Montag, 27. Oktober 2014

Naim Fetaj - Shtatë poezi


TUJ KERKUE ESHTRA

( Për te zhdukurit-si këngë vaji )

Varre krejt na u bënë
Ato ara e vreshta...
Tuj kerkue eshtra...

Mbi ne ...zgerdhihet vjeshta

E askund s'ju gjejmë
Rrallë ndër këngë a vjersha
Pak më keq se ju

Po na vret dhe heshtja...

2.
Të këputura... nënat
I japin gji dhe malit
Veç hatri i djalit

I ruajnë dhe sytë e ballit

(More le t'këndon aty edhe ai zogu i zi
Veç varrin nëna...diku ta di
Ohiiiii......iiiiiiiiii....)

3.
Me dhemb shpirtin
Pleqtë tue ndalë
Permbi ata eshtra

Me i lanë dy lotë t'valë

Zi ...sikur gurëvarri
Myky i bani nuset
Malli për ju ...i shterroi krejt puset

E motrës as Drini ...nuk ia shpëlanë buzët

Ai gjogu i Doruntinës
Gjëmë i mbushi rrugët

Krejt terrinë e vrugët...

( Dhe vëllau kur po e thërret vëllanë
As bjeshkët ...s'po e mbajnë hatanë
Ohhiiiii.....iiiiiii....moj nanë...)

4.
Veç vajin e fëmijëve
Po e endin bilbilat
Të mos fiken kandilat

Vesa e zemres...kur t'i lagë fitilat...

(Hornberg,18.10.2014 )



E RUAJTA TRIDHJETË VJETË

( Për Jusuf Gërvallën )

Si korb i zi
Lajmi atëbotë erdhi

...As fjalë...as vajë
Në buzët tona të thata

Ec...e shko në ligjerata

Njëqind orë ish dita
Dyqind orë ish nata

2.
Shikonim njëri tjetrin
Nganjëherë
E pshtynim vrerë

E askund
As ifff ...as ufff

Veç një zog atëbotë
Qante... edhe për ne

Guggu-Isuf...Guggu- Isuf




PUTHJA E PARË

...Dhe vie një ditë dhe zbresim në një degë
Si zogj të lodhur nga një stuhi
E shprushim shpirtin...Dashuri e parë na djegë
Si një zhishkë e fortë  që siper zjarrit rri

...Dhe ndizen kujtimet pastaj si eshka
E largët...e largët n´terrinë si një fanar
Mallëngjyese e bukur dhe e rendë sa bjeshka
Qarën kund s´na lënë ...Ah ...Puthja e parë...

Skuqemi e zbehemi prapë... tinezisht
...Dhe buzët sërish flakë na qesin
S´guxojmë te tregojmë ku ndodhi e si
Me atë zhishkë në sy ... dhe do të vdesim




SKICË PËR AUTOPORTRET

Këngët...djalërinë
I lashe në Prishtinë
...Dhe dashurinë

Rininë...
Tanket m'a grinë

Tash rrugëve të botës...
Endi pleqërinë
...veq me Perëndinë

Gjëma e fisit tim...
Krejt lutjet ...m'i nxinë
 



KËNGË PËR SALI SYLEN

Kënga të vrau
A të vranë pse këndove

...Zogjte e malit kur i përmallove

Shtatë martina u kallën flakë
Shtatë herë kënga u la n`gjak

Prej vajit të nuseve pastaj
Lisat janë dhezë flakë...

...Veç mestet pshtuen pa u gri
...E të than´ more Sali

Nuk donë këngë... do faqezi
 



KUR FALESHIN GJAQET

Në shuplakë të dorës
E niste fillin jeta

Kur faleshin gjaqet
Tym i bardhe nga oxhaqet...

Si prroni bjeshken
Loti ...i grryente faqet...

Femijët atë ditë
Pikën nga frengjitë
...Se zogjet kishin ikë

Krojet u ndalën
...Dhe gurrat
Kur dënesnin burrat

Vdekjën kaslistrok e bartën
Derisa dha shpirtë dhembja...

Borën tevona
...E shkrinte kënga

E me një milion
Shumëzohej buzëqeshja...
E Bacës...Anton...




MOS O ZOT ...MË KEQ

Në hënë s'ka më vend ...tej hënës gërmohet
Pluhur e piskamë...në tokë krejt terrinë
Ku ta gjejmë një vend e t'a shtrijmë këtë shpinë

...T'këndojmë për dashurinë...

Bota mbylli sytë.. vdekjen vjerr për vetull
Veç gurë e bërboça hedh mbi të ky shekull
As atje s'na lënë...ku bren miza hekur

Veç duke kënduar ...sa s'paskemi vdekur

Është vonë e më dukët thuaja teper vonë
S'na duron më kush ne duke kënduar
Dhe na vie rëndë a s'duam ta pranojmë

Stina e këngës ...moti paska shkuar

Telat e marrëzisë na e kputën shpirtin
Veç jargë rreth nesh... dreq o deli dreq
U vonuam shumë...dhe këngën e harruan

Mo Zo' më keq.. mo Zo' më keq...