj dergjur,
kaq shume prite
Pavarësisë
ia arrite...!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Jeton VELIU
 
KKOSOVË
 
Sot po shkruja për ty,
me gezim e mallëngjim,
sepse më s`na duhet te lëngojmë,
ne sot lirinë gezojmë.
 
Kosovë, edhe pse dikure,
ishe nën pranga e mbërthyer fort,
ndersa styte te pikonin lot,
prap ishe bukur,
po sikur je dhe sot.
 
Kosova jonë ti kurrë s`ke vdekur,
por sot ndjehesh më e gjallë,
më e lumëtur,
më gazmore,
më e forte se kurrë.
 
Kosvoë ne gjithmonë u gjendem bashkë,
edhe sot jemi ashtu,
edhe neser do te jemi,
do te jemi përherë
s`do te ndahemi kurrë.
 
Kosovë në të kaluaren perjetuam shumëcka,
por asgje s`mundi te na ndale e as t`na perdhose,
ishim te forte, shume te forte,
sepse ishim bashke.... dhe kështu do te jemi gjithmonë,
Kosovë.
 
 
 
 
 
 
Delvina KËRLUKU
 
ADEM JASHARIT
 
Kosova më thiri në tryezë
në gosti
E ngrej dollinë lartë e kërcej
valle
Dhe kur zbras kupën plot me
verë
Unë – Rinia, daullja dhe trumbeta
po bërtasim për trimërinë e tij
Adem Jashari
 
 
 
 
 
 
 
Zhaneta OGRANAJA
 
DUKE KËNDUAR PËR KOSOVËN
 
Bacalok, të shenjtin takim mos e harro
Për të ngrihet kjo këngë e mrekulluar
Ty edhe Kosovën jam duke u soditur me sytë e shpirtit sonte, beso!
Me kujtesën që kurrë s’ka për të të shuar....!
 
Ja sot, nga Tirana Prishtinë
Zërin tim me eterin po ta sjell
Për ju Bacalok e bëra poezinë
Diçka mallëngjenjëse të të ndjell.
 
Ti sikur me gjithë Kosovën, Tiranë, ca ditë më ke shoqëruar
Ndaj me ty nuk isha e vetme në vetminë time
Ato ditë, jo, kurrë s’kam për t’i harruar
Ndërmend spitalin, fitoren, besën, djalin,
më sjellin gjithë familjen tuaj, ato takime-gëzime.
 
Vërtetë Bacalok, disa vite kanë kaluar
Por dëlirësia e takimit ende më frymëzon
Dikur unë, sikur me gjithë Shqipërinë Kosovën Tiranë,
ca ditë kam shoqëruar
Përmbi poezinë ti si dielli ndriçon.
 
Duke kënduar për ty, për Kosovën jam duke kënduar
Ju ma ndizni zemrën flak e zjarr
Gjersa shoh atje gjithë qiellin shqiptar të kulluar
Dhe Kosovën e pavarur, republikë e një populli krenar
 
Psherëtij sepse të vij Prishtinë dua
Po pa shpresa mbeti kjo dëshirë
Çuditërisht ky rast s’po vjen për mua
Mosha po më shkon pa parë skaj më skaj atë bukuri në atë hapësirë
 
Sa gëzim është sot për mua
Kur gaz e hare Kosova tonë, guxim pavarësinë si flamur triumfi ka.
Gjithë fantazitë, tërë kujtimet e liga t’i harrojmë dua
Të mbështetemi tek shtrati i Kosovës vetë, pa e lënë as ca...
 
Hapni sytë larg saj, kurbeteve refugjatë s’ka se pse, mos shkoni më
Vetë Kosova është shpresë e madhe për përdjellim
Sepse braktisja, mërgata nuk u sjell asgjë
Shikoni, Kosova është e pasur me bukuri e pasuri përrallore në këtë rrëzëllim!
 
Bacalok, bajamet, manushaqet çelën, pranverën sollën ato
Pranvera dritë të derdhë në marrëdhënie me gjitonët, me çdo një
Mbretër kosovarët sot, nëpër Kosovën e pavarur i shoh
Bëni përpara e lart në unitetin me diversitet se s’u mungon asgjë.
 
Bacalok, të shenjtin takim mos e harro
Për ju ngrihet kjo këngë e mrekulluar
Pavarësisht nga divorci im, ai, tek fëmijët e mi, tek çdo kosovar
unë Kosovën madhështore shoh,
Me dashurinë që kurrë s’ka për t’u shuar.
 
 
 
 
 
 
 
Fatime AHMETI
 
LINDJA E RE
 
Kushtuar Pavarësisë së Kosovës
 
Lindi në mes Europës
Foshnjë bukur,nënës shqipëtare
Rrugë të gjatë shekullore
Përshkoi me shumë mundime
Dhëmbje.plagë,tmerre shijoi
Shumë mami ndihëmuan lindjen
Në qiell ndritë shkëndinja
Kur driten ajo shijoi
 
Foshnjë e bukur mes Ballkanit
Stolisur me shkronja ari
Me gjk u shkrua emri i saj
Edhe Hyji bëri nçudira
Për lindjen e rriten e saj
U pagëzua nga shumë Nuna
Dhëmbëja shekullore u kurorëzua.
 
 
 
 
 
 
 
Medije VRANIQI
 
LARGIMI...
 
Nga ty u largova Kosova ime me dhimbje si çdo bijë
Lash pragut tënd kujtime dhe dashuritë mbi dashuri
E ika larg sa larg moj loke shkova
Me ty në sy fjeta dhe u zgjova
Sot ma gëzofsh Pavarësinë
Që bijtë trima ta kanë dhuruar
Me gjakun e tyre ty t’u bënë fli
Si motër këtë varg ia kam dedikuar
E solla shpirtin dikur mbi lotin tënd
Kur dhimbja të kish trupin kafshuar
E sot, gëzoj për Ty loke Kosovë
Ma gëzofsh përsëri Pavarësinë shekuj të merituar.
 
 
 
 
 
 
 
 
Esat LOSHAJ
 
PAVARËSIA
 
(Në tri kohë)
 
pavaresia
as dje as sot as neser
ne tri kohe
sa pavaresia
zemrat nuk na ngrohe
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
vete jeta eshte kjo
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
e bukura nuse o
as dje as sot as neser
ne tri kohe
pavaresia
shqiponje fluturo
 
 
 
 
 
 
Agim GASHI
 
DITA E PAVARËSISË
 
Moj Kosovë me qiell të kaltër
Moj Kosovë moj zemërpastër,
Sot po zbardhë e lumja ditë
Ajo ditë që e ke pritë.
 
Pritën fushat, pritën malet,
Priti kanga qe tash s´nalet,
Priti diellin e lirisë
Me i l’shu rreze pamvarsisë.
 
Sot Kosova ka festë t´madhe
Tanë nji popull ashtë hedhë n´valle,
Gzohet bjeshka, gzohet vrrija,
Gzohet plaku, gzohet fëmija.
 
Jehon kanga n´kupë të qiellit
Tej ku del rrezja e diellit,
Në Kosovën e trimnisë
Ndriçon diell i pamvarsisë.
 
N´Kaçanik e n´Lug të Drinit,
Ku ndrin ari n’brigje t’Ibrit,
N´Boletin ku u rrit Isa –
E nis kangën Mitrovica.
 
Këndohet n´Shalë e n´Karadak,
Në Drenicë, n´Llap e Gollak,
Si në Pejë, Shkodër, Gjakovë,
Prej Tetove tej n´ Rugovë.
 
Këndon Prishtina dhe Tirana
Qeshin nuset, këndojnë nanat,
Këndohet n´Has e në Podrime
Gjithashtu n´Llapushën trime.
 
Që nga Kruja deri n’ Vlorë
Anë e kand në diasporë,
Zemërplot si rrezja e dritës
Këndojnë ambël bijtë e shqipes.
 
Që nga Sharri në Shëngjin
Festë të madhe ka vendi im,
Sot feston Kosova trime
Këndon shpirti zemra ime.
 
Këtë dhuratë nga diaspora
Ta dërgoj Ty lumë Kosva,
Me zemën time të bame varr´
Biri yt unë kurbetqar!
 
 
 
 
 
 
Ismail S. REXHEPI
 
KOSOVA ËSHTË E JONA
Kemi nanën që na lindi
kemi librin që na mësoi
kemë Kosovën heroike,
Kombin tonë që lartësoj.
Jemi të gjithë Dëshmitarë
shkruar me dorë krenare
që ti kosovë e jona,
t`jeshë përher shqiptare.
Gjuhën tonë e kemë të parëve
n’jat flamurë që flakron kuqë
historinë e kemë latue
ngjakë të derdhun që s’shkon huq.
Rreth flamurit jem’ betue
at’ besë t’madhe e kemi dhanë
t’gjitha tokat me i bashkue
t’parët ne, kah naj kanë lanë…
Tjetër kangë ska me u këndue
në kto troje që i dona
shqip tër bota ka me shkrue
se Kosova është e jona…
 
 
 
Përgatiti: Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen