Freitag, 24. Juni 2011

Grigor Jovani: SEKRETIN TIM E DINË SHELGJET


SHPELLA

Nuk bërtas më tani.
Jam në fund të një shpelle,
ku vetëm laraskat,
krahët e tyre përplasin.


Shikoj përreth
dhe hesht. Njerëz të tjerë,
duke rënë për tek unë,
thërrasin.


Dhe e di. Do të vijë një ditë,
kur edhe ata,
do të mërziten së thirruri
dhe do heshtin.


Këtu në fund,
kotësinë e fjalëve kupton.
Me këngë laraskash
mëson veshin.

 
 
 

SHELGJET

Sekretin tim e dinë
shelgjet,
buzë lumit.


E pëshpërisin,
duke krehur flokët,
pak para gjumit.

 
 
 
 

LASGUSHI

- Ç’bëni këtu?! Më lini,
të shikoj pak qiellin...


Hiqini prej meje,
sytë e dëshpërimit,


kam një bisedë me diellin...

Neve nuk flisnim.
I përgjonim çdo fjalë....


- Nuk të thashë? Do vijë një ditë,
që do të të mbërrij...,
- pëshpëriste ngadalë.


Kështu vdiq poeti.

Iku pa na folur. Nuk na tha,
nëse e mbërriti diellin prej vërteti.

 
 
 

ÇNGJYROSJE

Tani jam hibrid,
i lëngshëm,
i tejdukshëm.


Si uji që rrjedh
nëpër ulluqe.


Më sheh
dhe nuk dallohet,
as zemra ime
e kuqe!

 
 
 

ORA

Trupi yt
i ngjan një ore
të prishur.


Kur duhet të më zgjojë,
gjendet gjithmonë
e shkurdisur.

 
 
 
 

BABAI

Asgjë nuk më the
dhe m’i mësove të gjitha.


I kishe zët fjalët,
flisje mirë me heshtjen.


Arrite të më thoje
gjithshka,


por harrove vdekjen...
 
 
 

PO TA THEM...

Një shpend grabitqar,
unë fsheh ndër vete.
Mos të të gënjejë,
fytyra ime
intelektuale...


Mezi pret
të të grabisë lirinë,


pa pasur gajle...
 
 
 

ALBULENA

Gjaku i derdhur është ky,
a kuqëlojnë lulëkuqet?


Mbi kurmet e vdekur,
lotojnë gratë
apo gëzojnë skifterët?


Të pakallurit,
hëna i mbuloi,
apo manteli i erës?


Fillimi qe ky... Gjaku
vërshoi si lumë
përtej Albulenës.


U ngjit lart,
për Krujë.


Qiellit drejt...

U përsëritën kaq herë
Albulenat...


Njerëzit,
etjen e gjakut
nuk e shuan krejt.


(Sarandë, qershor, 2011)

Donnerstag, 23. Juni 2011

Buqetë me poezi nga Mihallaq Qilleri



SHQIPËRIA
 
Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.
 
Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë.
 
Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.
 
Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!
 
 
 
 
 
 
 
V A T H Ë T
 
Ti mban vathë të bukura, mikja ime!
Mahnitem nga format, ngjyrat, drithërimat
Gjysmëhëna, monedha të arta, zemra të zeza,
Rrathë më të mëdhenj se sytë e tu ,
Manaferra e trandafilë blu…
 
Në veshin tënd, ato veç ajërit i përpëliten.
Trazojnë shikimet dhe shkasin më tej,
Aq shumë pata menduar për një dhuratë
Të të pëlqente shumë me vërtetë
Përtej një tundje flokësh si koketë..
 
Gjatë qëndrova para vitrinës së një argjendari
Një palë vathë elgante të zgjidhja për ty..
Vezullonte ari i rremë me nxitim fërkuar.
Drithëronte drita, magjia e lustruar,
E shitësi plak me ankth më shikonte në sy.
 
Dhe befas ika, me nxitim ika ,
Me trishtimin e mashtrimit zbuluar.
Dhe besova se isha më i pasur se aq;
Në vend të vathëve pa frymë, pa shpirt
Pranë veshit tënd të trandafiltë të mërmëritja ,
Ca fjalë dashurie të ngrohta, të buta,
Gjerdan psherëtimash tani të të sillja ..
 
 
 
 
 
 
F A N T A Z M A T
 
- trishtim me personazhet e librave të mi -

Treten ëndrrat, fantazitë, bota ireale thyhet,
Si një vazo antike pa vlerë, pa bukuri..
Librat rrëzohen prej rafteve si pas një tërmeti,
Milingonat gërma në njerëz, male, rrugë, fllad e dete
Ankthe e dashuri të trishtuara, të pluhurosura,
Në tokë, pas një lufte të humbur me kohën, zbresin tani.
 
 
Hutimin e heronjëve të palavdishëm shoh vrazhdët,
Viktimat dinjitozë, të heshtur mbajnë drejtpeshimin
Koha i ka venitur, zhveshur e tretur disi,
Strukur nën pluhurin e shpërbërjes njerëzore,
Si dhe faqet e zverdhura të romaneve të mi.
 
 
Fëshfërimë gjethesh e stuhi dëbore malesh
Dallgë që stepen në brigjet e mendimeve,
Lodhje, shumë dhimbje, e mendime fjalësh
Propagandë e pështirë në faqet e shtuara..
Liria e mjerë strukur rrjeshtash me vret kur ankon,
Sa pak, sa pak vend, o njeri, më ke dhënë!
 
Ujqër e qenë madhështorë stanesh gjakosen,
Nën një brucë çobani dridhem në Majë të Lucës,1)
Mbi çadërën e vjetër stuhia e vjeshtës rrënkon
Frika prej urisë e lavdisë së rreme nis’e mbyten..
 
Viktor Komi, plakushi bukurosh, vijon e pikturon,
Një Kristinë të thinjur sybukur, dashurorë,
Tomi Bregu, avokat tashmë, gjyqe pronarësh mbron
Me dinjitetin e kokoroçit të dikurshëm.
Është ngjalluar Antonia ime aq e brishtë ,
Dhe hak kërkon për tradhëtinë e të shoqit rrebel
Andrea Semani mbi një varr kujtimesh përpëlitet,
Së bukurës Loretë buqeta lulesh vazhdon e i sjell.
 
Angjelina shpirtzjarrtë në gjunjë më është rrëzuar,
Me duar mbi tastot e kompjuterit tim, pa kuptim,
Robert Kola ka heshtur, ashtu, krenar, i menduar,
E di që ai jeton si atëhere, gjithë ankth e hutim.
Vjeshta e trishtuar e Elias perdet teatrore shkund,
Ku ta dinte se mbretëreshë e Shqipërisë etnike
Do shfaqej e sigurtë, plotë sqimë, më në fund!
 
Pastaj gjeneralët kopështet e dashurive shkatërrojmë
Me të çmendurit e mi spitalet psikiatrikë pushtoj
Dhe ashtu endem në ajërin e plagosur nga përmbytja
Fantazisht i dërrmuar një përplasje nxis, përdhunë,
Kryengrite groteske që kthehet në vallëzim,
Lirika recitoj si adoleshent në Politeknikum.
 
Nuk e di pse kam mbetur i shpërfillur nga vetvetja
Një botë tjetër, tjetër, më të denjë duhet të krijojë..
________________
1) – Një nga majat e larta të Shqipërisë Jugperëndimore.
 
 
 
 
 
 
D Y S H I M I
 
Më shumë se vdekja, më shumë se poshtërimi
Dyshimi bren metalin kohë dhe jetën e ndryshk.
Ne endemi kështu në skaje të panjohura
Të kërkimit në askundin e ngrirë
Duke tretur pjesë nga e djeshmja e artë.
 
Unë jam një fytyrë e tjetërsuar tashmë që tremb,
Një botë që ti nuk e njeh, nuk e ndjen, nuk e qas
Unë jam një fantazmë ideale për t’u vrarë
Pabesisht me duar që dridhen,
Lehtësisht, me fjalën e parë që rrugës has..
 
Ti thua se unë kam ndryshuar sa nuk njihem...
Në të vërtetë jam po ai, po ai, po ai,
Heshtja, shfytyrimi, sytë e buzët,
Janë stivosur tashmë në arkivin e mallit,
Kanë mbetur në pikën më të lakmueshme,
Të së djeshmes fantazmë.
 
Jam po ai, thjesht pak më shumë i thinjur,
Jam po ai thjesht me ditë-net më pak për të jetuar,
Jam po ai thjesht në pritjen tënde të përjetshme,
Jam po ai, po ai, i dashuruar me vullkanet që gëlojnë
Brenda jetës sime të përtejme,
Brenda jetës tënde të sotme..
 
E ndjen sesi dridhet toka ?
 
 
 
 
 
 
 
FUSHË E MINUAR
 
E gjerë shtrihet deri në agim të botës,
Fusha e shfarosjes barbare;
Ashtu i friksuar ngec në telat me gjemba
Të moskuptimit, zhgënjimit,
Të keqardhjes dhe abortit të besimit.
 
Drithërimë pasigurie tashmë ndjej
Në skajin më të zymtë të vetvetes.
Një oqean të minuar me dallgë më duhet
Të kalojë për të mbërritur atje ku dëshëron ti,
Të mbërrij doemos, i shfytyruar...
 
Jetën time vendos në skajin tjetër
Të balonës prej letre të trandafiltë
Lëshuar qiejve të zymtë në prag stuhie.
Cepin e fundmë mbaj në duar që dridhen,
Nga vetëtimat që lëshon mosnjohja.
 
E mbaj mend, e martë ishte, e martë.
U çanë qiejt dhe dielli hipokrit u fsheh
Për të mos qenë dëshmitar i vendosjes së minave
Nëpër oqeanin e ndjenjës sime të dhimbshme.
Mesa duket nuk di të dashuroj, nuk di,
..Sepse, e martë ishte, e martë!
 
 
 
 
 
 
 
R R U G Ë T
 
Konvecion i shëmtuar i hapësirës,
Rrugët shfaqen e shuhen si vetëtima
Në jetën tonë të përkohëshme, të zbrazët.
Thuhet se diku nisin e diku mbarojnë,
Si një fill i turbullt ëndrre e shpëlarë,
E njerëzit i lidhin pas vetes si milingona qeliza.
 
Rrugët janë kurthe të imagjinatës rurale
Limite të bardha pa kurfarë drithërime,
Siç erdhe dhe ike ti në jetën time..
Gjurmët, herë të përbaltura, herë të fshira
Nga shtrëngatat e erës, stuhitë e mendimeve,
Një plagë e lënë përdhé që thinjat i shton,
Kalbëzim ku nis rrugëtimin mosqenia.
 
Traga vijash gjaku që shprishen kobshëm
Rrëshqanorë nëpër shpate mendimesh,
Ikja jote një gëvishtja e një kohe pa udhë
Do të qëndronte fshehur si një gjarpër
Nën tokën e ftohtë e të lagësht..
Të mosekzistencës dhe heliumit helmues..
 
Takimi ynë një udhëkryq i shpërfillur ishte.
Edhe pastaj diku nxitove në hapësirën absurde;
Nëse do kishe ardhur, ikja do ishte klithmë,
Ndryshe askund nuk ke mbetur përtej së djeshmes..
Rrugët janë fshirë si vijat në bregun me dallgë.
 
 
 
 
 
 
ATLANTIDA
 
Hamendje tragjedianësh klasikë, historianësh,
Thira 1) , e heshur, e bardhë, enigmatike,
Katastrofën biblike në detin e kaltër e preh,
Shtyllat e Herakliut nuk shihen më askund,
Pallatet mbretërore të luksit dhe kasollet e skllevërve,
Kanë shuar zërat, grindjet, dashuritë, verën e derdhur
Dhe nën ca gurë të zymta, të mbytura
Në pluhurin e vullkanik përgjithmonë të varrosura.
 
Një qytetërim i çarë, i shqyer prej magmës përvëluese,
Zemra të thyera më dysh si shprishje bote,
Një dashuri e zhytur në thellësitë egjeniane,
Gëlon gjer tek unë nga dhimbjet zemërake të botës.
Ti nuk je më e imja, tokë, por copëtuar dhimbshëm
Prej luftërash të tmerrshme e llave të nëndheshme,
Vijon të tretesh në ajërin e thatë të absurdit.
 
Atlantida fantaziste vjen tek unë si copëtim shprese.
Qytetërimi i parë dashurisë së thellë i ngjante;
Njeriu i varfër nisi të lëngonte në humnerat
Vullkanike të zemrës së vet..
 
Shpërthimet janë shuar tashmë nën ujërat e kaltëra,
Përballë Trojës, ku shumë vite më pas barbaria do vriste
Dashurinë me luftë, e vullkanet njerëzorë do rrënonin
Qytetërime të dyshimta popujsh të çmendur…
______________
1) Thira, - emri i vërtetë i ishullit Santorini ku mendohet se gjendej Atlantida e lashtë.
 
 
 
 
 
 
S T R E H A
 
Për dore mbaje frutin e ankthshëm të marrëzisë,
Fëmijën faqekuq, të bukur si trandafil në maj,
Unë endesha i trishtuar në skajin tjetër të vetmisë,
Tronditur nga frika jote dhe mëkati – faj.
 
Ndriste një diell i shëmtuar, i nxehtë,
Vështimet e botës e bënin akoma më torturë,
Nuk kishte strehë të na mbronte aq lehtë,
Veç një kishëze që se kishim vënë re kurrë..
 
Unë dhe ti ulur ndënjëseve nën të rëndën hije
Dhimbshëm shtrëngonin duart në fshehtësi,
Ndërsa fëmija vështronte ikonat martire,
Sikur u lutej shënjtorëve ta mbronin ata tani..
 
Më thoshje zëulët se bota qe kupë helmi,
Dhe ti duhej ta pije vajtueshëm kështu,
Ne fajtorët ndëshkohemi një ditë prej qiellit,
Ndaj dashuria-mëkat do hedhur në humnerë diku..
 
Kupa-qiell e kishës me ëngjëj vizatuar,
Fytyra e fëmijës rob tronditur sa s’kish më,
Ti sy-lotë më shtrëngoje duart e malluar,
Nën atë strehëz shpirtrash pa gjak, pa zë..
 
 
 
 
 
M J E G U L L A
 
Në pyllin e harlisur të jetës sime,
Me drurë të çuditshëm prej venash,
Ashtu, të drejtë e të shtrëmbër,
Me gjethnajën e mendimeve trazuara
Me vitet e jeshiluara e të thinjura,
Si vel martesor prej princeshe zvarritesh.
 
Habia e tjetërsimit mjegullor,
Vazhdon aq gjatë sa ankthi i mosqënies..
Ti luan me trungjet e mykta të ditëve,
I lag, i pështyn, i ndrit, i thyen,
Dhe ecën më tej duke qeshur,
Ashtu e bardhë, lozonjare, shpotitëse
Me qiellin e pakët të vegimeve,
Duke lënë pas lagështinë e ëndrrës.
 
E kur mendoj se jeta të treti,
Velloja gjarpëruese rikthet befas
Herë duke ngrirë ditë-netë e turbullta
Me lakuriqësinë e stisur e magjike,
Herë me lojën kukafshehti të diellit,
Me shfytyrimin e përrallave mitike,
Me shpresën dhe dështimin,
Me dasmën dhe mashtrimin,
Ikën e vjen si psherëtimë, vjen e ikën si dhimbje,
Mjegulla ime!
 
 
 
 
 
 
 
PUTHJA E DIELLIT
 
Ε ngrohtë, e ngrohtë, si ëndërr
Magji lundruese nën qiellin prej degësh
E gjethesh fëshfëritëse
Unë e ti, Lumë i ditëve të mia,
Prekim e njeri-tjetrin trazojmë...
 
Jemi aq pranë tani sa kurrë më parë..
Vegime vezullese depërtojnë në rrjedhën
Blu të marrëzisë së turbullt,
Ashtu shtrirë me shpinë mbi gurin e bardhë
Mokërr e jetës rrotullohet përskaj meje,
Mërmërimë venitëse lulesh kokëulura.
 
Ç’më tregon ashtu symbyllur vetja ime?
Ku i shpie mendimet fluritëse kur
Gjithë nxitim e ankth lëviz drejt zhdukjes?
E di që në Detin e gjithësisë zbrazesh
Njerëzor, rrëqanor sa trëmbem e mbytem
Në mrekullinë e puthjes nga një copë diell.
E unë, shtrirë me shpinën e ftohtë
Mbi gurin e mundimeve sifiztike
Pres, pres, pres, në kush e di se sa vite,
Pres.. të zbrazesh diku brenda meje..
 
 
 
 
 
 
 
MUZG’ I AKULLT
 
Shalli yt stalaktik i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar
Fytyra muzg i tejdukshëm
Rrëshket mbi mendime të ftohta,
Drithërimat ankthzgjuese që shpresën tashmë
Mbi atë copë akull të bardhë të shpresës
E nisin të udhëtoj rrezikshëm....
 
Hapësira është e shkurtër,
Si një makth rrotullues karruseli
Që nis nga zemra jote,
Nën flokët e verdhë ku mendimet gjëmojnë,
E si alge funddeti lëkunden nga dallgë të padukshme
Si plasaritjet e shpirtit tim dyshues përfundojnë
Rrethin e ankthit dantesk..
 
Sy të mprehtë shoh nën këtë muzg të akullt
Që shpojnë tejpërtej trupin tim të lodhur
Nga pritja e gjatë, e mundimshme,
E dashurisë së çuditshme kozmike..
Shalli yt një stalaktikë i bardhë
Qafën e fildishtë ta ka rrethuar...
 
 
 
 
 
 
M A S H T R I M I
 
O zot, jo rrallë, jo rrallë,
Mashtrojmë indet e vdekura të vetvetes,
Trazojmë besimin e etur të lirisë
Dhe mjerisht fitimtarët e zemerthyer
Rrënjët e kalbura mbjellin në tokën e ajërt
Të gabimit..
 
Dhe befas, befas zjarri i rremë shartohet aty..
Me dru të njomë flakët e pabesa nisen e rriten
Që veç tym nxjerrin e sytë na djegin barbarisht.
Lëngu i jetës thahet mjerueshëm
Nga vërshimi i instikteve të verbëra.
Kaq mjafton të jemi të kënaqur,
TË DY,
Nga Mashtrimi !!
 
 
 
 
 
 
KAM FRIKË, KAM FRIKË...
 
Në dashurinë time mijëra enigma gëlojnë,
Mijëra mendime enden trupit e trurit,
Shpërbërë ëmbëlsisht si fëshfërima lulesh,
Me hithëra dyshimi fshikëlluar rrihem ,
Varre ëndrrash shpërbërë nën sferën e errët
Të përtej jetës strukur.
 
Dhe krejt papritur një dëshirë e marrë
Më çmend, më vret, më tret
Brutalisht e tinës, në mendimet e tua të hyja,
Atje, mes fjalësh të pa thëna kurrë,
Mes botës ku guximi i brishtë
Si rrotë e dobët është thyer,
Atje ku endet më i thelli dyshim,
Atje ku furia e fjalëve stepet, meket. fiket.
 
Atje të shtrihesha vetëm një çast,
Pa le të ishte kazan që përvëlon genet,
Diell i ngrohtë a ekstazë shkumëzuese,
E ndjenja e keqe ndoshta zvarrë do kalonte
Kufirin e reales magjithyer
Me varénë e së vërtetës...
 
Kam frikë, kam frikë, kam frikë!
 
 
 
 
 
M A G M A
 
Drithërimë befasuese je, thelb’ i jetës,
Ekuatori i ngrohtë mesi yt biskonjë e hollë,
Pole të ngrira, shpesh, në sytë e tu mahnitës,
Akuj që treten në perëndim të flakës,
Τërmetet- klithma për më shumë lumturi,
Tsunamet-dallgë përmbytëse për dikë, e di..
 
Llavë zhurritëse që derdhet shpateve të trupit,
Flakë e hi shpërndan në zemërimin tënd
Pjesë prej dielli e hëne në gjirin tënd mbledhur,
Toka e gjithë e hapur për lirinë tunduese,
Kërthizë e paprerë pas meje lidhur,
Si grykat e vullkaneve me amësinë biblike.
 
Zjarr je, thelb i thelbit të ekzistencës,
Krijuese e lumturisë dhe hutimit,
Dhimbjet veç ishuj të harruar mbeten
Në detin e dashurisë tënde magmatike..
 
 
 
 
 
 
KUR MUNGON TI
 
Kur mungon ti,
Kapakët e buzëve thahen nga ajëri i thinjur,
I hidhur, si në një minierë qymyri, e
Sytë ulin qepallat e rënda,
Përtej viteve të ngrira.
 
Kur mungon ti,
Akacia mbi dritaren e dhomës sime të punës
Vyshket e gjitha, gjethe-e-lulerënë
E degët ngjajnë si këmbë të verdha
Ushtarësh kthyer nga Lufta e Gjirit
 
Kur mungon ti,
Drita ka vdekur në shpella trishtimi
E humnerash pa fund, e
Hëna e hedhur mbi pusin e qiellit
Coptuar shihet si monedha e asgjësë.
 
Kur mungon ti,
Skllavëria zbret në tokën e pluhurt
Të mendimeve barbare,
Me drithërima gjaku e mënçuri
Të fikur..
 
Kur mungon ti,
Heshtja perandorinë e vet krijon përdhunshëm,
Nëpër mijëra gërma – milingona
Që ngrijnë si ushtri e tharë
Në shkretëtirat e bardha
Të romaneve të papërfunduar.
 
Kur mungon ti,
Koha është vrarë diku në Luginën e Gjoksit!
 
 
 
 
 
P S H E R Ë T I M A
 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Dhe bri teje kjo frymë-furtunë,
Uraganë zbret prej qiellit
Në tokën e varfër të mendimeve.
 
Ti thua se psherëtima ime,
Sekondëshe sa një mal,
Tret besimin te dashuria
Dhe qiejt i ngushton sa një gropë
Ku plehërat e fjalëve mund t’i flakim.
 
Ti thua se psherëtima ime,
Ikën e vjen në ditë të mjergullta,
E në kohëra të qelqta shteron
Besimin e lodhur të pamundësisë
Hakmarrëse..
Ndërkoha jonë e madhe
Male me dashuri dhe diell ka në mes,
Të kuq me stuhi heliumi
Rrëke vigane avujsh përvëlues,
Flakë e fjalë kozmike,
Dhe drithërima magjike ekzistence.
 
Ti thua se psherëtima ime
Shtatin ma zvogëlon përbindshëm,
Se një atom heliumi dergjet si insekt
I ngordhur tashmë
Në tokën e plehëruar të dashurisë sonë.
 
Njeriu diell jam e hija, sa një fije hije,
Pas më ndjek deri në shpërbërje..
 
 
 
 
 
 
HËNË E ZBEHTË
 
Për Hënën e zbehtë as te pragu i dritares
Nuk do të dilja për mëshirë..
Dhe cinizmin tënd bubullues,
Do ta shuaja vështrimin me duar.
Për Bethoven e shurdhimin e tij fatkeq
Do trishtohesha më pak,
Për një dashuri të tillë murg do pranoja
Të endesha manastireve gishtapërleshur,
Veç lirinë, lirinë e shpirtit mos ma kyç
Shpërfillur në burgun e harresës.
 
Sonata e Hënës pa shpirt do më ngjante,
Nëse ti, nis e ia thërrmon tingujt një nga një.
Pa hapësirën e turbullt të shpërbërjes,
Pa flokët e mjeshtrit shpupuritur si asgjë,
Unë nuk hesht...
 
Shpirtin tim të lirë pafre harbuar
Pa frymë e zjarr peng ma kërkon..
Sonata 1) do vdiste te pragu i hënës,
Te pluhuri i kuq i Hënës pa ujë, pa zë.
Unë nuk hesht..
 
Në dhomën time të ftohtë, plotë libra
Ti perden u hedh milingonave gërma,
Dhurata të pjellorisë e dashurisë,
Lopata dheu stivon mbi jetën time
Si një tog varri ku ende bar s’ka mbirë.
Nëse ti nis e i pastron retë nga qielli
E shëmton ashtu të pastër, pa trazim
Si një sferë të mërzitshme kaltërsie.
Ke vdekur edhe ti,..... shpirti im.
 
Për Hënën nuk do dilja as te pragu i derës,
Nëse i trazon rrezet e saj një për një,
Për Sonatën do qaja butë e dhimbshëm.
Nëse qiellit tim nuk i rikthen bubullimat,
Dëborën nuk ua hedh maleve përmbi shpinë,
E mendimin tim të çmendur
E lidh te hekurat e buzëqeshjes,
Ke humbur diamantin e mëkatit, njerinë.
 
Jo, për Hënën nuk do dilja as te pragu
I shurdhërisë së Bethovenit..
_________________
1) - Sonata e Henes e Bethovenit
 
 
 
 
 
 
 
E P A N J O H U R A
 
Drithërimë telefoni dhe një ankth femëror,
Njohja e parë një zë lutës, pa shpresë,
Një zë pa ngjyrë, pa frymë, pa vesë,
Një zë njerëzor, pa gojë, pa fytyrë,
Më fton nesër në një stacion memec,
Kërkon krahun tek une ta mbështetë...
 
Dhe... nuk e di, nuk e di, si të të quaj, për besë,
Ëndërr, apo thjeshtë një jetë që po vdes.
 
Nuk di se ç’zemër rreh atje, nuk e di..
A ka vërtet një brengë a dhëmbje për vetminë,
Apo thjeshtë një vlerë të rremë, një interes,
Një zë tinzar, një buzëqeshje manekinë,
Apo një fytyrë e ëmbël nën bukuri të zezë.
 
Vërtitem shpresash dhe pabesish për dreq..
Besoj në shpirtin - ikonë dhe dramën për një jetë,
Vrarë tragjikisht nën dhunën skëterrë,
Me emër viti... dymijë e njëmbëdhjetë.
 
Mezi pres të të njoh, fytyrë engjëlli, a dreq,
Ta shtoj jetën time, apo ta shkurtoj pa shpresë..
Për gëzimin a vuajtjen, zaret tashmë po i hedh,
Për një fytyrë të ëmbël a bukuri të zezë...
 
 
 
 
 
DIMËR I TRETUR
 
Përgjumshëm vitet janë rrjeshtuar,
Verbërisht zvarritur deri këtu,
Ku heshtja ëndrrat e pa shuara
Kish pllakosur..
Gur të rëndë koha pat vendosur,
Mbi indet e përgjakshme të dëshirave
Të pamundura.
 
Dhe ndrite ti..
Një zjarr që ndizet ngadalë, ngadalë,
Tej shpirtit, të errët, të ftohtë,
Ndjenjëdruruar,
Ngricat nisën të pikonin si stalaktite lotësh,
Endrrat të zgjohen si flakë zemre
Rrezet, tufa-tufa, të mrekullojnë
Shpresën.
 
Dhe ndrite ti...
Një plagë e mbyllur, befas dhëmbi,
Një derë e drynur kërciti trishtueshëm,
Një ditë lëngoi nga masa e gëzimit,
Një jetë u zgjat mbi dhomën e errët,
Një dimër u tret, i tëri, i tëri,
Gjysma tjetër je tashmë,
E së harruarës, jeta ime.....
 
 
 
 
 
 
M A S H T R I M I
 
Mashtrimi endet rrugëve i veshur
Me petkun e dhimbjes dhe ndjenjës.
Mashtrimi ka gojën e putanës dhe
Elokuencën e të dashuruarit Alcesti 1),
Sigurinë e keqberësit gojështhurur,
Mashtrimi fjalë e fytyrëbukur,
Greminat i shet si lëndina.,
Qiejt si zymtësi nëntoke..
 
Vjedhja nis e shpërbëhet nga goja më gojë,
Besimi thahet si bërthama e kungullit,
Nëse shpirtin kërkon të ma shesësh.
Të ma shfytyrosh shpirtin e ngrohtë,
Akullnajash zvarritur,
Mallikimet pak janë për të të gremisur
Shpërfilljen e gjakut të shprishur,
Urrejta është pak për të të fshirë
Nga qerthulli i të gjallëve,
Jeta ia vlen vetëm
Kur zhduk të keqen...
________________
1) Personazh i Molierit në komedinë "Mizantropi"
 
 
 
 
 
D R I T H Ë R I M A....
Ishujt e ankthit janë përmbytur tashmë,
Me drithërima mosbesimi.
Eshtrat, çvarrosur nga nënqielli i akullt,
Më thonë se shpirtërat janë veshur
Me delirin e çmendurisë
Dhe përgatiten për vallzimin e vuajtjes
Në Pub-in e xhelatinës, urinës, pabesisë,
Në strehën e të pastrehëve..
 
E gjithë mesnata përpëlitet
Përtej xhamave të zinj të dritares sime
Dritëverbuar nga shungullimat e qiellit,
Po aq të praruara prej vetëtimash
Sa bizhutë e zonjës Mashtrim.
 
Ishujt e shpresës janë përmbytur edhe ato
Nga ujënajat e nëndheut,
Varret janë çelur si gojë të urritura
Për të shfyrë mallkimet e përmbysura
Të figurinave prej kalciumi,
Mërguar atje prej shekujsh e ditësh.
 
Shpirtërat janë veshur me delirin
E rikthimit në humnerën e dikurshme
Të përbuzjes dhe mosarsyes,
Të humbjes së të Drejtave dhe Lirive Civile
Në errësinën poshtë qiellit,
Në Pub-in e xhelatinës, urinës, pabesisë,
Në strehën e të pastrehëve...
 
Xhamat drithërohen prej vetëtimash
Të pranuara si bizhutë e zonjës Mashtrim.!
Vallzojnë kalciumet e përbaltura
Në Pub-in e xhalatinës, urinës, shpërfilljes.
Nata humb kuptimin e errësirës..
 
 
 
 
 
 
DITË E NDRYSHKUR
 
Nëse je shpirt dhe ngjan i heshtur,
Mbromë nga zemërimi yt
I fshehur,
Mbromë nga alget litar-shtrënguar
Frymën mos ma mbaj lënduar,
Merrmë dhe psherëtimën
E fundit,
Lidhma pas zemrës
 
Nëse je det në prag stuhie,
Nëse nën zë gjëmon e rrënkon
Trete ngjyrën e mërzisë
Trete,
Në gjakun tim të turbulluar,
Merrmë dhe psherëtimën,
Lidhma pas zemrës
 
Në se dallgët mal i ngre drejt qiellit
Nëse zemërimin shfryn si perëndeshë
Vritëm në prag të diellit,
Vritëm pa mëshirë,
Në dritën e vetmisë.
Thithmë gjak’n e turbulluar
Merr dhe dhimbjen më të fundit
Lidhma pas zemrës, lidhur..
 
Nëse je veç një kënetë e tharë,
As ujë, as dallgë, as alge, as zhurmë
Merr dhe trokun e zemrës sime hua,
Në prag të vekjes je,
E ndryshkur krejt
Në prag të zhdukjes,
Në prag të pragut,
Zemra dhe fryma ime,
Nga ankthet janë çliruar,
E nuk të vlejnë më, nuk të vlejnë...
 
 
 
 
 
 
L O J A
 
Vendosur në dy dritare shpirti,
Një qiell na ndan, na ndan,
Stuhia më shumë se rreze dielli
Na lagin e lotët na shton,
Vetëtimat drithëruese
Vallzojnë makabër mbi shpirtërat tanë..
Ne lozim vetëtimash..
 
Drithërimë a lojë rrufeje
Një lojë përcëlluese,
Një lojë gjëmuese
Tejmatanë qiellit e tokës,
Tejmatanë zjarrit, ngulmuese,
Shkarkime harqesh të zjarrta
Si mbi karrige elektrike,
Ne lozim lojë vetëtimash.
 
Nga qielli në tokë zbresim
Me dëshpërimin e humbjes,
Në guvat e shpërfilljes mbesim,
Nën klithma karbonizuese përsëri
Lindim si kërthinjë e dhimbjes
Si shungullima bubulllimash.
E ne përsëri... lozim vetëtimash.
 
E pastaj, pastaj,
Mes zjarrit dhe klithmave,
Fëlliqësisë anatemuese
Për dashurinë tonë mahnitëse
Fshehim me lotë nën tokë
Humnera të errta psherëtimash,
Diçka nga qielli ynë i lartë fshehim
E prapë, prapë e prapë
Ne lozim vetëtimash..
 
 
 
 
 
 
 
 
 
P R I T J A
 
Vrundujt e gjetheve të thara Lanë varrin të shtyrë nga era ,
I pashë...
Vjeshta tundtte qiejt gri me shamitë e reve,
Si lamtumirë pa kuptim....
 
Te shkallët e muzeut të Asgjësë
Sekondat binin të kalbura, pa jetë,
Dielli i ftohtë më përqeshte paturpësisht,
Një pluhur i verdhë më verbonte,
Kur të prisja ty çmendurisht i shfytyruar.
 
Më shtynë e rashë përpara vetmisë,
Gërvishtjen e shpirtit nuk e ndjeva aq,
Dhimbja qe druruar, eshkë qe bërë..
Kashtë e trazuar me baltën e shpërfilljes,
Dhe plaga e fashuar gjithë gjak.,
Nisi të shfaqej mjerueshëm
Si mërzi dinjitoze, pa shkak..
 
Koha dhe unë kishim humbur njëri-tjetrin
Në humnerat e bardha të limiteve….
Minutat e ankthit trishtueshëm trokitën
Si kuajt ballbardhë mamuzet fantazëm
Në udhë të pluhurta pa traga,.. ulëritën.
 
Gjysmëora helmoi portat e shpirtit,
Vrasësit anonimë nxitonin të më merrnin frymen.
Me vuajtje fantazmash pakuptim.
 
Tashmë e dija. Askush nuk vinte tek unë;
Sepse zbrisja shkallë që nuk ekzistonin.
Pritja është një segment hapësire
Që nis nga Lindja dhe mbaron në...Vdekje !!
 
 
 
 
BURGOSJA E DIELLIT
 
Për kështjella majëkodrash kemi folur,
Për mure viganë mitikë,
Jemi mburur për luftra, fitore,
Për humbje që s’i njohëm kurrë..
Për zemrat e vrara, drithërimat,
Arsyen e kalbur, pushkatimet, hata
Për zvrarritjen e jetës baltosur,
Humor kemi bërë, shaka.
 
Për mijëra dashuri të shkatërrura,
Të thyera kristale dritëmekur
Për rrëmbime cubash mjeranë,
Për lule të shkelura flokëgrisur
Në shtëpitë publike matanë,
Nën hije përralla kemi stisur.
 
Gjakmarrjen rrethuar me mure tërbimi
Përrenj lotësh kemi fshehur gjithkund
Kemi heshtur supngitur diku në një rrugë
Për vitet e varrosura, të mjera atje
Po heshtim për diej që mbyllen në burg.
Po heshtim për vitet që ikin për ne..
 
Për kështjella majëkodrash po flasim,
Për humbje që nuk i njohëm kurrë..
 
 
 
 
 
H E S H T J A
 
Një gisht u zgjat mbi buzët e mia
Mbi buzët e mia nga puthjet gjak
Një gisht që më pengonte fjalët
Frymën, lumturinë ma ndalonte pa shkak..
 
Cepi i parajsës ngjethshëm po ikte
Mbi xhama avujsh puthjesh-plotë
Një stinë e mykur pa ngjyra vinte
Me diell të ngrirë e sytë lotë.
 
Më thoshte se ne do ndaheshin të qetë,
Ashtu, pa britma pasionesh kushedi
Nuk vdiste kurrë dashuria e vërtetë
Dikur, diku mund të takoheshim përsëri..
 
Habia e qetësisë që grisej kështu,
Prej derës së hekurt që duhej të hapja,
Mrekullinë e një dhome harruar diku...
Në periferi të dëshpërimit po mbartja
 
E thellë plaga e ndarjes po hapej
Tragjike njohja, dashuria, gjithçka,
Zemra qe lënduar sa mund të ndalte
Dhe vdekja të mbinte papritur,.. hata!.
 
Vështrimin e saj dritëhëne shihja
Përcjellës, e ndjekës, tragjik, sy-lotë
Më lutej të ikja, të ikja, të ikja
Në takim me vetminë time të ftohtë,
 
Dhe bosh-in e kobshëm me vete e mora
Me dritë të ndezur ike edhe ti
Një një cep të pluhurosur planeti...
U ndamë pa zë, në heshtje, gjithsesi..
 
 
 
 
K L I T H M A
 
Për një çast, për një sprovë, për një ankth.
Nga vetvetja ika i trishtuar.
Lëkurën e unit e zhvesha me dhimbje
Dhe tej, një hap,- jo më shumë, -
Nga frika qendrova ta shihja
Këtë qenie të boshatisur në hije.
 
Për vete mbajta rrënkimet, dyshimet,
Gëzimet dhe lotët mbi shpinë ngarkuar.
Dashuritë e venitura, zilinë
E botës për bukuritë e ndjera,
Pasurinë, ambicjet, kujtimet, lirinë
Egoizmin po mbillja në toka të mjera..
 
Matanë, po vdiste një qenie pa gjak,
Po vdiste lëkura e tharë prej lëngut,
Të zemrës dhe mendjes,
Po vdiste një pjellë e llahtarshme,
E askundit, si krim i fshehur prej pengut
Po tretej ngadalë i pandëshkuar,
Aq hapur pat jetuar, aq mjeruar.
 
Më ligështonte figurina që përthyhej
Të shëmbej përtokë, e pluhurt anonte
Ekzistenca banale më ngjante pa vlerë,
Dilema të ikja më tej a të qëndroja .
Në të përjetshmen strehë vijonte..
 
Befas, befas, befas, befas,
Një zë tronditës, llahtar më thërriste
Klithma prej varrit e nënës sime gulçonte
Të rihyja në lëkurën e boshatisur të vetvetes..
Kërkonte, kërkonte..kërkonte..!
 
 
 
 
 
D A S H U R I A
 
Ti thua se fjalët e tua të janë një shfaqje dashurie,
Unë besoj se, mbi të gjitha, jemi thjeshtë të sinqertë !
 
Dashuria, po të jetë vërtetë e tillë e na dhemb,
Është nga të paktat kohë të bukura me stuhi,
Shtrëngata që na lagin e na mbajnë ngrohtë,
Sëmundje që nuk na shtrin në shtrat.
Dhimbje zemre që shpesh ka nevojë për vetmi!
 
 
Përgatiti: Haxhi Muhaxheri

Sonntag, 19. Juni 2011

Poezi nga Liman Zogaj


E KAM NJË ATDHE

E kam një shtëpi
Një shtëpi prej guri
Nga zjarri kur u dogj
Lindi prapë Flamuri

E kam një kala
Një kala prej shkëmbi
As shkrumbi as hiri
Nuk e luajnë vendi.

E kam një fole
Për zogjtë shtegtarë
Në Lladrocin rrëzë Dielli
Lule dhe behar.

E kam një Atdhe
Mbështjellë me liri
O e kam një Atdhe
nje Atdhe Shqipëri.
 
 


TRUNGU ME PESË DEGË

Lulen e këputur
E kanë hedhë në lumë
Ajo nëpër valë
Nëpër dallgë dhe unë

Lulja në lumin e ngrirë
Unë i tharë në erë
Ajo me blerim të vyshkur
Unë pa stinën pranverë

Lulja e këputur
Nëpër dallgë e valë
Trungu im i prerë
Në pesë degë i ndarë
 
 
 


BURGU

Aty nuk dihet
As fillimi
As fundi

Aty nëpër vetmi
Herë e kërkon
Biografinë e ferrit
Herë livadhet e shkreta
I mbjell me luledielli.

Në burg
As këngë zogjsh
Vetëm krrokatë shpendkeqsh
Vetëm korbat këndojnë

Aty ag e terr
Vdekja rri
Sy me sy
Me ty
 
 
 


SHTIGJET E DRITËS

(Tim vëllai, Prof. Shemsedin Zogajt)

A është e jona
Kjo botë
Një grusht dhe
Një copë qiell
Apo do yje drite
T’i mbledh si lulet.

Unë jam vetëm unë
As më i gjatë se hija ime
As më i rëndë
Se një grusht dhe
As më i djegur
Se hiri i vendlindjes

Gjithmonë fyt për fyt
Me shtrigat e territ
Nëntë rrathët e Ferrit të Dantes
I ke kaluar zbathur

Sot e njëmijë vjet e ke ditur,
Se errësira s´del fare nga mallkimi
As dielli nuk nxeh me lutje
Pa shtegtim pa djersë pa gjak

E di se të dhembin ujëvarat e lotëve
Nëpër pentagramin e rrudhave
Por akordoje me zhurmën e erërave
Lahutën time të varur në mur

Lirshëm le të luhet e këndohet
Në Premierën e lirisë
Ani pse e fituam mbi prush
Ani pse e fituam mbi shkrumb
E fituam me gjak

Liria është liri
O vëllai im!
 
 
 

NËNAT E TË PAGJETURVE

Në njërën dorë mbajnë lule
I vendosin varr mbi varr
Në tjetrën bëjnë ADN-në
E unazave të fejesës
Zinxhirëve të kromozomeve
Të shkrumbuara nëpër zjarre

Me thonj gërmojnë nën rrënjë
Atyre nën dhe u falin ledhatime
E përmallime nënash

Nënat në asnjë pranverë
Nuk ankohen për thatësi
Nëpër lumenj lotësh
Mbysin vajet dhe durimin

Në tavolinat prej guri
Mjekët bëjnë ADN-në e nuseve
Djegur në dasmat e përflakura.
 
/Poezi nga Libri i sapo Botuar "Shtigjet e Dritës"/
 
Përgatiti: Shaban Cakolli
 

Freitag, 17. Juni 2011

Cikël poetik nga Vehbi Skënderi


THUAJA HËNËS

Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s'ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !

Kur s'u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s'mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës - prit sa të vijë mbrëmja.

Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?

Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.
 
 
 
 
 
NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË

Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.

Ike edhe u ktheve!

Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.
"Nga jeni," pyes kot. "Nuk e di," më thua.
Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaj çdo prangë do ta këputë.
(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.
Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.
Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.

Po pse në Dashuri ndërron moti çdo minutë?

Sa e njerëzishme ishe kaq e çuditëshme e joshëse.
Si Hëna bukuroshe në Bazel në një mbrëmje vere.
Dhe melodi e largët, dhe çokollatë esmere!

Ti je Mjelmë Shtegtare e xixë nëpër natë.
Apo thjesht "kalimtare" një e tetëdhjetë e shtatë.
A ndoshta je «puhizë» që i vjen Botës përqark.
Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!

Apo një Pllakë Guri ndoshta miliarda vjeçe,
që s’dihet çfarë fsheh.
E vëren çdo Gjeneratë.




 
ORËT E MINUTAT, SI KËMISHA TË NGUSHTA FËMIJËSH

Më shtrëngojnë fort ditët e mia. Dilema!
Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh.
Paqja çdo çast sjell dhembje.
Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?
Jam tradhtuar nga Lufta e nga Paqja.

Ditët e mia të shkurtëra.
Jam stërnginjur nga etika e kallaisur. (Me aliazhe sulfuri.)
Nga retorika e papagajve parlamentarë.
Nga patetika minashkrehëse e ulemajve.
Ditët e mia. Orët e minutat.
Si biruca të ngushta!

Jam veleritur nga sfilata e "gjenuinëve" të gjelbër.
Nga edukata raciste e Aparteidit. Kultura e Pinguinëve të Anatol Francit.
Dhe kultura e Polifemit.

Nuk po e nxenë dot as kultura e odiçkës sime 3x3. (Në Bazel)
As kultura e filxhanit, që pi kafe. Dhe as kubatura e Oqeanit!

Po më ndrydhin fytin:
Shpirti primitiv i fluturimeve. Dhe shiu reaktiv.
Po më mbytin!

Orët e minutat lemeri! Pa fantazi e pa oksigjen.
Ditët e mia të ngushta, si këmish’ e Centaurit, nuk nxënë dot
As këtë zhuzhak të artë,
Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.

Ditët e mia të shkurtëra.

 


 
SHKALLET

Përditë ngjit mijëra shkallë që të të them "Mirëmëngjes!" Sa të të dëgjoj pak zënë.
Shpesh ndjen njeriu urinë e një fjale të butë e të pathënë
Më shumë se urinë për një trohëz buke.
Shkallë-shkallë sa të të them: «Nesër mos më prit!"
Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria! Dhe shpesh m’i këput krahët?
Mijëra shkallë! Nga superxhirot zemra po më çahet.
Pse më injektojnë helm çdo orë hallet meduza? Pse e mira çapet si qerre?
Dhe e Keqja si vetëtimë?

Mike! Më mirë vij rrëfehem te ti
Se në Katedralen Notre Dame de Pari...

Shkallë! Me koracë akulli e ballëdirsur
Për të soditur gjoksin tënd që dallgëzon si det nga frymëmarrja.
E për të të çuçuritur me një frymë :
Mike! Ndarja qenka më afër sesa takimi ynë…

Shkallë-shkallë! Që të përsërit pyetjen e përditshme : Si ke fjetur ?
Dhe pyetjen e çuditshme: Ku ka tretur loti im? Kush e ka gjetur?
Mijëra shkallë! As lodhem dhe as më këputen këmbët.
Kur presin dhëmbët hekur nga acari. Kur akulli tretet.
Kur vuajtjet e mia nuk i nxë as varri, as detet!

Shkallë! Shkallë! Në të dy anët e rrugës pemët. Shkurret dekorative. Trëndafilat.
Vilat në Bazel e në Rajnah. Vitet e ditët e mia rresht. Çapen bashkë me mua…

Dhe po qe se më pret Ti mbi Çatinë e Rruzullit. E po qe se më thua ti
"Jam në Everest", unë vij në çast. Sado të bjerë dëborë e çfarëdo ere që të fryjë.
Ngjitem! Bashkë me pajimet e mia: Ganxhat, çekiçët e litarët alpinë…
Dhe bashkë me shkrepat e tetëdhjetë (80) viteve mbi shpinë.

 
 


 
XHELOZIA

Një flokëverdhë helvetike, ndoshta shumë më e re se unë,
çdo ditë kalendarike bën për Qenin Zhyl Vern dy ditë pune.
Kjo mrekulli 24 karat që bën t’i ndrijë dy orë larg ngjyrë e lëkurës
Magjeps çdo kalimtar posi Lulja e Ujit mbi Liqenet e Lurës.


Sykaltër posi jar merr dhe tri medalje ar për Bukuri.
Në orë e në shi dy tetorëshe ia ndan Mikut Zhyl Vern.
Kur bën diell e kur vjen hija. Unë e përshëndes e diç dua t’i them.
E skuqem si fëmijë nga zilia. A që t’ua them hapur: vdes nga xhelozia!


Por s’di se si një ditë - jo, mor zotni, një çast! – i ndodhur shumë afër saj.
E shumë larg! – i flasplot njerëzi: Zonjë! Ndonëse nuk kam emër të madh
Si Miku juaj Zhyl Vern, ju betohem sinqerisht për Jehovanë,
Ju dua sa Qielli! E sa gjithë lulet e zogjtë kudo që janë!


Me tërë Mallin tim të flaktë: Ju dua! Andaj ju lutem shumë falmani këtë natë.
Jo, po kërkoj një natë dimri mijëra milje të gjatë.
Dhe as një natë vere, kur muzgu është i shkurtër e ikën shumë herët.
Ah, së paku falmë mua një orë vetëm, o e Bukur, një mëngjes a një mbrëmje.


Kur të jesh sa më e lirë. Dhe nëse je shumë e zënë
(O Zot, po vdes nga xhelozia) me Zotninë Zhyl Vern
Dhe çdo hapësirë e juaja është llogaritur
Në ditën tuaj kalendarike e s’ke një pikë bosh për të më pritur.
Se çdo lëvizje e re mund të të shkaktojë trauma e dhimbje,
Ndalo si kanarinë e ëmbël pa kurrfarë frike
Në shelgunpranveror të kësaj erotike!


Veç ja ku të betohem për këtë Tokë e për këtë Qiell!
Nëse nuk i përmbaheni dot as Minimales,
Unë do ta ftoj në duel mikun tënd të nderuar Zhyl Vern,
Posi dikur Pushkini i revoltuar baronin Dantes!
 
 
 
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
____________________________

Donnerstag, 16. Juni 2011

Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS" 2



Libra dhe autor:

Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS"
(Pjesa e dytë)
 
 
 
UDHËT ME BAR
 
U nisa një natë
Nga Deti në Lezhë
Nga Lezha në Prekaz
 
Nuk mbërrita me kohë
Urat udhët plot bar
 
Për Prizren
Manastir e Vlorë
 
Do të nisem sërish
Përditë e përnatë
Ta shkel atë bar
 
Ta bëjmë atë rrugë
Që do të na shpjerë
Drejt nesh
 
 
 
 
ATDHEU ËSHTË JASHTË NESH
 
Atdheu është jashtë nesh
Më thoni për shembull
Cili qiell i mbulon të gjithë
 
Si t’i bëj bashkë oazat e shpirtit tonë
Sërish këngën e moçme ta bleroj
 
Që kur na prenë qiellin
Uji deri në fyt
Që kur na prenë tokën
Mali më nuk u rrit
 
 
 
 
 
 
MJEGULL NË RRUGË TË MOÇME
 
Në rrugën e moçme
Sakaq ra mjegull
Pluhur të ra
Në blerimin e syrit
 
Fluturo lart jeto në qiell
Në atdheun e dashurisë
 
Je tepër e bukur
Këmbët t’i këput
Ky ujë i turbullt
 
Fluturo lart
Mate afërsinë tonë
Me vitet e dritës së yjeve
 
Në rrezet e diellit
Të shndritin flokët
Një erë e jugut
T’i ndan nga shiu lotët
 
Jeto në qiell
Këtu poshtë asnjë yll
 
Je tepër e bukur
T’i këput këmbët
Ky ujë i turbullt
 
 
 
 
FORMAT E LIRISË NË BALLKAN
 
Pa sy më lanë
Këngët m’i vodhën
Legjendat vajin e Nënës
Tokën me varre lirinë gjysmake
 
S’e lashë të flinte Ballkanin
Kur ia merrja këngës për lirinë
Në tokën e vogël
Nën qiellin e madh në Ballkan
 
 
 
 
MALI
 
Je mal
Sa të kesh dru
Për të bërë zjarr
 
Je mal
Sa të kesh gurë
Për të bërë mur
 
Nuk je mal
Kur e djeg vetveten
Na lë pa gjelbërim
Na e verbon jetën
 
Je mal
Sa të kesh tokë
Që t’i mban rrënjët
 
Je mal
Sa të kesh qiell
Që t’i mban degët
 
Ji Mal
Mal pashë besën
 
 
 
 
 
MALLI I MOÇËM I ATDHEUT
 
Fëmijëria ime
Cilën lojë ke filluar sot
Rreth Trungut të Moçëm të Mollës
 
Në një oborr të Ilirisë
Kur bëra hapat e parë
Vrapin ma prenë
Fluturimin ma vranë
 
Nuk më mjafton toka
Për një lojë të vjetër
Të vogël e kam qiellin
Për një fluturim të përmallshëm
 
E madhe Iliria e vogël Arbëria
Pak Kosovë pak Çamëri
Ç’është kjo punë me ty Shqipëri
 
Mbi rrudhat e kujtimeve mendohem
Nuk më ngroh a ra fare në det
Dielli im i Artës
 
 
 
 
 
 
MBRËMË
 
Nxora nga një gur
Në të gjitha malet e mia
Mora nga një gur
Për të moçmin Mur
 
Dhe Nata u plagos
Muret më nuk rrëzoheshin
Urat më nuk dridheshin
 
Atdheun e mbusha
Me zhaurimë gurësh
E britma mjeshtërish
 
 
 
 
 
 
MËNGJESI MË VARFËRON
 
Posa të hap sytë
Më varfëron
Më pengon
Mëngjesi im
Mëngjeset tona
Mik...
 
Tjetër dashuri
Tjetër dhembje
Ndër ëndrra
Tjetër mall
Tjetër zjarr
 
S’e bëj dot
Një tokë e një qiell
Si dua vetë
Dhe një det
 
Më varfërojnë
Njerëz të ditës sime
Tru e zemër zhveshur
 
Dhe dua nata të bjerë
Pas mëngjesit
Menjëherë...
 
Të më kaplojë ëndrra
Me atë mall
Me atë zjarr ndërplanetar
 
Dhe ta bëj një tokë
Ta bëj një qiell
Si dua vetë
Dhe një det
 
 
 
 
 
MËNGJESI NË KLINË
 
Nënat janë ngrirë në pritje
Nënat e Kosovës
Statuja të lirisë
 
Syri i tyre shpon qiellin
Loti i tyre turbullon Drinin
 
Cilës nënë
Do t’i kthehen sot
Eshtrat e djalit
Në thes najloni
Made in Serbia
Ku rrëshqasin nuk rrinë
Lulet e lirisë
 
Puthadorët servilët
Tyxharët e rinj e të vjetër
Çojnë pluhur rrugëve
Bëjnë mjegull mbi qytet
 
Pastaj i lutem Drinit të Bardhë
Si për gjak i lutem
Të më marrë me vete
Të më marrë...
 
 
 
 
 
BALLË PËRMBI QIEJ
 
Të shajnë të dashurojnë
Ikin prej teje vijnë prapë
S’kanë ku shkojnë
Me parti ta plagosin plagën
 
Ti me krahët e shekujve
Mbështjell djepat legjendat
Të gjitha varret lapidarët
Ushtar mijëvjeçar
 
Nëpër shi e në çdo luftë
Flamurin më lart
Në Krujë e në Prekaz
 
Lum kush puthi ballin tënd
Atë ballë përmbi diej përmbi qiej
 
 
 
 
 
ERË E RE
 
Erë e re
Fluturimin
E shqiponjave
E lartëson
 
Fryn erë lirie
Me dashuri
Shqipërie
 
 
 
 
 
PAMJE HISTORIKE
 
Ti ishe aty
Diku pranë syve
Të Mbretëreshës Teutë
Kur kaltëronte detin tonë
Pas mbarimit të zezonës
 
Në Lezhë ogur i bardhë
Mes trimash në Kuvend
Qëndronte hija jote
Kur u kthye Gjergji të na bashkonte
 
Pastaj në Prizren sërish u lidh Besa
Të mos na binte qielli mbi çati
Deti të mos na hynte në shtëpi
 
Flamur dërgove në Vlorë
Flamur more nga ajo
Të bëje maleve dritë
Të kishe më shumë lule dhe dasma
Të kishe më shumë fëmijë
 
Pastaj eh pastaj
Kur sërish na vunë
Qiellin përmbi kokë
Shprushi zjarrin në Prekaz
Adem Jashari me Jasharë
 
 

 
PAMJE LIRIE
 
Liri është për shembull
Të fluturojë mbi Kosovë
Kujtimi im për Ilirinë
 
Të kaltërohet në një lumë
Kosovës t’i bëhet Flamur
Kujtimi im
 
Liri nuk është për shembull
Të mos e kesh në shpirt
Arbërinë
 
 
 
 
 
 
FENIKSI I DASHURISË
 
Shekuj me radhë natë
Zjarri fikej shumë vonë
Me hirin e vet mbuluar
 
Nga hiri i vatrës
U lind Feniksi i dashurisë
Dhe u bënë djepat dhe varret
Në dheun tim
Me lisat e mi
 
Gjuha bëri këngën vajin e vet
 
 
 
 
 
PA NJË MIJË FYTYRA
 
T’i bënë një mijë fytyra
Dashuri s’kam t’i dua të gjitha
As urrejtje t’i urrej të gjitha
 
Jotja imja është ajo fytyrë
Për të cilën zbrazën damarët
Thellë te rrënja e rrënjëve të tua
Ata bij ato bija para pas një mijë vjetësh
Nëpër Dyrrah Albulenë Valkal Prekaz
Imja je vetëm ti moj Kryezonjë
Sytë në Dete faqe Mollë
 
Por... i vogël je ti
Ta dish sa të duam ne
O Atdhe...
 
 
 
 
 
KALTËRSI E DETEVE
 
U dogja në ëndërr e në gjak
Kurrë nuk të pashë të tërin
Jam unë a ti je larg
 
Madhështi është që ti nuk bëhesh
Oborr i shtëpisë as rrugë e ngushtuar
Ke qiej mbi qiellin që shihet
Ke tokë nën tokën që ndizet
 
Pavdekësi është të jesh zog
Hapësirave të tua
Kur lindet kaltërsia
Pa të cilën nuk kanë sy detet
Nuk shohin legjendat
E tokës së gurtë
 
 
 
 
 
JETA JONË UNAZË E NGUSHTË
 
Para se ta bënim ne veten tonë
Ata bënë të tyren
Vunë unaza harqe
Shumë rrathë shumë burgje
Për të na larguar nga ajo Zonjë
Dhe nga Flamuri i saj
 
Dhe e rrethuan sa më mirë
Terrin e botës ia vunë mbi sy mbi Diell
Ta zvogëlonin sa të donin
 
Dhe ne depërtonim unazave
Përgjakeshim nëpër rrathët e ngushtë
Nëpër burgjet e gjera
Të mos ndaheshim kurrë
Nga ajo Zonjë nga ai Flamur
 
Dhe ajo nga lumenjtë e gjakut
E nxirrte Flamurin e përgjakur
E vinte sërish majë Kalasë
 
Një ditë ajo vetë e përgjakur
Flamurin e nguli në ajër
 
Tash fryma e Bashkimit era e Lirisë
Seç e valëvit atë Flamur seç e valëvit
 
 
 
 
 
 
NË FIERZË
 
Mbi Fierzë
Nuk mund të bjerë nata
Janë bashkuar
Dy Drinët e Shqipërisë
Të bëjnë dritë
 
Ngjitu mbi Fierzë
Ngjitu lart në qiellin e saj
Mbi dritën mbi mjegullën tonë
 
Drini shpresën ta kaltëron
 
Drini rrjedh kaltër rrjedh një
Nëpër Shqipëri
 
As bardhë as zi
 
Drini rrjedh kaltër
Drini rrjedh një
Nëpër Shqipëri
 
Drini rrjedh një
 
 
 
 
 
O BERAT
 
M’i fal dy shkallë të kalasë
Të mos ngjitem ku nuk arritëm
 
M’i fal dy dritare të mos shoh
As prapa as përpara
 
M’i fal dy gurë të mos bëj mur
 
Ma fal atë zë atë kambanë të lashtë
Të hesht të qaj o Berat
 
Falma gjithë atë qiell
Falmi gjithë ata gurë
Dhe një Shtëpi dhe një Udhë
 
Kemi bërë fotografi me ty
Kemi derdhur lot mbi gurët e kalasë
Por nuk u ngjitëm lart
Më qaj më fal o Berat
( Berat, shtator 2010 ) 
 
 
 
 
 
( NUK ) E DUA ATDHEUN
 
Një fotografi me fytyrë Shqipërie
E pata fshehur dikur në mal e në mur
Për ta përqafuar larg syve të spiunëve...
 
Por…( nuk ) e dua Atdheun...
 
Gjithë ajo dashuri
Parnas ku mblodhi lule Evropa
Për kurorat e saj...
 
Ky flijim për shekuj mësim...
 
Por…( nuk ) e dua Atdheun
Sepse ( s’) jam flakë e atij qiriu...
 
Përnjëmend ( s’) e dua Atdheun...
 
 
 
 
 
VONË
 
Të ishte shkruar më herët fjala
Më herët të ishte pjekur në pllaka dheu
 
Të mos i kishin djegur
Të mos i kishin vrarë librat
 
Si qielli të paprekshme
Do të ishin
Të pashkelshme
Hapësirat e lirisë
 
Të mos i kishin djegur
Të mos i kishin vrarë librat
 
Në ishullin ndërmjet detit dhe territ
Ta kishte burgun e përjetshëm robëria
 
Nuk do të na ndiqnin tërë jetën
Fëmijët dhe metaforat
E pushkatuara ndër luftëra
 
 
 
 
 
 
KURORË PËR LASGUSH PORADECIN
 
Liqenin Vashën dhe Trimin
Dhe gjithë atë Zjarr
Ti i krijove me gjithë atë Mall
 
Të mos zhbëhet Poezia dhe Dashuria
Shqipëria dhe Liria
 
Nëpër bukuritë e vendit tim
Me lule me zogj bëhen bashkë
Të bukurat të tuat fjalë
 
Vështirë ta bëj një varg të mirë
Vështirë të gjej mall e të gjej zjarr
 
Në qiell e ngjite fjalën të falem
 
 
 
 
 
 
 
 
MERR UDHË ME DRININ
(Poetit Agim Vinca)
 
Mbi Drin të Zi
Larg Drinit të Bardhë
Farë poezie mbjell
Farë dashurie
Për shqiptarë
 
Nëpër vargje fryn
Frymë e Kosovës
Mbi Drin të Bardhë
Larg Drinit të Zi
 
Fëmijët seç i rrit
Ai shi në atë lirikë
 
Seç na djeg bukuria
Seç na përvëlon malli
Në orën letrare
Të orëve shqiptare
 
Një Zanë e moçme
Dashuri ta bën poezinë
Aty ku bëhen një
Dy Drinët e Shqipërisë
 
 
 
 
 
GJIROKASTRA FJALË E GURTË
 
Pse s’më the më herët
Lumja ti
Të gjitha këngët
Të gjitha vallet
Krejt librat më të mirë
Vetë i paske shkruar
Majë Kalasë
 
Guri im fjala ime
 
 
 
 
 
AGIM GJAKOVA
 
A e ke gjetur Fëmijërinë
Nëpër shkrumbin e qytetit
 
A e ke fshirë nga qafa
Ngjyrën e gurëve
Dhe të dheut të Kosovës
 
Deri vonë vonë jemi zgjuar
Vonë kemi mbjellë bimë të vona
Agim Gjakova
 
 
 
 
 
KRISMË ËSHTË EMRI YT
(Din Mehmet Dinës, në 80 - vjetorin e lindjes)
 
Ku t’i lëmë
Ku t’i gjejmë legjendat Baclok
 
Ku t’i lëmë
Ku t’i gjejmë trimëritë
 
Një mijë vjet majë bjeshke
E ke rrahur e ke shqyer tupanin
Që të na nxjerrësh gjumin e moçëm
Që të mos i përlyejmë
Të mos i zhveshim kurrë
Rrobat mijëra vjeçe të Bukurisë
Ku t’i lëmë Baclok
Ku t’i gjejmë trimëritë
Penën në dorë syrin në frëngji
Seç e veshe këngën me luftë e liri
Seç e godite Vdekjen
Me dy zjarre përnjëherësh
Mbi cilin vështrim tëndin
Pushojnë shqiponjat e lirisë
 
I bëre qiell shi e diell
Dashurisë sonë
Që s’e nxë Kosova
 
Asnjë legjendë nuk mungon
Asnjë dëshmor asnjë dashuri
Krisja Baclok mbulona me Liri
 
 
 

FJALA FJALË
( Poetit Din Mehmeti, në ditën që vdiq fizikisht )
 
Fjalën e linde fjalë
I vure plis mbi kokë
E mbushe Kosovë
Shpeshherë Baclok nuk e di
A më kanë mbuluar vargjet
A në Det më mbytën dallgët
 
Nuk e di Baclok a jam fëmijë
A jam bërë Kosovë në një metaforë
 
Krisja në kupë të qiellit
Në kupë të qiellit krisja
Baclok pashë besën
 
Të mos shemben kullat e moçme
Të mos shkrihet mbi bjeshkë bora
Plisi i bardhë i kryengritjeve tona
 
 
 
 
 
FJALËT E ARBËRISË
 
Fryj moj erë
Me fjalët e Kryezotit
Të zotit Tatë
E të zonjës Mëmë
 
Pusho moj erë
A bëhen varret në det
Pusho ta prekim tokën
E të qajmë për Nënëloken
 
Një qiell lirie krijohet
Dashuria rilind
Kur shprushin zjarrin
Fjalët e Arbërisë
 
 
 
 
 
FJALË TË LUTEM
 
Dashurinë bëje flamur
Mbille në qiellin më të lartë
Të lutem o fjalë
 
Urrejtjes vija qiellin mbi kokë
Këmbët mos ia lë mbi tokë
 
Shpirti im fjala ime
 
Ndër rrokje të kesh valë
Lotin mos e thaj
Në botë ka shumë lot
 
Kur të fryjë frymë nga metaforat
Le të dëgjohen ulërimat kafshimet
E qenve e të dhelprave mbi rrënjët tona
 
Le ta mbushë Atdheun frymë e jugut
Që frynte në zemër të Kosovës
Kur bënim pranverë
Të rriteshin degët e lisit
 
Me kurora më të bukura se lulet
Lulëzoji lulet e lirisë
Yjet më të lartë të qiellit tonë
 
Shpirti im fjala ime

 
 
 
 
 
DETI NUK KISH HARRUAR
( Poetit Rifat Kukaj )
 
Bajlozi as vdekja e zezë nuk doli në breg
Se deti nuk kish harruar
As e bukura e Ulqinit
Dhe nuk ra vjeshtë aspak mbi plazh
 
Poetit çdoherë i dhemb diku
Dhe vetëm pak është shtrirë
Numëron hapësirat planetët e poezisë
Vetëm pak është shtrirë
Pastaj është në Prishtinë nën Mollë e rrëzë Gurit
Maleve për në Krujë drejt Janinës kah Arta
Me poezi-liri mbështjell gjysmëqiellin arbëror
Copëzat e tokës së copëzuar
Prandaj je e vogël Drenica ime e madhe
Krejt të kam dhembje krejt të kam zjarr
Qan në Ulqin poeti qesh e qan
 
Pastaj dielli përpiu retë u hap perdja-qiell
Adriatiku ia shprushi dashurinë nëpër dete
Gjergj Elezit të Ri
Ai vetëm pak është shtrirë
Të mos bjerë kurrë planetëve të poezisë
 
 
 
 
 
FJALA E TAHIRIT
( Poetit Tahir Desku në 53-vjetorin )
e lindjes
 
Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë
 
Unë nuk pija si të tjerët
Gjak djersë dhe ujë të zi
Tahir Desku pinte raki
Bënte poezi liri Shqipëri
 
Bëra punë
Të mos kishte fare muzg e burg
Yje të ketë bota diell dhe yje
Pa fund pa fund
 
Tokën jua shtrova me dashuri
Qiellin jua mbështolla me poezi
 
Kur nga zjarri i Drenicës sime
Qielli u ngjit më lart
U bëra vëlla i shqiponjave
Në llogore në mal
 
Nuk isha mësuar me Liri
Atë natë hënës a dikujt tjetër
Ia kish marrë syrin vdekja
Dhe vdiqa kaq i ri nuk e di
 
Ju edhe tash vini veshin mbi varr
Në mos Tahiri po pi raki
Në mos Tahiri po bën Shqipëri
 
Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak djersë ujë të zi
 
As mbi letër as mbi shkëmb
Nuk mund të shkruaj më
Drenica ime mos më lë
Krisja pushkës poezisë sime
Mbështjellë me zjarrin tënd
Me të tuat gjëmime
Drenica ime
 
Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë
 
Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak e djersë
As ujë të zi
 
 
 
 
 
 
MITINGU I POEZISË NË GJAKOVË
PAS LUFTËS SË FUNDIT
 
Liria i solli të gjithë poetët në Gjakovë
Të mos i marrë harrimi kurrë
Pamjet e Kosovës pamjet e Gjakovës
Me rreze lirie në ballë e përfaqe
Me kroje gjaku lulëzuar me varre
 
Atë mbrëmje poetët me dritë të yjeve
Me lot me dhimbje të nënave
Me qiellin në sytë e fëmijëve jetimë
Bënë vargje kurora të poezisë
 
Nëpër shkrumbin nëpër pritjen e akullt
Të rrugëve të rrugicave të shtëpive
Agim Gjakova vraponte pas fëmijërisë
Ta merrte për dore në Shqipëri
Në vend të gurëve e të dheut të Kosovës
Që kishte bartur me shpinë deri më tash
Pa e shuar mallin pa e shkrimbur etjen
Asnjë çast
 
 
 
 
 
 
ÇFARË JE TI
 
Një det trazove një botë
Ç’luftë u bë për ty ç’vajtim
Sot nuk dihet ku është Troja
 
Asnjë fije qerpiku asnjë vështrim
Nuk t’u mbyt në det
Kaq e bukur mijëra vjet
 
I jep gji Jetës
Ëndrrës dhe Legjendës
Mban Qiell e Tokë
Të mos shemben
 
Je Helena dhe Penelopa
Euridika dhe Ora e malit
 
Doruntinë që këput
Prangat tona
Të mendjes të dashurisë
 
Femër apo çfarë je ti
Hënën përmbi fytyrë
Plot yje në sy
 
 
 
 
 
 
VISHU KALTËR
 
Vishu kaltër
Si qielli
Si deti
 
Si sytë e tu
Kaltër vishu
 
Vishu kaltër
Të mos mbetet
Në Qiell
Asnjë vranësirë
 
Vishu kaltër
 
Me Qiellin
Me Detin tonë
Përgjithmonë
 
Yll
Mbi shtigjet
E shpirtit tim
 
 
 
 
 
 
BARDHËSI JETE
 
Flokë-flokë bie borë
Mbi ca flokë të afërt
Mbi ca flokë të largët
 
Nga qielli i fëmijërisë
Bie borë
 
Bie borë përmbi jetë
Nga kujtimet bie borë
Mbi flokë kujtimesh
 
Mbi flokë që shprishen
Dhe mbi flokë që në jetë
Kurrë më nuk gjinden
 
Flokë-flokë bie borë
Përmbi flokë
 
Bien flokë që jetojnë bardhë
Përmbi flokë që të bardha s’janë
 
Nuk bie borë si atëherë
Bie borë përmbi Jetë
 
 
 
 
 
PORTRET ME DIELL
 
Me flokët e tu të verdhë
Ujëvara lumenjsh bëj
 
Kroje të kthjellëta
Harqe ylberesh bëj
Me flokun tënd
 
Kur jugu ta shprush
Kur jetë më mbush
 
Me kaltërsinë e syve të tu
Bëj qiej yje dete bëj
Mjegull të mos ketë
 
Me zërin tënd mbushur baladë
Ia marr në kupë të qiellit ia marr
Të zgjohet kush është i gjallë
 
 
 
 
 
 
HËNË E PËRGJAKUR
 
Po krejt ëndërr ka qenë
Nuk shprisheshin flokët
Nuk viheshin fjongot
 
Pastaj diku larg
Me erën erdhi një zë
Ma bëri zemrën gropë
Pastaj gropova
Varreve të lirikave të djegura
Fluturova kaltërsive të syve
U dogja rreth zjarrit të mallit
Po ëndërr krejt ka qenë
Jetën nuk e kemi jetuar
Mbi përmendore
Nuk të vura
Kurorë të mortit
Fjongot e thurura me poezi
Nuk vihen dot mbi të tuat flokë
Ç’është kjo ëndërr që nuk mbaron
 
Gërsheti të paska ngrirë
Në themel të lirisë
 
Hënë e përgjakur për Diell
Më e bukura lirikë
 
Po krejt ëndërr është
Krejt ëndërr ka qenë
Për Liri dhe Jetë
 
 
 
 
 
RRI KU JE
 
Rri atje ku je
Në Det
Ku ka jetë
Thellësi
Ujë
Dhe kohë më shumë
 
Mos dil
Banorët e Tokës
Të mashtrojnë
T’i vënë prangat
Përmbi Bukuri
 
Jeto në Det
Mos dil në breg
Qytetarët e tokës të përbaltin
 
Pastaj Deti e Qielli
Derën nuk ta hapin
 
 
 
 
 
NËSE QËNDROJNË VARGJET
 
Në kalofshim Detin
Në shpëtofshim valëve gjeratoreve
Në një Ishull poezie
Kaltër do të bëjë dritë syri yt
Dhe qielli i kujtimit tim
 
Pastaj do të jetojmë më shumë
Pa frikë do t’i interpretojmë ëndrrat
Sepse koha ndryshe do të matet
Ndryshe do të çmohet
Fjala dhe loti i syrit
 
Mëngjesi s’do të trokasë në dritare
Pa mbaruar ëndrra e bardhë
 
Kohë tjetër Jetë yjesh do të jetë
 
Nëse nuk na marrin valët
Nëse qëndrojnë vargjet
 
 
 
 
 
 
TË MOS SHUHET ZJARRI
 
Përmasat e pafundme
Të kaltërsisë së syrit tënd
Më dhanë dritë t’i gjej
Dy yje shumë të largët në qiell
 
Dy yje që nuk bien kurrë
Në tokën e ulët
 
Shkëmbejnë zjarr pa u bashkuar
Të mos pakësohet zjarri kurrë
Të kemi dritë në shpirt
 
 
 
 
 
ODE PËR BUKURINË E SAJ
 
Në asnjë qiell s’ka ylbere
Si kjo buzëqeshje
 
Asnjë lumë në botë
Nuk ka ujëvarë më të bukur
Se këta flokë
 
Asnjë det nuk ka valë
Si këto fjalë
 
Asnjë yll në gjithësi
Nuk ka zjarr si këta sy
 
 
 
 
 
PUHIZË NDËRPLANETARE
 
Një puhizë ndërplanetare
Flokët seç t’i shprish
Retë seç i djeg
Sytë me kaltërsi e zjarr t’i vesh
 
Nga cila galaktikë u shkëpute
Zjarr i cilit yll je
Fluturim drejt tokës u nise
Të shuhesh pa prekur atje
 
 
 
 
 
 
CILA SIRENË JE TI
 
Ndiej si rrjedh
Drini i Bardhë
Dhe Drini i Zi
Nëpër ata sy
 
Kush të mbështolli
Me këtë dritë
Me zjarr me kaltërsi
Cila sirenë je ti
 
Ma djeg terrin
Në natën time
M’i djeg retë
Në qiellin tim
 
Bën pulëbardha
Dhe albatrosë
Me të Detit valë
Nuk më lë
Në breg të dal
 
Cila sirenë je ti
Cili qiell
Cila kaltërsi
 
 
 
 
 
 
 
DIALOG ME ARBLINDËN
PËR ATDHEUN E MOÇËM
 
Arblinda është lindur
Më 28 Nëntor 1997
Është fije dhe bijë
E Nëntorit të Shqipërisë
 
Dhe e shoh e ndiej
Tërë shpirtin e lë
Brenda vargjeve
Për rrugëtimin qindravjeçar
Të 28 Nëntorit shqiptar
 
Tre-katër muaj jetë i kishte
Gjarpinjtë e mësynë
Qentë dhe ujqit e territ
E përzunë nga shtëpia
Ia dogjën lodrat dhe djepin
 
Hapat e parë i bëri
Udhëve të përgjakura të Lirisë
 
Fëmijë ishte në Labunishtë të Strugës
Në prag të vitit të dytë të jetës
Kish frikë ia kanë ngrënë
Ujqit Vendlindjen
Dhe kanë bërë gropë të madhe
Varr për të gjithë fëmijët
 
 
Kish frikë mos ia kanë vrarë
Hënën dhe yjet mbi livadh
 
Tash kur Arblinda lexon
Vargje të brishta për lirinë
Shpesh më pyet për Atdheun tonë
Që ka një mijë harta
Një mijë ( keq ) kuptime
Dhe një mijë përkufizime
 
Dhe kur nuk i përgjigjem
Kur asgjë nuk i them
Ajo buzëqesh si engjëll
Mendjen ma blen
 
 
 
 
 

FIJE TË BUKURISË
 
Nuk e di
A ia shtova një fije bukurie Bukurisë
Me emrat tuaj
Erë Arbianë Arbesë Arblindë
 
Yje mbi natën time
Mbi shtegtimin e pamort të Kostandinit
Fije të nusërisë së Doruntinës
Lule të Arbrit e të Artit
 
Nuk e di por e di mirë...
Erë Arbianë Arbesë Arblindë
 
 
 
 
 
 
LARGIMI I DHUNSHËM I ARBLINDËS
 
Bija ime kurrë mos harro
Je lindur më 28 Nëntor 1997
Në Prishtinë
 
Je lindur
Më 28 Nëntor të kohës shqiptare
 
Gjithmonë ji
Me Gjergjin me Flamurin me Ademin
Me Diellin
Me Besën e asaj Dite prush në Llaushë
 
Moshatare e pushkëve të lirisë
Arblindë
 
Ndër shekuj
Arbëria vesh qiellin me Flamur
Skënderbeu bën Atdhe
Tokë e qiell vishen me Drenicë
Ditëlindja jote Arblindë
 
Në zjarrin e librave në vendlindje
T’u dogjën lodrat t’u dogj djepi
 
Luaj me yje Arblindë luaj me hënë
Lodrat t’i dogjën policët serbë
 
Mjekja kosovare në Veleshtë
Nga mushkëritë e tua të njoma
Nxjerr terrin tmerrin
Shiun e zi të Bllacës
 
Ende të rrjedh ndër ëndrra
Ende të ndjell gjumë
Valë e Drinit të Zi
Qielli me yje mbi Strugë
 
 
 
 
 
 
KUSH QANTE NË SPITAL
( Bijës sime, Arbianës, që në lojë theu krahun e majtë, dhe ia shëroi )
me shumë sukses dr.Isa Kaliqani
 
Ai zë
Nuk ishte zëri yt
 
Nuk ishte yti
Ai vaj në spital
 
Nuk të kisha dëgjuar
Të qaje kurrë ashtu
 
As kur zgjoheshe
E trembur nga ëndrrat
 
As kur të humbte kukulla
Në barin e livadhit
Pranë shtëpisë afër malit
 
As kur frikësoheshe
Nga mjegulla dhe nga qentë
 
Nuk ke qarë kurrë ashtu
As kur shpeshherë pa dëshirë
Të kemi lidhur në djep
 
Më thuaj tash Arbianë
Sa ëndërrove sa u lodhe
Tek mundoheshe kot
Të shfletoje Abetaren
Të krihje flokët e kukullës
Dhe flokun tënd
Me dorën e thyer
 
Pas gjithë asaj dhembjeje
Pas operacionit
Pas ëndrrës që ke parë
Tash kur je mirë
Dhe Botën e përqafon
Me të dy duart
Pse më bën pyetje me copëza ëndrre
Pse më mbulon me heshtje
 
Babi mjekët a ngjiten në qiell
A e kapërcejnë ylberin
Ku e morën barin
Që ma shëroi krahun
 
Më pyet Arbiana
Tash kur nuk ka dhembje
E Botën e mbush me buzëqeshje
 
Tash kur me të dy duart
Vjel ylbere në qiell
Për flokët e vet dhe të kukullës
 
Arbiana me të dy duart
Thur pëlhurë të bukur
Për shpirtin e njerëzve
( Rixhevë, fund nëntori 2008 )
 
 
 
 
 
DASHURIA E QIELLIT
 
Njëri sy i diellit porsa doli mbi re
Arblindi i vogël iku në oborr
T’ia puthte syrin dordolecit
 
Dhe zuri të binte borë sërish
Qielli shtonte dashurinë
 
Borën e shkrinte
Zjarr i buzëve të Arblindit
Mbi fytyrë e sy të dordolecit
 
U bëra gjuhë e dashurisë
E bardhësisë
 
Çdo flok bore ishte
Qiell dashurie
Nga qiejt e panumërt
Të Universit
 
Pashë tek hynte
Në zemër të Arblindit
Dashuri e qiellit
 
 
 
 
MË DJEG MALLI PËR NËNËN
 
Sa s’kanë filluar të më dridhen gjethet në shpirt
Mund t’ju them vetëm kaq:
Nëna ime ka vdekur më 26 korrik 2006
Mos më bëni më pyetje për nënën time
Mos më bëni më pyetje për dhimbjet e saj
 
Lutem të fryjë pa pushim jugu
Të fryjë mbi gjethet e ftonjve që mbolli nëna
 
Lutem dallgët të fryjnë pa pushim të fryjnë
Mbi sëmundjet e Kosovës që nënën ma morën
 
Nuk e di në cilin qiell të Universit
Mund të çmallem me nanën
 
 
 
 
 
KUR NUK KEMI DRITA NË FSHAT
 
Kur nuk kemi drita në fshat
Nuk bien yjet
Bëjnë zjarr më shumë
Të kenë dritë librat
Fëmijët dhe njerëzit e sëmurë
 
 
 
 
 
 
DRITARJA E VENDLINDJES
 
Nga dritarja
Shoh shtatë-tetë shtëpi të vendlindjes
Majat e bjeshkëve në perëndim
Majën e përmendores
Një pjesë të varreve
Pak lisa të malit
Dhe një pjesë të asfaltit
 
Atdheu është përtej
 
 
 
 
 
 
KUR VDIQE OJ NANË
 
Gjithkund midis tokës e qiellit
Ke mbetur përgjithmonë
Kur vdiqe oj Nanë
 
Më ka marrë malli
Ta marrë një rrugë të gjatë
E të kthehem dikur vonë
Të të gjej zgjuar
Duke më pritur oj Nanë
 
Kurrë më nuk kthehem
Student nga Universiteti
 
Kurrë më nuk kthehem
Fytyrën limon
Nga Burgu i Prishtinës
 
Kurrë më oj nënë kurrë më
Nuk do t’ua hedhësh
Policëve spiunëve
Që kontrollonin hirin e vatrës
Në qetësinë hyjnore të natës
 
Oh kurrë më
Nuk do të ma fshehësh
Shtypin ilegal
Kur vdiqe oj Nanë
Kurrë më
Nuk ma shëron të ftohtët e burgut
Loti yt zjarr oj Nanë
 
 
 
 
 
 
PËRMALLIM
 
Edhe po ta kisha Nënën gjallë
Fëmijërisë sime
Nuk do t’i ngjitja më asnjë arnë
As ëndrra më shumë as shpresa
 
Fëmijëria ime
Me gjithë ato ëndrra dhe me ata arna
Që pas kaq vitesh të rrinë aq bukur
Si yje ngjitur për qiellin e muzgut
 
Si nuk më thoshe
Se kurrë më nuk hapet dera jote
 
Fëmijëria ime larg meje qindra vjet
Afër meje në çdo moment
 
As Borëbardha as Kësulkuqja askund
Nuk kishte Lizë në botën e çudirave
Këtu ujku e dhelpra nuk rrinin në përralla
Hanin gjumin e fëmijëve shkolla e dasma
 
Pastaj Nëna me frymën e zemrës
Ma zbuste të çarën në thembër
Dhe nuk ndieja fare dhembje
Tek ma hiqte ferrën me majën e gjilpërës
 
 
Edhe po të ishte Nëna gjallë
Fëmijërisë nuk do t’m ’i vinte asnjë arnë
Asnjë ëndërr më shumë asnjë shpresë
Fëmijëria nuk është vjershë
 
Nuk e di kurrë nuk kuptova si më ike moj mike
Si ma mbylle përgjithmonë derën
Me barrë ngarkuar larg teje gjithmonë
Tërthoreve të botës tërthoreve të jetës
 
 
 
 
 
KUR VËRSHON BLLACA

( Shqiptarëve të larguar me dhunë nga shtëpitë e tyre )
prej policisë serbe në pranverë 1999,
të gjithë të vdekurve, të lindurve,
të sëmurëve dhe të çmendurve në Bllacë
nga tmerri që tmerroi botën e lirë

Sa herë bie shi në Bllacë
Vdes një fëmijë në Kosovë
Një fëmijë dhe një lehonë
Vdes një i sëmurë keq

Vërshon balta mbi autoambulanca
Vdes pa mjek pa liri
Dhe nuk mund të varrosesh
Në Shkupin e shqiptarëve
 
Kur bie shi në Bllacë
Të merr malli të trokasësh
Në një derë të Kosovës
Ta vësh syrin në një frëngji të saj
 
Policët maqedonas kanë grisur qiellin
Të na përpijë më shpejt ky ujë
 
Kur vërshon Bllaca
Askush nuk ma hap derën
Bllaca zgjon dhimbjen që mungon
 
Bllaca vërshon varreve plagëve
 
 
 
 
 
 
TRENI I ROBËRISË
 
Qyteti hipi në trenin e robërisë
Cila Prishtinë mbeti në Ulpianë
Në Dardani e në Kodër të Trimave
Në Breg të Diellit e vranë Hënën
U mblodhën retë filluan vajin
 
Ra shi gjithkah ra shumë shi
Tek rrënjët e fjalëve ra
Ra shi të mbillej vaji i fëmijëve
Të mos fluturonte dheu nga varret
 
Ra shumë shi mbi robëri
 
 
 
 
 
 
DËBIMI
 
Ti lumë nuk je më Drin
Por shi mbi lehona mbi fëmijë
 
Ti hënë nuk je më hënë
As nuse në qiell
 
Nuk je më atje lart
Por poshtë në Liqen
 
Të kanë përzënë
 
Ti Liqen i Pogradecit
Nuk je më syri i Lasgush Poradecit
( E filluar në Strugë, prill 1999 )
 
 
 
 
 
QAJNË LULET E KOSOVËS
 
Qajnë lulet e Kosovës
Erë e dhimbjes kur i shkund
 
Krua bëhet loti i tyre
Krua bëhet edhe lumë
 
 
 
 
VRASJA E ZOGJVE
 
Siç më arnonte nëna në fëmijëri
Pantallonat e shqyer në gjunjë
Kur rrëzohesha nëpër gurë
Ashtu i arnova kur u ktheva nga lufta
Degët e pemëve të vrara e të plagosura
 
Siç ma arnonte nëna këmishën në krah
Degët e pemëve të plagosura i arnova
I arnova të shtrenjtat pemë
Të vrara të plagosura nga policët serbë
 
I arnova të mos kishte dhimbje asnjë gjeth
Të mbuloheshin me zogj degët në pranverë
I arnova të shtrenjtat pemë
 
Edhe zogj kanë vrarë
Edhe pemë kanë vrarë
Edhe pemë
Policët serbë
 
 
 
 
 
 
 
MËSIMI I HUAJ
 
Në fillim të fillimit
Na urryen
Pastaj me dhunë na mësuan
Të mos duhemi
 
Na bënë pak
Pastaj me dhunë na mësuan
Të bëhemi pak
 
Na ndanë
Pastaj me dhunë na mësuan
Të bëhemi të ndarë
 
 
 
 
 
ÇMËRS
 
Shekujt e territ
Mbi shtratin e lumit tim
Mbollën çmërs
Të mos mbërrinim në breg
 
Valle barbare
Ke hedhur me barbarë
Kur shqiponjat
Thyenin krahët
Në vallen e përgjakur
Mbi retë e zeza
Mbi terrin e zi
Çmërs i damarëve të mi
 
Tash Drita ime
T’i ka tharë
Rrënjë e degë
Çmërs
 
Helm i shekujve të gjumit
Qelb i trungut
 
Çmërs
 
 
 
 
 
DHUNIMI I ZANËS
 
Në pranverë
Një Zanë e dhunuan barbarët
Dhe vaji i saj i shkrumboi malet
 
Dhe gjaku i saj i thau lulet
Dhe loti i saj i shteroi krojet
 
Nëpër qiell fryn vaji i saj
Nga ai lot buron shi
Oi oi oiiii...
 
 
 
 
 
Të dhëna për autorin
Hajdin Morina u lind më 15.12.1961 në katundin Rixhevë të komunës së Klinës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e mbaroi në Kijevë. Fakultetin Filozofik- degën e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare - e mbaroi në Prishtinë ku vijoi edhe studimet pasuniversitare në degën e letërsisë. Sa ishte student - pas shënimit të njëvjetorit të demonstratave të vitit 1981 - u burgos për bindje politike, duke vuajtur masën e të ashtuquajturit "izolim". Prej vitit 1985 deri më 1987 ka punuar mësues i gjuhës shqipe në Kijevë, në paralelen e gjimnazit "Luigj Gurakuqi" të Klinës, prej vitit 1989 deri më 1991 këtë punë e vazhdoi në shkollën amë, kurse prej vitit 1992 - kur tashmë pushteti serb kishte mbyllur me dhunë dyert e gjimnazit - deri më 1996 punën e mësimdhënësit të shqipes e vijoi në paralelet e gjimnazit që zhvilluan procesin edukativ në objektin e shkollës fillore të Gllarevës. Prej vitit 1996 deri më 1998 ka punuar këshilltar i gjuhës shqipe në Këshillin komunal të arsimit, prej vitit 1999 punon në drejtorinë arsimore të komunës së Klinës.
Shkrime letrare, kryesisht poezi, ka shkruar dhe botuar që kur ishte gjimnazist, kurse si student krijimet poetike i botonte në faqet e gazetës së studentëve "Bota e re", pastaj në revista të tjera si "Zëri i rinisë", "Fjala" etj. Pas lufte, po ashtu, ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me gazeta dhe revista të ndryshme.
Ka dhënë kontribut në ngjarje dhe manifestime të shumta kulturore që janë zhvilluar në komunën e Klinës dhe nëpër qendra të ndryshme shqiptare. Më 1995, në kuadër të klubit letrar "Vorea Ujko" (tash Klub i shkrimtarëve), botoi vëllimin poetik "Brenda dritareve të vogla". Merret edhe me ese dhe vëzhgime letrare.
Pjesë të veprimtarisë së tij profesionale janë edhe shkrimet dhe hulumtimet e natyrës dhe të problematikës pedagogjike, të cilat herë pas here i boton në revistën pedagogjike "Mësuesi" të Tiranës, botim i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të Shqipërisë. Shkrime të tilla më parë ka botuar në revistën "Shkëndija" të Prishtinës, e cila tashmë nuk e sheh dritën e botimit, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Ky është vëllimi i tij i dytë me poezi, në dorëshkrim ka një libër me ese dhe trajtesa letrare.
Prej vitit 2000 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
 
 
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
____________________________

Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS" 1



Libra dhe autor:

Hajdin Morina: "PRUSHI I FJALËS"
(Pjesa e parë e librit)


FILLIM I NJË POEZIE PËR ADEM JASHARIN


Them Adem
Dhe nuk kam nevojë
Për asnjë metaforë
Për asnjë krahasim
Më ngre në qiell
Estetika e Lirisë
Bukuria e gjakut tim


Shoh Kosovën
Në Drenicë tek merr zjarr
Për t’u ngrohur në janar


Mbi Drenicë është qielli i lirisë
Dhe aty kam shkruar Adem
Gjë tjetër nuk them


Në sytë e lirisë lexoj
Adem Prekaz Drenicë...


Në sytë e lirisë
Në qiellin mbi Drenicë


Lexoj Lirinë
Në lartësinë e qiellit të kaltër
Mbi Drenicë


Lexoj jetëshkrimin e Lirisë
Në Prekaz në Drenicë...

(Skenderaj, 29 qershor 2009)






JASHARËT


Nëpër qiell yje bëhen
Metaforat e Kadaresë
Për atë flakë-liri
Të kësaj Shtëpie
Për atë flakë-shqiponjë
Që dogji mjegullën
Përmbi Kosovë


Sytë e Lirisë plot Adem
Sytë e Ademit
Plot qiell Kosove
Përplot Liri
Sytë e Ademit
Birit të Lulzimit
Të Adem Jasharit


Fryn Liria e Kosovës
Asnjë re në qiellin e lartë
Mbi Jasharë
Plot qiej të kaltër
Në sytë e Ademit të Ri
Për besë zjarr del
Nga përqafimi i tij
Pranë varreve
Dhe në Kullë të Jasharëve
Ballin mbështet Liria
Dhe vijnë shqiptarët
Në Shtëpinë e Lirisë
Shprushin Jetën Legjendën
Vetveten





ZJARRI I JASHARËVE


Në fillim të marsit 1998
Kosovës pak qiell
I kishte mbetur mbi kokë
Nuk jetohej aq ngushtë
Pa dritë pa blerim


Dhe Ademi me Jasharë bënë zjarr
Tokë e shpirt mbushën me zjarr
Të zhbëhej zhbërja jonë


Dhe Kosova bëri qiell për diell


Në fillim të marsit 1998
Qielli digjte saç
Qielli deshi t’i binte
Kosovës përmbi kokë


Por sakaq
Qielli që digjte saç mbi Prekaz
Si një shqiponjë fluturoi lart


Pas mijëra vjetësh
Një Promete tjetër
Për liri bënte zjarr
Adem Jashari
Në Prekaz ndër Jasharë




ZJARRI


Ra flaka
Në prushin e pashuar
Në vendlindjen
E Shekullit të Ri


Zeusi zvogëlon Tokën
Posejdoni rrit detet


Foshnjave që s’janë lindur
U zihet fryma brenda Nënës


Zjarri përvëlon
Të digjet Froni mizor


Sërish zjarri
Përqafimi i Lirisë
Zjarri i prushit të Kosovës
Fytyra e praruar e Bukurisë





AZEM BEJTA I KOHËVE


Mbi varrin - shpellë dritë ndër shekuj
Kulla jote e vrojtimit
Plot Liri e guxim më mbush
Mbi Kosovë kur e shprush vështrimin


Gjithnjë rritet trimëria jote
Kënga e Kosovës thirrja e shokëve
Mbështjellë me ajrin e Arbërisë
Me prushin e legjendës
O prite prite Azem Bejtën





GJAKU I MUJËS


Shprushi prushin e historisë
U mbush zjarr dhe u nis...


Plot Atdhe iu mbushën sytë
Kur hyri i pavdekshëm në Kosovë
Në atë dhjetor


I përqafonte katundet
Qytetet e Shqipërisë
Që ishin shkoqur nga trungu
Pazareve të historisë


Seç e shkrinte borën seç e digjte kufirin
Në atë fund të motit
Në atë fund të mortit


Drejt qiellit ngjitet përditë
Liri dhe Arbëri
I shkrepin sytë




PO VJEN MUJA

(E shkruar duke pritur shtatoren e Komandantit që
do të vendoset në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë


Këtu ishte gjithkund
Gjithkund këtu ai është
Por po vjen Muja
Mujë Krasniqi po vjen


Po vjen të na ngrejë
Ballin përpjetë
Shtatlartë mbështetur
Në qiell


Po vjen Muja sërish po vjen
Të na kaltërojë syrin
Të na gjelbërojë kujtimin


Po vjen të jetojë vertikalisht
Ta mbajë lart qiellin e tetë
Të Lirisë


Po vjen me fytyrën e moçme
Të Atdheut e të Flamurit tonë


Ai këtu ishte gjithkund
Gjithkund këtu ai është
Por po vjen sërish Muja
Mujë Krasniqi po vjen

(Klinë, qershor 2009)






MUJË KRASNIQI ËSHTË NJË


Në qendër të qytetit
Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Lirinë


I vetmi që nuk pushon
24 orë ballin mbi re


Përditë e përqafojnë
Fëmijët nënat e dëshmorëve
Këngët dhe shqiponjat


Pastaj në ditë festash
Para kamerave para mikrofonave
Mbahen fjalët e rastit duartrokasin


Seç e zvogëlon përditë
Atdheun e partive politike
Lirinë seç e rrit përditë


Vetëm një është ai
Si Dielli si Liria si Flamuri


Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Drinin





DREJT LIRISË


Çdo 5, 6 dhe 7 mars
Nga flakë e Prekazit
Qielli i Kosovës
Fluturon më lart
Sepse Liria
Dhe shqiponjat e vendit tim
Duan shumë hapësirë
Për fluturim


Çdo 11 mars
Në Prishtinë
Bëj demonstratë
Derisa të më shterojë zëri
Derisa të na vrasin
Derisa të na arrestojnë
Pak nga pak përditë
Se burgu nuk i nxë të gjithë


Çdo 7 maj
Kthehem nga burgu në fshat
Dhe me nënën i stolisim
Dritaret e vogla të shtëpisë
Dyert e çara të oborrit
Me lule të Shën Gjergjit
Çdo 28 Nëntor
Kuq bëhet qielli mbi Kosovë
Shqiponjat e zeza të fluturojnë
Të fluturojnë shqiponjat e zeza
Të fluturojnë
Nëpër kokën tonë mbi kokën tonë





TË JESH SHKODËR


Edhe para rrethimit të parë
Edhe pas rrethimit të njëqindtë
Zëri i flijimit fluturonte mbi Liqen
Mbi qiell të Rozafatit bëhej Kambanë
Ji Shkodër oj Nanë


Mbi atë qiell i kam lidhur nyjë
Legjendat këngët betejat


Mbi atë tokë çdo shekull hodhi zarin
Po kurrë s’e ndali Zana të moçmen kangë
Të jesh Shkodër oj Nanë





NUK ÇLODHESH NË LIRI

( Ismet Jasharit-Kumanovës )


Pikë-pikë përvëlonte
Pikonte malli i Kumanovës
Mbi flakën e Kosovës
Kur erdhe ta lindnim lirinë


Dhe erdhi tjetra verë
A ta bëmë lapidarin
A ta puthën syrin lulet
Në Prizren në Qafë të Dules


A ke qiell tokë e kohë
Të çlodhesh pakëz në liri





JETO NË LARTËSI

( Mr. Selman Lajçit )


Majë bore në majë të Hajlës
Kosovën e sheh më mirë
Dhe flakën e saj


Pushkën ia more Zhuj Selmanit
A Selman Kadrisë
Mbi bjeshkë u bëre plis


Shallin-qefin rreth koke
Të lindurin dhe të vrarin në mal
Ta shpëtosh
Legjendë e legjendës së vjetër
Të rugovasve


Vija e gjakut
Nuk e di në Drin a mbërrini
A ke ende etje


Majë shkëmbi majë qielli jeto
Kosovën e sheh më mirë
Të përvëlon etja e saj




FLAMURI I SHQIPËRISË


( Në një të përditshme të Prishtinës, gati kam harruar cila ishte,
sepse të gjitha nuk dallojnë gjë nga njëra-tjetra,
një gazetar profesionist, që mund të jetë
ekspert shumë i thellë ose analist i rrallë politik,
pa të cilët nuk merret me mend zhvillimi i Republikës sonë,
shkruante dokrra fjalësh për flamujt dhe në këtë kontekst e pashë edhe
Flamurin kombëtar të shqiptarëve. Në këtë shkrim
lexova një urrejtje konformiste, eksperimentale dhe
demokratike-ballkanike ndaj çdo flamuri,
zbërthyer nëpërmjet krahasimesh mjaft të ndyra.
Sado që nga qasja e sotme eksperimentale bashkëkohore
mund të trajtohem e të akuzohem si intelektual që nuk ecën me kohën
dhe sipas promovimit negativ, komercial e diletant të frymës
së diversitetit kulturor në Kosovë, në dëm të shqiptarëve,
mendoj se në historinë e çdo flamuri merr frymë historia
njerëzore, pasuria, krijimtaria, robëria, liria dhe burgjet
e secilit popull. )


Qiriri i dhimbjes
Gati në shpirt m’u ndez
Por jo i thashë vetes
Flamuri këtu qenka
Flamuri në qiell është


Gjithkah pashë Flamur
Në Lezhë Prekaz Krujë


Para spiunëve me shumë sy
Përmbi lukuninë e UDB-së
Fluturoi mbi Kosovë Shqiponja
Pushoi mbi Plis majë Shtëpisë mbi Lis


Ky qiell iu duk pak fluturimit të saj
Deshi nën tokë të kishte strehë
Mbuloi trupat e dëshmorëve
Lirisë iu bë rrënjë e rrënjëve


Drejt Diellit fluturon Shqiponja
Ngarkohet me qiell dhe me dritë
T’ia bashkojë krahët Shqipërisë


Qiriri i dhimbjes
Gati në shpirt m’u ndez
Por jo i thashë vetes
Flamuri këtu qenka
Flamuri në qiell është


Gjithkah shoh Flamur
Mbi Lezhë Prekaz Krujë




LIRIA IME

Si të të përqafoj
Ti kokën nuk e përkul
As sa një fije kashte

Mbi cilin qiell syri yt pushon
Nuk ta putha ballin as dje as sot
Ti kokën lart e më lart





TROPOJA


Nuk ke jetuar
Nëse nuk je
As fëmija as luftëtari
Që ra nga bjeshka
Në prehrin e saj
Me u shërue me jetue





GJOKSET E DËSHMORËVE


Secila këmishë partie
Çuditërisht e ngushtë
Për gjokset e dëshmorëve


Nëpër hapësirat e tyre pa mjegull
Vetëm Shqiponja mund të fluturojë


Vetëm Liria
Emrat e tyre di t’i lexojë


Pa gabime gjuhësore
Pa gabime politike






ISHIT TË ETUR


Dhe zbritën retë
Siç zbresin shqiponjat
Përmbi shkrep


Si lot nëpër faqe
Ra shi ngadalë
Në kopshtin pa vjeshtë
Mbi ju lapidarë


U shter qielli
A ju djeg ende etja


Jeni të etur
Si lot nëpër faqe
Bie shi ngadalë
Në kopshtin pa vjeshtë
Mbi ju lapidarë
Mbi ju ushtarë


Për se keni etje ende
Tash kur kaq shumë shi bie
Në këtë vjeshtë


A dëshironi
Ta krijoni diku edhe një qiell lirie
Edhe një pranverë




GJIROKASTRA E LIRISË


Luftë mbi luftë
Shtëpi mbi shtëpi
Mbi Kala
Flamur Kuq e Zi


Mbi të rënë këngë
Mbi këngë të rënë
Pastaj sërish këngë
E sërish të rënë


Argjiroja valëvitet Flamur
Kurrë nuk zbret


Qëkur je nisur drejt qiellit
Me shqiponjat fluturim
Shqiponjë e vendit tim





MBIDASHURIA

( Atyre që i dhanë gjak Lirisë )


Kur perëndon dielli
Shoh sytë e tyre
Tek ngjiten lartësive
Të mos bjerë asnjë pikë terr





DIELLI TË BËNTE VEND


Shpeshherë shumëkush
Kokën mbi ballin tënd
Ëndërronte


E ti përzjarreshe
Dielli të bënte vend
Shqiponjë e shtatë qiejve


Të duan vetëm ata
Që krijojnë
Një qiell kaltërsi
Me dashuri





RRUGËT E TYRE NUK MBAROJNË


Të bëhesh me ta
Nuk arrin kurrë
Në majë të dashurisë


Rrugët e tyre
Nuk mbarojnë kurrë


Drejt njeriut


Drejt majave qiellore
Të Lirisë





1981


Viti 1981
Ka filluar më 11 mars ditën e mërkurë
Në Qendrën e studentëve të Universitetit
Të Prishtinës


Viti 1981 nuk ka mbaruar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin
Ata që e akuzonin të 1913-ën të 1945-ën
Pse nuk paskan projektuar më shumë robëri
Për vitin 1981


Nuk na nxinte burgu të gjithëve
As objektivi i fotoaparateve të udbashëve
Studentët vinin lumë nga kohë e shkuar
Lumë vraponin drejt ditëve të ardhshme


Në vitin 1981
Që ka filluar më 11 mars
Dhe nuk ka përfunduar më 31 dhjetor
Siç kishin paraparë ata që i bënë gjyqin


( Këtë poezi, me shifrën “1981”, juria e vlerësoi me çmimin e dytë në konkursin letrar të manifestimit kulturor tradicional “Flaka e janarit” 2011, në Gjilan.)





DORUNTINË EJA


Eja natën
Ose ditën kur flemë
Të mos e zgjosh Nanën
Trokit në derë lehtë


Me Kostandinin
Me nëntë vëllezërit
Këndoji të gjitha këngët
Vallëzoji të gjitha vallet


Të mos flenë ofiqarët
Zyrtarët sekretarët
Që nënshkruan
Se ti nuk je gjallë


Eja Doruntinë
Mbushma jetë Shtëpinë






VENDIM


Duke mos u mbështetur
Në asnjë Ligj të Drejtësisë
Në asnjë nen në asnjë nënligj
Në asnjë pikë të nenit
Marr vendim t’i dua njerëzit


Marr vendim ta çmoj Lirinë
Dhe atë gjak - rrënjë të saj


Duke mos u mbështetur
Në asnjë Kushtetutë
Marr vendim ta bëj
Një buzëqeshje të fëmijës
Me zjarrin e yjeve në qiell


Duke mos u mbështetur
Në asnjë Ligj të Demokracisë
Marr vendim të rri me kafshët




YJET QËNDROJNË LART


Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Ju jeni të verbër
Yjet qëndrojnë lart
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak se unë ju them
Është vetëm një Diell
Dhe bota ka mjaft dritë
Është vetëm një tokë
Për të gjithë njerëzit
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Është vetëm një Shqipëri
Vetëm një tokë një det
Dhe vetëm një qiell i saj
Që na bën shqiptarë
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Ju jeni të verbër
Yjet qëndrojnë lart
Dhe ju mos më thoni
Ata janë pak
Se unë ju them
Është vetëm në Promete
Dhe mijëra vjet ikën si tash
Prometeu a Zeusi
Është më lart






LUTUNI PËR SHI


Bjer o shi
Të vendosë pranvera
Kurorë sërish
Mbi varret e lirisë


Bjer o shi i mirë
Ta kujtoj lotin tonë

Bjer o shi i mirë
Të them je loti ynë


Bjer
Shi
Bjer
Shi
Bjer
Të mos rritet uji i keq


Mbi sytë e mi bjer rrëke
Ta ndiej lotin e nënës
Që s’më qan kurrë më


Bjer
Mos
U
Ndal
O
Shi
Bëja Lirisë një mijë qiej
Në njërin sy







FUQIA E SHIUT


Bie shi mbi Iliri
Anijet e luftës pushojnë
Pushtimi pushton


Bie shi mbi Arbëri
I merr era kokat e prera
Kryezoti i secilës principatë
Qëndron kryezot
Vetëm me flamurin e vet
Qiellin e Arbërisë e mbulon
Dhe ngre kokën lart
A shkruan në qiell Kryezot


Pastaj seç iu tha Gjergji kur erdhi
Seç i bëri bashkë
Një Flamur me një shkabë
Nga kullë e Janinës
Bie shi gjak
Si nuk u bashkuam
Si mbetëm kaq pak
Pas Vlorës pastaj
Menjëherë ra shi
Të mbilleshin
100 vjet robëri
Dhe tash bie shi i mirë
Të ulet mali syri i hënës të dalë
Të kaltërohet krejt qielli
Të blerojë krejt toka e Bukurisë
Që kaltëron sytë në det
Tash mijëra vjet






VARRI MAJË MALI


Syçelë ka shkuar
Kurrë nuk i mbyllen ata sy
I kaltërohen nëpër qiell
I përzjarren nëpër diell


Një Orë e malit
Një Zanë se nuk ka nanë
Me lot ia ujit rrënjët
E gurit të varrit
Një Orë e malit një Zanë
Se ai nuk ka nanë


Pranë amës së krojeve qëndron
Tokën me gurë qiellin me pishë
Zjarre ndez malet një nga një i djeg


Nëpër natë e nëpër ditë
Ai varr majë mali bën dritë





BALADË E VENDLINDJES


Një kokërr grurë më shumë
Një kokërr grurë më pak
Mijëra vjet bën jetë bukë e nder
Vendlindja ime i shtrenjti fshat


Askund nuk pashë lisa më të gjatë se këta
Nuk pashë sofra më të gjera se këto
Mijëra tavolina në hotele në qytete
Nuk bëjnë sa sofra jote


Më fal i shtrenjti fshat më fal
Që nuk rri 24 orë me ty
Por ti e di unë nuk mungoj kurrë
Kur fryjnë baladat kur fryjnë vajet
Nga varret e moçme nga varret e reja
Kur këndon e qesh çdo fije gruri çdo fije bari
Çdo gur e mur shtëpie ndërtuar mbi eshtra


Qielli yt nuk është vetëm ajo vranësirë mbi ty
Ngarkuar me borë me breshër me shi
Toka jote nuk është vetëm kjo arë e lëvruar
Blerimi yt nuk është vetëm ky livadh i gjelbëruar


Gabimisht flitet e shkruhet për ty e shtrenjta ime
Sepse nuk të shohin shpirtin nuk ta njohin
Gabimisht konstatojnë numrin e shtëpive
Numrin e gjyshërve të baballarëve të nënave
Gabimisht konstatojnë numrin e vajzave të fëmijëve
Të dëshmorëve të jetimëve të invalidëve të pastrehëve
Gabimisht konstatojnë numrin e luftërave dhe të varreve


24 orë në ditë një gëzim kërkoj një lot
Kërkoj një dhimbje të njeriut një dorë
Dhe tek ti si në librin e mirë të gjitha i lexoj


Ma mbush qiellin e Atdheut plot me gëzim
Kur ia merr këngës e valles së dasmës
Kur buzëqesh jeta në vallen me djepa


Ma mbush tokën e Atdheut plot me dhimbje
Kur breshër lotësh derdh mbi të vdekurin
Dhe mbi varret e tua nën lisat e kërrusur


Pakkush qan e qesh sot si ti vendlindja ime


Një kokërr grurë më shumë
Një kokërr grurë më pak
Mijëra vjet bën jetë bukë e nder
Vendlindja ime i shtrenjti fshat


Vendlindja ime me një shkollë të vogël te koka
E shtrenjta ime rrethuar me male
Me asfalt dhe me varre







THANË NUK NA DUHET FLUTURIMI


Thanë më nuk na duhet fluturimi
Çka na duhet qielli
Toka jonë na mban gjallë


Thanë më nuk na duhen thellësitë
Sepse pimë ujë të shiut
Pimë ujë në vrimat e gurit të shpuar
Nuk na duhen gjë thellësitë


Toka jonë e pasur na mban gjallë
Është konstatim i ekspertëve tanë


Po ju them prapë
Fluturimi nuk na duhet gjë thanë
Po ju them sërish
Thanë nuk na duhen gjë thellësitë


Pak na mori uji o pak pikon
Çati e shpuar e qiellit tonë






NGA PËRVOJA JONË BIBLIKE


Dhe njëri tha
Bora është e bardhë
Dielli bën dritë
Dhe i bënë gjyqin


Dhe pa e pyetur kush
Tjetri tha
Bora është e zezë
Dielli bën terr
Dhe gjykatës e bënë





MADHËSHTIA E FLUTURIMIT


Dhe zogjtë nuk iu bindën asnjë urdhri
Nuk e ndalën fluturimin
E flakëruan qiellin


Urdhri vazhdonte
Por zogjtë nuk ranë në tokë
Nuk e shkelën betimin
Atdhe e kanë qiellin





ALI PASHË TEPELENA


Ta kishe pasur dritaren e kullës
Sa syri yt pishë
Derën ta kishe pasur më të lartë mbi kokë
Dhe unë ta kisha vënë një gur në tënden kullë


Atë ditë nuk ishim bashkë të gjithë
Dhe koka jote u pre u nis
Fillimi as mbarimi
I rrugëtimit të gjakut tonë nëpër dete


Njëqind vjet më pas ai varr sa kontinentet
Trupi yt pa kokë u kujtoi shqiptarëve
Shqipërinë pa Kosovë njëqind vjet më vonë




LIBRI I PASHKRUAR


Të më lënë të shkruaj
Pa pushim të shkruaj
Verë e dimër
Nuk bëhet ai libër


Në hirin e librit të djegur
Qindra vjet rrojnë fjalët
Për të lexuar dashurinë
Njeriun dhe lirinë


Hirin e librit të vrarë
Nuk e djeg asnjë zjarr





MAJË BJESHKE


Ta bësh shtëpinë majë bjeshke
Pranë qiellit tonë
Me lisat me gurët tanë


Në të pështyfshin sërish
Më shumë pështymë
U bie mbi fytyrë





DETI ËSHTË MË I THELLË
SE CEKTËSITË TONA


Nëse kam frikë
T’ia prek thellësitë
Nuk them s’ka më Det
Përtej cektësisë sime





MAGJIA E DURRËSIT


Qiell e det seç përqafohen
Me zjarr me kaltërsi
Lundroj nëpër ujëvara flokësh
Lundroj nëpër ujëvara sysh


Mes qiellit dhe detit jetoj
Nuk jam në tokën e vogël
Që nuk vërehet fare


Jam mbështjellë me kaltërsinë
Dhe me lirinë që ta fal qielli
Dhe ta merr toka


Mes qiellit dhe detit do ta lë
Fytyrën kujtimin për Nënën
Poezinë dhe gjithë bukurinë






TOKA ËSHTË MË E MADHE
SE HAPAT TANË TË VEGJËL


Nëse nuk më bëjnë këmbët
Të udhëtoj më tej
Nuk them s’ka tokë përtej






METAFORA E DHIMBJES


Nuk e di cila metaforë
Ka hapësirë për dhimbjen
E shpirtit tënd
Kur t’i pritnin degët një nga një
Të mos mbeteshe Lis


Nuk e di cili varg i poezisë
Ka qiell për ylberin
E gëzimit tënd
Kur degët i rilindje sërish
Të mbeteshe Lis


Mijëra vjet mbi degë e rrënjë
Të goditi sëpata e natës së gjatë
Po rrënjët e tua
Amë e kishin dheun
Dhe qëndrove më këmbë


Shpesh ta kanë prerë trupin
Por gjithmonë ke mbirë sërish
Majë malit afër qiellit
Afër kroit afër lumit
Në vijën e lotëve të Nënës
Në vijën e gjakut të të rënëve


Lis i moçëm lis i ri
Me mjegullën e shekujve përmbi







KA ARDHUR KOHA


Ka ardhur koha
Të filloni
Të më doni


Ka ardhur koha
T’ju dua më shumë


Ka ardhur koha
Të mos trokasin
Të ndruajtura
Rrezet tona
Në dritare
Sikur të mos ishin
Të Diellit tonë fare





EKOLOGJIKE


Nuk do të kemi
Ambient të pastër
Edhe po t’i largojmë
Të gjitha mbeturinat
Nga pragu i derës
Nga oborri
Nga fshati nga qyteti
Nga fusha nga mali
Dhe nga Deti


Nuk do të kemi
Ambient të pastër






STRUGA


Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund


Këto ura mbi Drin të Zi
Duar të shtrënguara në Iliri


Buzëqeshja e Pogradecit dhe syri yt
E përflakin Qafë-Thanën


Poezi që nuk lexohesh kurrë
Kurrë nuk shkruhesh deri në fund


Strugë





DRIDHEN URAT MBI DRIN


Dridhen urat mbi Drin
Dridhet shpirti i Rozafës
Tek mban urën me njërën dorë
Tek përkund djalin me dorën tjetër
Kaltëron qiellin i jep gji jetës


Rrojnë të moçmet
Apo thashetheme moderne
Po thurin mjeshtrit
Që nuk ndërtojnë ura


Fryn erë me dhimbje të Rozafës
Dridhen urat mbi Drin
Fryn dhimbje në shpirtin tim


Rozafë e Urës së Fshejtë
Rrënjë e Fjalës sime të shenjtë







PRARIMI I LARTËSISË


Prarimi i lartësisë
Ia merr të dy sytë


Dhe nuk i sheh zogjtë
Që ngjiten në qiell
Të kenë më shumë diell






GJIROKASTRA PORTË E HAPUR


Seç e shprush atë prush
Ata gurë seç i lexoj
Sa herë shkoj


Bukuri e moçme m’i merr sytë
Përkundem si fëmijë
Në atë djep legjendash


Orë e muza bashkë
Përtërijnë Kalanë






FYTYRA E PUSHTIMIT


Nëpër unazat e ngushta
Të shekujve
Qindra vjet


Pushtim
Pa pranverë
Padrejtësi
Prapambetje
Paaftësi
Përjashtim
Parti


Dhe unë e dita
Si e ruajta
Ditëve të verës
Zjarrin nën hi
Për liri


Vetëm unë e di






DY KRAHËT E SHQIPËRISË


Mbaj vesh
Nuk ushtojnë
Krojet e Ali Pashës
Është vaji i nuseve çame
Me djepa të shpuar mbi shpinë
Me vendlindje
Ngarkuar në shpirt


Copa shkëmbinjsh
Si breshër u ranë mbi flokë
Nuset çame
Seç u drodhën fort


Luginës së Drinos
Ngjitej një tjetër gjëmë


Prandaj rrjedhin edhe sot
Rrjedhin qelb e gjak
Rrjedhin pandërprerë
Plagët e Shqipërisë
Aty ku krahët ia kanë prerë


Aty ku shkoqën armiqtë
Kosovën me Çamërinë
Dy krahët e Shqipërisë





REFREN VARFËRIE


Zotëri a do karrocë
A do qymyr zotëri
A ka dru me pre


Ka dëshirë të rritet
Jeta ime e vogël
Njëqind orë i ka dita ime


Zotëri a do karrocë
A do qymyr zotëri
A ka dru me pre






PA MEND NUK SHIHET


Të përzunë rojtarët pa sy
Të Republikës së Platonit
Falltarët e demokracisë eunuke


Ç’bukuri linde për të varfrin popull
Atë ditë atje lart ku i pe e s’të panë
Majë Olimpit që mban qiellin lart


Ta kisha ditur ç’bukuri ke lindur
Kur nxore zjarr nga syri i muzave
Për t’i djegur kasollet e shpirtit





QYTETI IM


Shtrirë në shkallët e ftohta të Butrintit
Mund ta përjetojmë tragjedinë tonë
Të shkruar për shembull nga Eskili
Me aktorë që më s’jetojnë


A do të zgjohemi nga gjumi
Të vëmë lule ku duhet
E të flemë dikur vonë






GJUHA SHQIPE


Kryeemër i të gjallëve
Dhe i të vdekurve të mi
Kryekështjellë e Shqipërisë
Më je ti


Rrëzove perandorë
Mbretër pashallarë
Xhandarë udbashë
Spiunë e tyxharë
Tek bënin çmos
Ta bënin terr të Kozmosit
Qiellin dhe tokën tonë


Kryekështjellë
E shpirtit
E tokës
E qiellit


Kryekështjellë
E Kryezonjës






ZBULIME EKSPERTËSH


Ekspertët analistët politikë
Projektuesit specialistët
Menaxherët përkthyesit
Moderatorët regjisorët
Shkrimtarët aktorët
Servilët puthadorët
Dhe plot të tjerë
Plot o Zoti ynë plot
Paskan zbuluar
Paskan promovuar zbulimin
Se Kostandini kurrë
Nuk qenka ngritur nga varri
Për ta mbajtur fjalën e dhënë
Kurrë nuk paska udhëtuar
Me Doruntinën
Atë natë të bukur me hënë


Kurrë nuk qenkan ngritur
Muret e Urës së Fshejtë
Mbi gruan e Vëllait të Vogël
Që e mbajti Besën


\Gjergj Elez Alia
Kurrë nuk paskësh mundur
Të ngrihej nga shtrati
Me nëntë plagë
I verdhë si qiri
Dhe nuk e paska vrarë
Bajlozin e Zi
Mos qofsha në lëkurë
Të gjuhës shqipe o Zot


( Juria e konkursit letrar të manifestimit kulturor tradicional “Takimet e Gjeçovit” 2009 këtë poezi e përzgjodhi të dytën ndër dhjetë poezitë që do të lexoheshin në orën letrare të manifestimit.)







STANDARDET TONA


Asnjë dëshmori
Nuk i mërdhin dora
Në përmendore
Dhe sytë e asnjërit
Nuk janë mbërthyer
Për derë të oborrit


Asnjë fëmije në Kosovë
Ëndrrat nuk i sëmurën nga shiu


Nuk gjen askund
Askund as për be
Nuk gjen njeri
Që nuk di ta shkruajë bukur
Shkronjën A
Me të cilën fillon Atdheu
Alfabeti Abetarja Arbëria


Të gjithë e dinë se me shkronjën Sh
Fillon Shqipëria dhe me I Iliria


Dhe ekspertët konstatojnë
Janë arritur standardet
Ekspertët tanë






BISEDË E MUNDIMSHME ME AZEM BEJTËN

( Thanë diku në Republikën tonë në mënyrë
demokratike u hoq emri i tij nga një shkollë,
në kundërshtim me Kanunin e Vlerës,
në kundërshtim me Vlerat që proklamon Republika,
por pastaj thanë emri e gjaku i tij
nuk u larguaka dot nga ngjyra e Flamurit
të moçëm dhe nga syri i Lirisë,
as me shumicë absolute votash,
pra në kundërshtim me Rregullën e Demokracisë. )


Ti luftove për Arbëri
Kundër Serbisë së Parë
Kundër Serbisë së Dytë


Ç’faj tjetër bëre o Azem Bejta


Dëgjomë të lutem dëgjomë o Trim
Kanë ndryshuar format e dashurisë
Ndaj Atdheut tonë të moçëm


Janë zbuluar pamje të tjera
Për lirinë për Kosovën për Shqipërinë


Me ndihmën dhe kontributin e pakursyer
Të ekspertëve specialistëve dhe analistëve tanë
Dhe të atyre ndërkombëtarë


Ti bre Azem nuk i njeh rregullat e reja
Për lirinë e veprimeve demokratike
Për lirinë e integrimeve






ATDHEUN E DUAM


Në fjalimin e gjatë
Modern dhe standard
Atdheu përtypet
Copëtohet pjesë-pjesë


Atdheun e duam të gjithë
Ç’përrallë e bukur fëmijësh
Ç’frymëzim






AUTORËT E ATDHEUT


Atdheu nuk krijohet
Para mijëra vjetësh
Zoti e ka bërë
Të tërë


Atdheu bëhet krijohet
E bëhet i vërtetë
Nga lisat e vet
Atdheun e krijuan pastaj
Dhe vazhdojnë ta krijojnë
Nëpër harta bryme
Nëpër dëlire
Për të jetuar vetë 100 vjet
Por janë gjallë dëshmorët
Ngjizin me gjak gurët
Ujin legjendat
Dhe pushojnë dhimbjet
E tokës e të qiellit tonë
Mbushet me Bukuri Universi
Dhe bien dëshmorët
Dhe ranë ata
Në det në Valkal në Prekaz
Për të mos u krijuar asnjë Atdhe
Pa Atdhe brenda
Pak është një përkujtim
Një lule mbi varr një homazh
Nëpër përvjetorë një fjalim përsëri
Pak është një “lavdi”






MALLI PËR ÇAMËRINË


Nuk më mjafton Toka
Ta bëj një rrugëtim me ty Çamëri
Shumë e vogël mbeti toka
Për ta përjetuar gjithë atë Tragjedi
Dhe gjithë atë Bukuri o Çamëri


Kënga ime kurrë nuk fillon me fillimin e saj
Vaji im kurrë nuk mbaron me mbarimin e vet
Ti me atë Bukuri të përzjarrtë mijëra vjet
Gjuhës Sofrës vetë Bukurisë i mungon bukuria
Trup - trungut tim cung nuk i qarkullon gjaku deri në fund


Në të gjitha dasmat e Fisit na ka munguar vallja jote
Në të gjitha vajet për më të mirin na ka munguar loti yt
Por një erë gjithmonë ka fryrë me të tuat këngë
Me atë lot që është bërë shi për blerim për shpëtim
Të shpirtit tonë o Çamëri


Nuk kam Iliri për një rrugëtim me ty o Çamëri...






A KA ÇAMËRIA QIELL


Kur në burg na dhunuan
Ushtarët rezervistë të Greqisë
Një përbindësh gëlltiti
Një copë qiell një copë tokë
Të Çamërisë


Në më doni tash kaq shumë
Hapeni dritaren e shpirtit
Të shoh në ju ka mbetur aty
Ndonjë fije e qiellit
Që ma dhunuan atë ditë
Ushtarët e Greqisë


Sa zjarr ju ka mbetur gjallë
Sa dashuri për Çamëri

( Vargje që nuk u shkruan kurrë
nga Shabane Azemi, në
shtator 1944, në burgun e Filatit )




A E DËGJOJMË KAMBANËN


Në qershor 1944
Rezervisti Dhimo Pasko
Me djalin e tij Sotir Pasko
Ma vranë djalin brenda në shtëpi
Në Paramithi


Lëkurën e kokës së djalit tim
E mbaj në jetë për kujtim


Kur të vdes varrosmëni
Bashkë me lëkurën e kokës së djalit tim
Të mos e hanë qentë sërish


Ky rrëfim në mos u bëftë libër
U bëftë Kambanë
Të mos e harrojnë njerëzit tragjedinë
Të mos e harrojnë shqiptarët Çamërinë

( Vargje që nuk u shkruan kurrë nga Fatime Prenjo,
në Paramithi, në qershor 1944 )






SËRISH MUNGON


Sërish mungon
Një pemë e plagosur në Tetovë
Një arë djerre në Preshevë
Shkrumbi i një libri në Kosovë


Mungon sërish vetmi e Malësisë
Një fjalë çame e një murane
Një vështrim arbëresh i mbytur në det


Në buzë të mëngjesit
Gjumë i vjetër na tradhton


Sërish mungon sërish mungon





DHIMBJA E QYTETIT TIM


Dhimbja si të ishte zog shtegtar
Iku nga qyteti im e nxorën jashtë


Prush është vaji i jetimëve
Stuhi janë pyetjet e nënës
Udhëve të lotit pikojnë baladat


Tragjedia as letërsi as histori
Mezi mbahet ky pak qiell
Mbi Drin të Bardhë mbi lapidarë


Dhimbja iku u plagos vdiq krejt
Më zihet fryma më gëlltiti errësira
Më zunë gurët e Urës së Fshejtë





FËMIJA PA SHTËPI


Më merr vaji kur të shoh
I tëri je bërë ujë nën hijen e babait
Që të mbeti vertikalisht diku në Kosovë
Në një Diellishtë


Ta kishte lapidarin të të marrë në duar
Ty dhe lulet që i donte


Të ishte nëna e të rriteshe
Me atë gjumë fije legjendash


Nëpër këtë ujë nëpër këtë stinë
Mbill dashuri kaltërohu me sytë e babait
Qiell i Kosovës ku nuk ngjiten retë





RRETHI


Për vetminë e një lapidari
Për plagën e një dege
Për lotin tim
Në një këngë dy mijë vjeçe
Rrathë bëj rrathë bën shpirti
Rrudhën të përbirohen rrathëve
Njerëzit qytetet dashuritë







JANINA


Naim Frashëri aty
Ali Pashë Tepelena po
Ti qysh nuk erdhe
Fol Janinë ku mbete


Na mori Deti
Qiell e tokë moj Shqiponjë


A nuk patëm gjak Rozafe
A në mur nuk vumë gurë


Na ra Deti s’na la urë







FLAKËRIMA E LIRISË


Në Kosovë mijëra vjet
Liria vë në dritare të qiellit
Vetëm njërin sy
Dhe na përvëlon me atë bukuri


Liria mbjell përmendore
Gurë të ngrirë në borë në shi
Dhe prapë na mbyll njërin sy


Lirinë pastaj si mall
Si mall të kohëve moderne
Të gjallët e përhapin nëpër Atdhe


Dhe mijëra vjet si sot
Më shumë qiell më shumë tokë
Më shumë Shqipëri se Liri


Mërdhin qielli mërdhin toka mërdhin
A do t’ia veshim Flamurin
Me cohën e kuqe të gjakut


Të zhvishemi të vishemi si dikur sërish
T’ia veshim Lirinë Shqipërisë







KU IKE DORUNTINË


Çka të bëj
Të mos i ther zemra Drinit


Çka të bëj
Të mos bjerë shi mbi lapidarë
Të mos heshtin jetimët


Doruntinë kur kthehesh
A je larg





KATARSIS


Kam frikë
Frikë kam mos më zënë
Gurët e Urës së Fshejtë
Dhe muranë e shembur e Gjergjit


Kam dëshirë
Dëshirë kam
Të më marrë Doruntina
Nëpër pluhurin e fluturimit
Nën atë qiell nën atë hënë
Në udhëtimin e përjetshëm
Drejt shtëpisë
Tek imja Nënë




NJË DET LARG


Mbi dërrasën e kalbur
Të një barke të largimit
Lotova për kryetrimin
I gjallë mbërrita në Kalabri


Varret e djepat një det larg
Pastaj një det gjak
Qielli ra në ujë sepse fillonte
Prologu i teatrit të shekujve


Katarsisi aspak më afër
Se një det larg aspak
Ballkan





KAM TË FTOHTË


Kam të ftohtë
Akull jam
Tek pres sonte agun


Ujë do të bëhem
Kur të më përqafojë
Rrezja e parë e agimit


Rreth Diellit do të vërtitem
Si flutura rreth dritës


Le të digjem...






NGUSHTË


Qindra vjet
Bajlozë të zinj të kuq
Bajlozë të verdhë mbi Det


Plot bajlozë në Adriatik
Nuk më lanë të shoh dritë


Ndihem ngushtë
Vërtitem drejt meje
Shkoj tek unë


Si të mos kem hise
Në qiell në tokë në dete





SHQIPONJAT


A kanë Shqiponjat
Qiell për fluturim
Nëpër hapësirat e Lirisë
Dhe në fushën e kuqe
Të Flamurit të moçëm






PAK


Nuk ka Iliri
Nuk ka Arbëri


Pak Kosovë
Pak Shqipëri


Me ç’dashuri t’i zgjidh
Ca fije Çamërie
Ca këngë Dardanie


Janë lidhur nyjë






KU JANË NJERËZIT


Ujqit nuk janë të dëmshëm
Ia mësyjnë vathës në fshat
Por sakaq ikin
Hyjnë në përrallë
Vënë në gjumë
Fëmijët e një bote


Nuk janë të dëmshme
Dhelprat as shqiponjat
As qentë natyrisht
Ata ruajnë shtëpinë


Për besë të moçme
Kafshët e malit
Nuk janë të dëmshme...





DASHURI ATDHETARE


Kur keni bërë fotografi me Atdheun
Ju që e keni dashur dhe e doni shumë
Çka keni bërë
Kur ju ka mbetur jashtë fotografisë
Kosova Presheva Çamëria
Ose ndonjë dhimbje tjetër e Shqipërisë





NJË DET NDËRMJET


Çdo perlë në det
Është lot i ngrirë arbëresh
Që rigoi duke lënë Arbërinë


Secila perlë në det
Është lot i ngrirë arbëresh
Që nga qielli i zemrës rigoi
Duke ikur andej
Dhe duke mos u kthyer më këndej


Ra në det loti
Duke mos lundruar drejt nesh
Asnjë varr asnjë djep arbëresh


Një det ndërmjet një det
Nuk ndizet kënga
Nuk e prek qiellin vallja


Nuk mbulohet varri
Nuk përkundet djepi
Pa pjesën e bukurisë së vet


Një det ndërmjet një det



Për"Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri