Freitag, 6. Juli 2012
Grigor Jovani: DASHURITE E MIA
BOTA
Kam parë kaq shumë
dhe kam dëgjuar.
Besova ca,
më të shumtat fare.
Kur do të jem për të ikur,
kam për t’ia lëshuar:
“Botë, moj gënjeshtare!”
KUJTIMET E NJE JETE
Kohët e fundit nuk kam fare kohë.
Kam thirrur nën armë të gjitha kujtimet,
siç fton për luftë rezervistët flamuri.
Me të marrë ftesën, u gjendën prezent
dhe ato të largëtat,
që dezertuan nga truri.
Ngaqë duhet të ngrej një ushtri nga e para,
nuk kam fare kohë,
kaq netë kam pa fjetur.
Kujtimet erdhën dhe u mblodhën kaq shumë,
sa nuk mjaftojnë kapanonet e mbetur.
ENDRRA TE DEHURA
Më bënë një ditë në rrugë alkotest.
- Fryj këtu! – m’u hakërryen si bisha.
Ngaqë më panë të shqetësuar shumë,
kontrolluan dhe bagazhet që kisha...
Tek ikja, qeshja me vete gjithë rrugës.
Me Elvis Prislin këndoja rrok en rroll.
Policët nuk panë ëndrrat e mia të dehura,
me marihuanë dhe heroinë boll.
GABIMI
E quajnë të shëmtuar. Por nuk është.
Ndjek gjithmonë taktikë të gabuar.
Ngaqë preferon të gjendet me të bukurat,
ajo, mesatarja, ngjan e shëmtuar.
FYERJA E POEZISE
Fitoi shumë: dekorata dhe çmime.
Një komb i tërë e nderonte si mbret.
Erdhi një kohë, kur i mohoi të gjitha.
Donte të mbetej vetëm Poet.
Koha kaloi. Veç në shtëpinë e vjetër,
Poezia gjer dje nuk qe kthyer...
Ishte fyer.
KUSH DO TA MENDONTE...
Kur bëhej gati për të dalë babai,
nëna e pyeste, kur do të kthehej.
Tërbohej nga inati. Ca më shumë,
kur e priste vonë,
ngaqë dehej.
Tani nëna nuk rron më. Babain
nuk e pyet kush, se kur do të kthehet.
Nuk i thotë kush: pse u vonove?
Dhe ai tërbohet.
Më shumë dehet.
Kush do ta mendonte, se do qante!
Të ishte gjallë Ajo. Dhe le ta shante...
PRIJESI
- Atë zgjodhën prijës? S’gjetën tjetër?
Ai është dhe qorr! Do të pendohen...
- Preferon prijësat sy shëtitës?
Ata shohin rrotull dhe vonohen!
KRIMET QE KISH FSHEHUR
E dëgjoi dënimin krejt i qetë.
Veç pastaj, i vetëm në qeli,
fshehu fytyrën në pëllëmbë
dhe shkriu...
Ishte i drejtë dënimi. E pranoi.
Shkaku i ngashërimit qe gjetiu.
Se dakort, gaboi dhe e pagoi.
Për çdo krim ka një dënim përkatës...
Por mendonte krimet që kish fshehur,
për ato s’u deklarua vrasës.
Nuk zhbiroi për to asnjë hetues,
asnjë prokuror nuk shkundi ligjet.
Ndaj tani i rrihnin tëmthat fort,
pandërprerë, si deti shqelmon brigjet.
Si t’i fshihte krimet, që kish fshehur?!
Një mijë herë të shpallej i pandehur...
ASNJEHERE
U gdhiva sot,
duke lexuar zemrën time.
Pas pak jap provim. Afron ora...
Kaq herë e dhashë.
Asnjëherë s’e mora.
DASHURITE E MIA
Dashuritë e mia qenë të pakta.
Dhe të shkurtëra. Veç më lodhën gjatë.
Ngaqë mbajta kohë brenda meje,
tërë atë trishtim që sjellin gratë.
Them t’i zboj dikur nga vetja ime.
Por nuk ikin. Bashkë do vdesim, thonë.
Dhe t’iu them të drejtën, edhe unë
këtë dua. Ndonëse më rëndojnë...
HOLLESI E HARRUAR
Gjithë jetën
kishte vetëm një qëllim:
të mblidhte, të mblidhte...
Tani në fund, kur mblodhi kaq,
sa s’mund t’i numërojë,
u kujtua:
Kush do t’ia trashëgojë?!
ASNJE
Botova nëpër libra dhe gazeta.
Më dhanë edhe çmime. Befas krejt,
emrin tim në antologjira ndesha.
Kësisoj, më quajtën poet,
desha nuk desha...
Veç nuk pa asnjë gjithë këto vjet,
tërë atë trishtim
në këto vjersha.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen