Mittwoch, 23. Mai 2012

Një cikël me poezi nga Grigor Jovani

 

 GRATE  
 
Ikin dhe vijnë. Dalin dhe hyjnë,
gratë,
që dashuruam.

Fshiheshin,
kur i kërkonim.
Shfaqeshin,
kur u martuam.

 
 
FATALE
 
Doja të të jepja goditjen fatale:
një plumb pas koke,
një thikë në zemër,
një gur në yll të ballit, ku
të bien kaçurelat...
Ah, të të dëgjoja
psherëtimat e fundit,
me atë zë të mekur... Ashtu,
ashtu bëra. Dhe...
rashë i vdekur.
 

 
 
FARA
 
E pamundur. Nuk mund të të varrosja,
ti ishe fara. Sa herë nën dhe të groposja,
mbije
dhe më dilje përpara.

 
 
GJEMB
 
Tek gota e zbrazur
mbi tavolinë,
la pak të kuq -

trëndafilin me gjëmb.

Të pija ujë
dhe ta ndjeja që dhëmb.

 
 
TAVERNA
 
- Një shishe vere të vjetër, usta!
Drodhi mustaqet, u fshi në përparëse
dhe tha:
- Dakort! Por “të vjetër”, përse?!
- Se kam shoqëruese të re...
 
 
 
PERRALLE
 
Ishe kaq e bukur!
Mrekullisht,
kaq e bukur!
Sa mund të të nxente
vetëm një përrallë...
Shtriva shpirtin tim,
si qilym fluturues,
hipe ti
dhe i biem hënës vërdallë.

 
 
INFRAKT
 
Po të lë portën shkyçur.
Nëse dëshiron të ikësh,
me takt...
Veç mos e përplas. Është dera
e zemrës. Kam kaluar
infrakt.
 
 
 
LULJA
 
Më në fund arrita ta mbjell lulen.
Lulen ta mbjell dha ta rrit.
Ta rrit me merak dhe ta këpus.
Ta këpus për Ty,
që një jetë
ma kërkoje e pagojë...

E ç’farë se ka për vazo
varrin tim?
Lulja dhe atje mund të këndojë...

 
 
DASHURIA
 
Bën gjithmonë
të njejtin gabim:
humb çelsat
në kthim.

 
 
 
LUFTA
 
Dashuria është si lufta:
fillon gabimisht,
pastaj nuk mund t’i largohesh.

Është një gabim
dashuria,
që mund të evitohesh...

Veçse,
dashuria është si lufta:
kur mbaron,
pendohesh.

 
 
ZOGJ

S’më mbetën fjalë
të shkruaj vjersha. I bëre zogj,
drejt vetes i ke nisur.
Më le veç dy. I them dhe i rithem,
si gramafon i çakordisur.
 

 
Nga cikli: “DASHURIA” i librit “Vreshtat e Dionisit”

Dienstag, 22. Mai 2012

Grigor Jovani: NGA ATO TE DYJA

 
 
NGA ATO TE DYJA...

 Koka e vajzës,
si hënë e përgjakur
tek timoni.
I varrej nga qafa
një tjetër hënë:
medaljoni.
Prej nga Shën Mëria,
vështronte frikshëm
si të shihte një dreq...
S’e kish përcaktuar
ende ekspertiza:
cila qe përgjumur,
nga ato të dyja,
gjatë çastit të keq.