Montag, 19. November 2012

Grigor Jovani: FYTYRA E ZOTIT



Cikli: KARTOLINA

NE NDODHTE...

Kur në sytë e mi ndodh të shikosh
re të ngarkuar me shi,
kur një det i zemëruar shkallmon dejet e mi,
kur zogj të therrur më sheh në buzë,
në vend të fjalëve,
e dashur,
mos më ler të bredh mes ftohtësirës mëhallave.

Në ndodhtë, gjatë çastit të mbytjes,
në mes të panikut,
kërkoj ndihmë,
mos m’u mërzit, jeta ime, mos më shtyj...

Bëj një fole me duart e tua,
më ler të hyj.




PEMA

Është plakur tashmë dhe rri kokëvarur,
në krahët e rrjepur
nuk i ulen më zogj në pranverë.
Prej kohësh përton të nxjerrë fleta,
hije nuk bën për udhëtarët në verë.
Kapërceu pragun e çdo kohe,
duket e vdekur është, gati të shembet...
Unë them se pret ndër degë një pulëbardhë,
t’i shkund pak ujë deti
dhe të trembet.





FYTYRA E ZOTIT

Sa vjen dhe më e huaj më duket fytyra e Zotit,
shikimi i tij, gjithmonë e më shumë,
enigmatik.
Jam zhytur kaq thellë brenda Skëterrës sime...
Duke mos pasur asnjë shpresë për të ikur,
nuk ndjej as frikë.

Vetëm natën kam frikë.
Më vijnë sipër kokës ca vemje të mbrapshta,
kujtojnë premtimet: “Duhej t’i mbaje,
si çështje nderi...”
Kërkoj fytyrën e Zotit. Të shpallë para të gjithëve
Pafajësinë,

veçse këtu është Ferri.

Këtu asgjë, asgjë nuk dëgjohet...
Përveç gjitonit gjarrpër, që gjithmonë e më tepër
afrohet...



FATALE

Të kam dashuruar, gjithë jetën time të kam dashuruar,
si çilimi. Të kam dhembur,
as vetë nuk e di se sa të kam dhembur, një zot e di.
Dhe nuk pyeta... nuk e di si u bë që s’pyeta:
a më dhimbje ti...

Shqetësohesha në kishte ftohtë dashuria. Sarkën e ëmbël,
mos e gjente era dhe ma bënte kallkan.
Me tesha të ngrohta e vishja. I ndezja zjarr dhe e nanurisja.
I gëzohesha,
si një fëmije që s’qan...

Të Huajin e Panjohur kisha frikë, mbi të gjitha. Vigjëloja
si burrë,
gjithë jetën, qyshkur të gjeta.
Se ç’kishte thellë, ç’fshihte nën sarkë dashuria,
o zot, nuk pyeta!



FJALA E FUNDIT

Kërkoj, qysh në mëngjes, fjalën e fundit,
për të fundmen vjershë, në këtë vit.
Të fitoj Konkursin e Fundit të vitit,
se kushedi, nuk ka më “prit...”.
Fjalorët hap - s’i kam përdorur kurrë,
lavdi Zotit, për fjalë,
s’ndjehem ligsht asnjë grimë.
E pamundur të gjej fjalën e fundit,
t’i vëj vjershës së flamosur një firmë.
Zbuluar janë të gjitha fjalët,
me përjashtim të asaj që më duhet.
Nuk më vjen keq, që do humbas Konkursin,
më bren mendimi: këtu diçka luhet...
Mos Zoti më bën lojë: më shmang nga Fjalët,
më lë të gërmoj kot, në pikë të mundit?
Apo mos ndodh tjetra: nuk është shpikur
deri më sot,
fjala e fundit.

Athinë
(Përfunduar ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor, 2011)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen