Sonntag, 22. April 2012

Jorgo Telo: DESHMIA E GJALLE


DESHMIA E GJALLE - BESARTA E JASHARËVE

Poemë – baladë
(Në kujtim të 13 vjetorit të Luftës legjendare të Prekazit )

O m’e vogla e fisit t’Jasharajve,
Me diellin - kuvend
në mëngjes, mbrëmje.
Kredhur e tëra në vorbullën e ngjarjeve…
Kush di ç’bluaje
në të dëlirtën mendje…

Në lëndinë fluturat e në pemë zogjtë
Në vapë mërdhinin
kundruall syve të tu.
Dhe t’i shihje përpjetë, mandej edhe teposhtë;
E etur si Kosova
për një qiell blu….

E etur si Kosova për jetë të pavranët
Për jetë gazmore,
Gazmend në çdo vatër
E etur për një truall ku s’gjenden tiranët;
Ku jeta rrit shtatin
në troje të pastër…

Ngarendja në traditë, vlerat qet në dritë.
Ç’gërmohet nëpër shekuj,
latohet në kujtesë…
Me yjet e Prekazit – bashkuar yjësitë
Të ngjizur në flamur
me të thekshmen besë…

Zgjedhin dallëndyshet, mandej ngrënë çerdhen;
Punojnë nën skërmitjet
e maçokut të zi…!
Kështu dhe jasharët tok në kullë kthehen
Në kullën – kështjellë
t’etur për liri.

Besarta ndër ëndrra jetonte tjetër jetë.
I shprehur gazmimi
nëpër buzëqeshje.
Ia shihte veç mëma buzëqeshjen e lehtë
Përlindur te buza
në të gjumit heshtje.

Po rritej me ëndrra një trembëdhjet’ vjeçare.
Me dashurinë e Adiles,
Me virtytet e Ademit
Më të brishtës lule të fisit të Jasharajve
Oh, ç’i panë sytë
në ditët e tmerrit!


Ata sy që shihnin veç lule lëndinash
U desh të vështronin
më makabret pamje…
Harroi Besarta bukuri rudinash
U ndesh me çnjerëzoret
masakrat serbiane…

“S’na tremb dot, o shkja, - thirrte gjysh Shabani
S’jemi siç mendon,
s’jemi bagëti!
Predhat mbi çati shembën dhe tavanin
Në rrethim të dytë
prej ujkut lubi…

Si kështjella e Krujës para 500 vitesh
U mbajt e rrethuar
Kulla e Adem trimit…
Polic’ e ushtarë – rrethim mbas rrethimesh;
Adem komandantin
në dorë të shtinin…

Përdorën soje armësh gjer dhe minahedhëse
Ta shkrumbonin kullën,
Kullën qëndrestare…
Shikonte Besarta, njomzakja lulembledhëse
Si shembej çatia
Dyer e dritare…

Kërkonin Ademin, ku dinin gjë bishat;
Nuk binte në kurth
aq kollaj luani…
Tutje në shpin’ kodrash trandnin degët pishat ;
Pishat sikur flisnin:
Mizorinë të ndalnin.
Pemët paqësore u përfshinë në luftë.
Shihnin kriminelët
turrur n’errësirë.
E dinin…Ademi… ai mjekërxhufkë
Në mungesë dënuar,
s’pranonte zixhirë…

Si mund që luani të mbyllej n’kafaz?
A gjendej burrë nëne
ta shtinte në kurth…?
Ndaj makina sërbe u kredh në “maraz”
Dhe mbas çdo të shtëne
shfrynte plot me duf…!

Njëzet vjet vendimi… mbyllje në qeli.
I dyti rrethim
shpejt u përgatit.
Kulla s’njihte heshtje… priste me qetësi
Shabani me Hamzën
U gjendën në pritë…

Si mund ta lëshonin qetas atë kullë?
Si ta shkelnin besën
Dhënë Adem birit?
Qe luft’ e vërtetë e jo thjesht’ një shpullë;
Kafshonte kuçedra
dhe foshnjat e gjirit.

Ku ta dinin “-içët” se në atë strehë
Tjerrur nëpër mote
Ngjarje e kujtime…
Ku ta dinin “-içët” , heu, se sa jetë
çelën n’atë kullë,
që nuk ulte krye…
Lum, hej, trimëria që gjëmon si shpellë!
Turrin nis te sheshi,
Ngjit malet e larta…
Lum, hej, trimëria që hyn në legjendë!
Nuk e tremb rrebeshi,
nuk e mbraps shtrëngata.

A mund të lëshohen leht’ e qetë – qetë
vatra ku je lindur,
trojet ku je rritur?!
Veç një Sllobodan, një fytyrë zbehtë
Si një sharlatan
Mbet’ duke u skërrmitur…

Pse hyre, çakall, në shtegun e drerëve?
Nuk e dije, dreq,
Sa e çmojn’ lirinë?
Doje të gëlltitje jetën e të tjerëve…
Porse liridashësit
Si të vdesin dinë…

Nepsi për grabitje rikthen historinë
Në rrethim të tretë
Horrat u vërvitnë…
Sulmin mbi Prekaz për në mars i shtyrë
Me shkulme e gulçe
Shkiau – egërsirë…

Përsëri në shenjë – kulla e Ademit
Ta shkallmonin shpejt
zemrën e lirisë…
Mbi njëzet pjesëtarë përjetuan tmerrin
Në emër të jetës,
të përjetësisë…
Jasharët e tjerë ishin në mërgim.
Ndërsa vetë Ademi
u gjend brenda kullës.
Sulmi agresorit nisi me tërbim.
(Lidhën besë nderi
Zogjtë e furtunës…)

E kush mund të flinte, kishin ndjerë rrethimin.
“Sot do kemi luftë, -
foli Komandanti.
Të tjerët në sy shihnin kryetrimin
Dëgjuan, kur shtoi:
“Me ne qoftë fati…!”

Në mëngjes beteja shpërtheu e ashpër
Shtet i babëzitur
Përmbi një familje.
U vërvit mbi kullë një arsenal armësh.
Blerim i përzhitur
prej një shteti – skile…

Ç’kish lindur Kosova! Një fis besëlidhur.
Për liri të etur,
të etur për jetë.
Një fis i patrembur, durimtarë të lindur
Tejet trimërorë,
Heronj të vërtetë.

Me këngë Ademi – në ballë të betejës:
“Jo, jo, nuk ka vdekje
më të mirë për mua!”
Mori ajo kullë nurin e Kështjellës,
Tri dit’ nën goditje;
Shkiaut s’iu dorëzua.
Shumic’ e familjes mbledhur te një kthinë;
Dhe atje ra predha
Ashtu… verbërisht.
Ra atje ku mbledhur ishin gra, fëmijë
Ra atje ku jeta
vritej barbarisht .

Trembëdhjet’ prej tyre shpejt ndërruan jetë.
E para – Adilja
Zonja e shtëpisë.
Shpëtoi Besarta, tri dit’ e tri netë
Strukur ndën një magje
Shpres’ e ardhmërisë…

E ndërkoh Ademit iu soll në kujtesë
Idhulli legjendar,
trim Ahmet Delia.
Me sopat çetnikëve u ra mespërmes;
Siç e deshi nderi,
Gjithë Shqipëria…

Zbraz e rimbush armët, hutoi zagarët.
Ato armë Ademit
i shkonin për shtat.
Tërbimi banditëve tejkaloi “gradët”…
Kujtoi babanë,
ç’i rrëfeu një natë:
“… Kur u linde, bir, gjëmoi Drenica.
Ishte ditë feste,
Dita e Flamurit.
Dita e lirisë festohej me krisma;
O sa jam gëzuar!
T’flas si burri burrit…

Bir, në qarjen tënde shihja tjetër klimë.
Fymëmarrje për trojet,
Ëndrrën për liri…
Te balli, te goja vështroja lavdinë;
Të dua të fortë,
Kreshnik për liri.

Besoj që Adilja të ka thënë, mor djalë;
Si të kam mbështjellë
me flamur kuqezi.
Se kur linde ti, kish krisma, jo fjalë.
Me kujdes u rrite
burrë për shtëpi.

Mos kesh trembje syri, as dridhje qerpiku.
Të nderosh, o bir
ditën kur u linde.
Jasht’ nga vatrat tona hasmi dhe i ligu!
Të mos harrosh kurrë
të flaktën Rilindje…

Me të dy vëllezërit, Rifatin e Hamzën
Të kesh dashuri,
Mos u ndajë kurrkush.
Siç t’ua dojë zemra, do t’ua gatit dasmën.
Veç të më nderoni
me fis e me krushq…”

Ja, ç’rrëfim kujtoi, duke mbush’ gjerdanët;
Kujtoi krejt Kosovën
Atje prenda pragut.
Ashtu siç i donte, s’i lëshoi armët
Në kullën e lindjes,
te Kështjell’ e gjakut…
Pa ngrënë’ e pa pirë Besarta në makth;
Mbuloi dyshemenë
gjaku në çdo cep.
Ademi qëndroi, luftoi nëpër gjak;
gjersa ra siç bien
Trimat e vërtet’…

Ra në kulm të jetës, në kulm të lavdisë;
Ashtu siç i ka hije
bestarit kreshnik.
Ndaloi rrahjet zemra te pragu i shtëpisë,
U përjetësua
me aktin fisnik…

Buçitje betejës iu qarkua Globit.
Gjaku depërtoi
tokën tejpërtej.
Me eshtra u ngrit përmendore kombit.
Përmbi jetdhënët
Trimat zulmmëdhenj.

Prekaz i Drenicës shungulloi tokën.
Lajmi mori dhenë
sa hap e mbyll sytë.
Bëma e jasharëve u përhap në botë
Zogjtë nëpër pemë
Stisën meloditë…

Të tridhjet milicët ishin mish për top
Adem legjendari
Zgjoi trimërinë…
Rrethimit të ujqve s’u shpëtonte dot
Edhe nëse mundej…
S’e linte shtëpinë.
N’ atë kullë qëndrese hynë dhe komshinj
Me bacën Adem
bënë besa – besë.
Ademi dhe Hamza ndën atë betim
Veç’ te gryk e pushkës
mund të kishin shpresë…

Kështu mori duhmë luft’ e UÇK-së
S’mund ta ndalte kush
Atë vrull shqiponje.
Në themel të saj një Legjendë është:
Mbeti Kryekëngë
e çdo shpirti dhe goje…

Si të mos krenohesh, tek shikon ekranin!
Fëmijë jasharajsh,
stërnipër, stërmbesa
Emrat e të rënëve i mbajnë krenarë
Rriten për të ardhmen
Për Kosovën – shpresa.

Shoh te sy’ e tyre çiltër krenarinë
Sy të vezulluar
Fytyra dritëplota.
Tashmë që Kosova lirshëm po merr frymë
Veten ka në duar,
Pret ta njohë bota.

E çuditshme bota… edhe tekanjoze
Qeveritë kurrë
s’bien në një mendje.
Pret Kull’ e Jasharëve, kulla misterioze
OKB Kosovën
ta pranojë me ëndje.
Gjaku i të parëve – në rrënjët e lirisë
Ja, Pavarësia
Bujis nëpër gjethe.
Kulla e Jasharëve - streh e historisë
A do ta shoh, vallë,
A do mund të vete?

Gjirokastër,13.03.2011