Montag, 4. April 2011

Tetë poezi nga Haxhi Muhaxheri

Haxhi Muhaxheri

 

KUR MË RRËMBEN FJALA

Kur më rëmben fjala
Më vërshojnë gëzimet
Sikur të gjitha të dashurat
Ti kisha pranë

Kur fjala më çalon
Dehem e bëhëm tapë
Si të kisha pirë
Helmin e kësaj bote

Kur më buzëqesh fjala
Diellëzohem lartësohem
Si ti kisha përmbysur
Të gjitha perandoritë

 
 
 
UNË DHE KËNGA*

Do të varrosemi
Kur të na lindin
Të vdekurit
Për të lindur
Kur të vdekurit
Të na varrosin

*Kjo poezi mori çmimin e tretë në manifestimin "Sofra poetike e Drenicës" ne vitin 1995
  


 
LIRIKË ME PËRDHUNË

Të kujtohet ndajnata
kur në kryqëzim sysh
lexoja biografinë tënde
dhe fjalë e ndryrë në gojë
qëkurthi e ruajtur vetë për ty
që edhe sot mendoj
se kurrë nuk ta thashë vetë
po zëri i brëndisë
ai zë që dëgjohet
vetëm në ligjerim zemrash

Të kujtohen fjalët tua të brishta
dhe bisedat e amullta
kur me plot mund
pushtoja foltoren e bindjes
dhe fillonte kënga e psherëtimave
kënga që aq shumë ia pate frikën
po edhe dashur e ke aq sa unë
dhe pas të gjithave më pate thënë
se tash ke gjetur
princin mbi kalë të bardhë
yllin e dashurisë

E unë tretësha në mendime
sa herë dëgjoja radion
të fliste për atdheun
për dhunën
që u bëhej vëllezërve të mi
dhe i mllefosur të pata pyetur
si të mendoja për yllkën e dashurisë
kur populli vuan për dritën e lirisë
të drejtën e harmonisë kozmike
Mars, 1991

 
 
 
LETËRKËMBIM

Mora letrën tënde shkruar me fjalë malli
fjalë zemre për mua yllin e dashurisë sate
dhe si i krisur zura të bisedoja
me fotografinë tënde vendosur mbi tavolinë
dhe mallkoja ditët që pa ty më gdhijnë

Mike
Të ne punët prapë nuk venë mirë
dorë e hekurt
pareshtur mbi kokat tona rëndon lëndon
ushtaret kthehen në arkivole përsëri
e ne presim Çmimin Nobel
për mendjen e durimit

Me vite prita të mësoja
e ende nuk e di
durimi është pjellë e vdekjës
a vdekja pjellë e tij

E di moj
do të thuash durimi ka kufij
po polemi di më mirë se ne të dy
a duhet flijuar a pritur për lirinë

Do më pyesje për ditën e gëzimit
e vështirë është pritja për ty
të bëj benë
nuk do të vonoj shumë
vadja e dasmës së madhe
Gusht, 1991

 
 

UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri vërbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a neperkë syri
Si ta kuptoj moj
Më thuaj

Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat
Pse...


Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt


Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh
Hiqte valle mbi kockat tona


Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke


Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave


Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Në dorën time


Eja e dashur
Eja
Ujk më është bërë vetja


Prishtinë, 1995
 
 
 
GJURMË

Me kohën në hapërim
për të lënë gjurmë
në pemën e jetës

Grurisht
duhet kënduar
diellit legjendave

Me fjalë ndërtoni
ura mbi brigje
ura dashurie

Në gjuhën
e yjve të baladave
rrëfehuni

Për të dëshmuar
me emrin
Edhe ne gurin e varrit

RILINDJA, 10.11.1988
 
 

ATLANDIDA E RE

Urime Veneci shekullin e dhjetë
mbi ujë
kujdes njëzetenjëshin
nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në sheshin Santa Maria Sallita
uji po han tokën tuaj
e një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re
Veneci
1995

 
 
 
URATË*

Zotynë
Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Uratë le ti këndojnë bashkimit
Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojnë lartësitë
Amen

*Kjo poezi mori Çmimin e parë në „Takimet e Gjeçovit" në Zym të Kosovës,në vitin 1994

Sonntag, 3. April 2011

Poezi nga Lediana Kapaj

Lediana Kapaj

DASHURI PRANVERORE!

Gjithçka në këtë stinë është e bukur! Paqe shpirti nëpër netë,
Dhe pse të panjohur kemi qënë,era e luleve na ka bashkuar,
Përqafohemi sikur asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë,
Me këngë mbushemi,sytë i hapim...Nga vetë jeta ledhatuar!

Varg pas vargu unë gjithçka e jap për ty dhe pse heshtja qan,
Nëpër fletët e bardha rrëfehem ashtu siç di të flijohet poeti,
Do të doja të të bekoja sot që urrejtja ndërron fytyrë,
Jam këtu ekzistoj! Mundohu të më shohësh tek valët e këtij deti!

Më pati mbytur dimri i vrazhdë dhe jorgan trishtimin flaka,
Një fije rreze shprese më ngazëlloj dhe më fali magjinë,
Që të besoj se ka diej të zjarrtë te cilët as reja si shuan,
Dhe pse dashuria jote s'ishte e vërtetë..Prapë bekova Perëndinë!

Ujërave të turbullta u tregova vëndin dhe rrëketë e qiellit ftova,
Përmes lotësh ëngjëjsh zemrat e varrosura të pastrohen,
Mrekullinë e lindjes shijova dhe në pyje rrahje flatrash pashë,
Zbukurim aromash të humbura,vezullime vërtetësie që shijohen...
 
 

ENDEM BOTËS!

Vrapova nëpër skutat e kësaj bote,
Të gjeja dashurinë,ta jepja Ty..
Kërkova pa u trëmbur nga furtuna
...Por ndjenjat nuk i gjeta dot Aty...

U enda si e humbur ditë e natë,
E mbytur nga shtirësia e kësaj bote,
U lodh,u rraskapit, ky shpirt i ngratë,
Nuk gjeta dot ngrohtësi tek fjala jote...

E mbytur në trishtim nga ky zhgënjim,
E humba veten fare, mes të mjerësh,
Dhe qiellit i lëshova një mallkim:
"Pse muzën ma burgos dhe do ta fshehësh"?!

"Qëromu botë moderne dhe pashpirt!
Nuk dua të jem viktimë që fshehet nëpër ferra!
Tutje.. ! Ti shpirt i ulët,e pa dritë,
C'kërkon të përfitosh nga unë e mjera?"

"Une s'kam,ndonjë mani për katandi,
Per mua,luksi i jetës,nuk vlen shumë,
Veç dua frymëzim e dashuri,
Të tjerat,janë për lumë,të shkojnë për lumë...!!

 
 
 

MOS U END NË BOTËN TIME!

Po të vish sonte tek unë do të ndihesh i përbuzur,
Në vështrimin tim do shohësh veç zhgënjim,
Me heshtjen tëndje të përstrukur do endesh,
...Një drithërim peizazhi ku kullon pikëllim....

Po të vish sonte tek unë,nuk do gjesh më çiltërsinë,
Në bebëzat ku rrjedh shi do të shikosh veç përçmim,
S'do të kenë sytë dritën që më parë nuk shuhej kurrë!
Mes mjegullës dhe hënës do endet i trishti vargu im...

Të përfytyroj tani nëpër tatëpjetën e zbehtë të mbrëmjes,
Në botën tënde të ngushtë ku vënd për dashurinë nuk ka,
Të errët qiparisat e menduar,melankolinë e akacieve imitojnë,
Mbi pyllin e përkulur të shkrimit tim,vetë lumi ndarjes ra...

Ndaj i pazemër do të ndihesh i vetmuar po të vish tek unë,
Dhe do të kuptosh që jeta shpesh të gjithëve na jep mësim,
Që vetë poezia lëndohet kur shkelet shpirti i brishtë i poetit,
Që ëndrrat më të bukura dhe të dlira humbin pa patur kthim...

Ndaj të lutem mos eja....Pasi edhe pse koha kalon ngadalë...
Ajo prapë kalon edhe pa ty!
 

 


UDHETIMI IM!

Kur yjet e syve të tu do shkëlqejnë në gjumin tim,
Të bukurat perla blu zbukurojnë çdo agim.
Kur shikimi yt i beftë qetëson shpirtin e vrarë,
...Nata zhduket,perdja çel,drita endet si më parë...

Kur në fund të zemrës sime shfaqet lehtas buzëqeshja,
Vetë trishtimi i humb gjethet,do më kish zili dhe vjeshta.
Kur fytyrën tënde shoh,euforia është strehuar.
Udhëtim i ëndrrës sime apo mall i përvëluar?!

Kur shoh lotët e një ëngjëlli,tek rrëshqasin përmbi fletë,
Lehtas vij që të ti thaj ,ëmbëlputhja na shton jetë.
Po pikoka dashuria mbushur shpresë e ngrohtësi.
Dhe në qofsha e përgjumur mos më thuaj nuk je ti!!!

Kur arsyet do të mblidhen të mbuluara me pasion,
Mos u trëmb nga vrulli i tyre,mos ki frikë se i lëndon.
Ndaj pushtomë romancë e jetës,se të vriska sot vetmia,
Bjermë lulet e beharit ,të ringjallet lumturia....

 
 
 HESHT ME MIRE...

Mos më thuaj që dashuria, është thjeshtë iluzion,
mos më thuaj që kur flas,asnjë fjalë nuk ma dëgjon,
mos më thuaj që me ëndrra,asnjëherë s'duhet jetuar,
...mos më thuaj të jem e qetë kur kam shumë për të kuptuar!


Mos më thuaj që lëndimi është pjesë e lumturisë,
mos më thuaj që symbyllur të pranojmë pabesitë,
mos më thuaj që s'ka diell,e kam parë unë rrezatimin,
mos më thuaj s'ka rrufe ! Se ke ndjerë zemërimin?!


Mos më thuaj që kjo fushë nuk do mundet të lulëzojë,
mos më thuaj asnjëherë që një ndjenjë s'mund të jetojë,
mos më thuaj që s'ka yje,mos më thuaj qe s'ka hënë,
është njëlloj sikur të thuash: nuk kam babë e nuk kam nënë!


Mos më thuaj që zhgënjimi,nuk lë plagë dhe shpejt kalon,
mos më thuaj qe tradhëtia,asnjëherë,askënd s'lëndon,
mos më thuaj që ka jetë dhe pse nuk ka dashuri,
a jeton pa oksigjen,a jeton dot në vetmi?!


Mos më injoro ti sot, sikur kurrë s'kam ekzistuar,
s'meritoja këtë dënim,nuk e di të kem gabuar,
mos më shkel ti në petale,zemrën lërma të shërohet,
dua prapë të lulëzoj,jo si lule qe harrohet.


Mos u tall me dashurinë,mos e vrit,mos e lëndo,
rrugët tona janë ndarë,lumturinë shko dhe kërko,
mos më bëj ti sot fajtore,pse ta vuaj unë trishtimin,
pse te duket kaq e drejtë që të marr të shkretë lëndimin ?!

Mos më thuaj që më deshe,isha unë që të besova,
midis flakëve të një zjarri,e vetmuar dashurova,
më pe lotet përmbi sy,me pe zemrën e zhuritur,
i pe ndjenjat që të dhashë,i harrove kaq papritur!


Mos më bej ti sot fajtore,shpirti nuk gënjen dot kurrë,
ndiqe jetën që të pret,midis nesh u ngrit një mur,
mos e kthe kokën më pas,vetë me kohën do kuptosh,
sesa vuan nga zhgënjimi edhe ti mund ta provosh

 
 
 

NË FLUTURIM

Nën ret'e zeza zogu i shtegtimit,
Përplas krahët drejt diellit të shpresës.
Nxiton të largohet nga stina e dimrit,
...Të mbrij ku e presin burimet e jetës.


Atje e pret kori i madh i këngëve,
I ngirrur nga lotët do lahet me ar.
Atje lexohet dhe alfabeti i zemrave,
Atje mer udhë një dashuri e parë.


Nuk di të vras, as të hakmerret,
I mëshiron të gjithë grabitqarët.
Zogui i qiellit lufton me erën,
Mes erës i bëhen të fortë krahët.
 




ATIJ QE DO DUA...!

Do të të qëndis jetën me ngjyrat e dashurisë
Duke përkëdhelur netët me duar mëndafshi.
Do të vjedh vetë kohën në kornizën e qetësisë.
...Që në moment dëshire të ndihet vetëm afshi.

Do të dhuroj lule të parfumuara ngrohtësie,
Duke lëshuar pendën nën puthjet e tua.
Do të shkrihem si bora që preket nga dielli,
Nuk do luaj me ndjenjën,do të them veç: Të dua!

Do kapërcej hënën,të të shikoj më mirë,
Një re të bardhë butësie do ta fal si betim,
Do dëgjoj sytë e tu kur mërmërisin qetësinë,
Në romancën time do gjesh shpirtin flijim!

Do i iki së shkuarës e në krahë do më marrësh,
Duke u përkundur ëmbël,nga i kthjelltë zeri yt,
Do të hap zemrën dhe le të gjakoset nga dashuria.
Do të quaj "gjysmën time"...Dhe si ty nuk do ketë të dytë!
 

 

LAMTUMIRË TRADHËTI!

I lirova fjalët për të mbrojtur,
zemrën e shumëvuajtur.
Të sulmuar padrejtësisht,
...nga dhimbjet burgosëse së të qarit.


Nuk urreva por flaka çdo kujtim,
në fund të një pusi të thellë.
E shtypur dhe naive pata qënë,
në mbretërinë e të marrit!


Një barrikadë jete,
e humbur mes mureve të vetmisë.
E përbuzur,injoruar,
përmbytur mes gënjeshtrash,gjunjëzuar.


Fantazëm e çuditshme,
që pa turp ushqehej me netët e mia.
Për të mbushur fallco të zakonshmen,
të hidhur dhe tradhëtuar!


E firmosa lamtumirën,
me ngjyra gjaku ku notonte shpirti.
Në një cope letre,
që e dogja pa mëshire në zjarr ndjenjash.


Fitimtare kokën e ngrita,
dhe pse i rëndë ishte zgjimi i vonuar.
Befas nga liqeni i jetës lakmova,
ku lahej magjishëm dhe krenarë, një tufë mjellmash.
 



VETËM PAK DASHURI...

Dridhen shpirtrat kur buçet,
zëri yt i ëmbël dashuri.
E nënshtruar prej pushtetit tënd,
...është bota mbarë.
Vetë dita duket natë
po të mos e shohin sytë e tu.
Fluturimin e ngazëlluar të zogjve,
s'do e kishim parë.
Mendimet e mia enden pa frikë
dhe rrugë sajojnë.
Dëshpërimit vrasës,
i kërkoj zhurmën e hapave të tua.
Fjala shpëtimtare më çliron,
me këngen e poezisë.
Rrahja në tëmbthat e nxehtë më deh,
duke thënë :Të Dua!
 



PERËNDIA IME

Do mbulohem një ditë nga pluhuri i harresës,
(Harrimi-mëkati që ditën që lindim.)
Por s’lahemi dot me ujin e pendesës,
...Dhe njëmijë herë sikur të rilindim.
Nuk di ku është fshehur kjo vdekja ime,
(Nga unë të ketë frikë, dënuar që në djep?!)
Të vetmen gjë që e di me bindje,
Ndaj nxitoj, por s’ngopem dot me jetë.

Dua diellin ta puth çdo ditë me sy,
Dua të rrëfehem çdo natë tek një yll.
Dua të digjem në altar si një qiri
Dua të kuvendoj me zogjtë në pyll.

S’dua të di për botën paskëtaj,
(Dhe po të di unë do e ndryshoj?)
Mjaft kam shkuar vite në vaj
Tani gjuha ime s’di të mallkoj!

Dua ta shijoj mjaltin e jetës,
Ne detin e helmit do jem në përjetësi.
Dua t’i falem vetëm të vërtetës,
Perëdinë time e quajnë Dashuri!
 




DËSHIRË ËNDRRASH


Të isha ndjenjë, kurrë s’do të mbaroja,
Me zjarrin e shpirtit dhimbjen do luftoja.
Unë të isha gaz, buzët do t’i falja,
...Të isha ëngjëll, tek ty do të ndalja....
Po të isha shpresë, do t’u jepja ty,
Ggjithçka do fitonim duke qënë të dy.
Po të isha lot, tek ty prapë do vija,
Me puthjet e nxehta sytë do t’i fshija....

Po të isha sy, shkëlqimin do jepja,
Nga drita e tij do të vdiste vdekja!
Po të isha zog, lart do fluturoja,
Nga pylli i yjeve një yll do dhuroja

Po të isha bletë, lulet do shëtisja,
Me mjaltin e mbledhur ty do të "vdisja!"
Po të isha det, do të jepja valët,
Po të isha ëngjëll, do të falja krahët,

Eh, të isha ishull, me ty veç do rrija,
Nëse duhej varkë, bëhej dashuria!
Të isha e vdekur, për ty do zgjohesha,
Po të isha zjarr, me ty do të ngrohesha.

Të isha dhimbje, jo, tek ty s’do të vija,
Do jepja gjithçka, larg teje të rrijja!
 

 


DHIMBJA SHFAQEJ NËPËR GERMA

Më ka ndodhur, nëpë netë,
vargut papushim t’i flisja,
Plotë sekrete e kam mbushur,
... si e marrë, "shpëtim" thërrisja!


Me keqardhje më shikonte,
por veç shpirtit s’kish gjë tjetër,
Dhe mes lotësh, rreshtat mbushte,
"terapinë" time të jetës.


Nuk kuptoja gjithë misteret,
e çuditshme qenka bota,
Pse lëndohej njerëzimi,
pse varrosej e gjallë toka?!


Pse pështyhej përmbi diell,
yjet i vidhnin "kusarët"?
Edhe Zoti s'kish ç'të thoshte,
ishte koha për "të marrët".


Dhimbja shfaqej nëpër gërma,
këmbëkryq fliste me mua,
Si ulkonjë turfullonte,
kur një ëndërr thosh:"të dua",
Brengës donte t’i këndoja!...


Sa u lodha! Kisha gjumë!
Si qiri më digjeshin orët,
përmbi letër flija unë!


Sytë e enjtur nga të qarët,
lart nga qielli i dërgoja,
Të më çonte dritë shprese,
ngrohtësinë ta shijoja,
Dhe kur drita më përshkoi
Hëna e plotë tha ca fjalë:
" Shkruaj mike, mos pusho,
jam dhe unë këtu e gjallë!"
 

 


ISHA NË GJUMË


Kur kryqëzuan dashurinë,
Fitimtar krihej mallkimi,
Zogjtë ndërprenë melodinë
... Qielli mbolli rè nga dimri.
"E përdalë!", "Mëkatare!",
Klithte nata sterrë e zezë.
Por Hyjnesha dritëar,
Ishte veshur me pranverë.

Gurë hodhën pa mëshirë,
Për ta zhdukur, turpëruar,
Si përbindëshat diabolikë,
Ta shikonin gjunjëzuar!

Dëshmimtare mes turrmës isha,
Belbëzoja, shpirtëvrarë!
E përhumbur, shi kërkova..
Plagët shpejt për t'ia shpëlarë...

Djalli e mori, isha në gjumë!
Fshiva sytë e lemeritur.
"Mos me humbjen flija unë"?

(Oh, dashuri sa të kam pritur!)



Poezite u moren nga profili i krijueses ne FB