Montag, 23. Mai 2011

Tonin Nikolli: CIKËL ME POEZI




PSA IKJES SË DIELLIT


Le të më dalë fryma në mëngjes!
Le të pushojë zemra. Gjaku të ngrijë!
Lajmin e vdekjes çojeni vonë,
Pasi të vdesë dielli.

Kur të veshë errësira botën,
Do të vijë ajo!
Me një trokth marramendës,
Me pelerine të zezë.
Me një fjalë të akullt, me dy sy pa jetë.
Me gjuhën e prerë, me veshë të cunguar,
Me dy zgavra sysh, si puse shteruar…

Mos e lini të afrore!
Se mund të rizgjohem, mund të bërtas.
Shpirti nuk është bërë dhè,
Nuk është bërë dërrasë.




CA DRURË


Lisave u ranë
I vranë. I thanë.
Me sopatë ua prenë lëkurën.

Në vend të tyre, në mëngjes,
Mbollën ca drurë qe….përkulen….
 


RIKTHIMI


Unë jam si lumi me drejtim të ndërruar.
Për t’u kthyer në shtratin e vjetër,
Gërryen, gërryen papushuar…




NJË COPË GURI


Jam një copë guri.
Shkëputur nga shkëmb i vjetër.
Jam një copë shkëmbi,
Shkëputur nga Kreshta e Lartë.
Një cpoë krahu e shqipes së paepur,
Copë kthetre që krenari mbart.

Jam copë guri mizorisht shkepur.
Rrokullisur vitesh me rropamë.
Endem shpateve, luginave për të gjetur,
Vendim tim, ku peshoj rëndë.

 

BULËZA E UJIT


Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Nën diell reflekton margaritar.
Mbi fijen e barit, kur ulesh,
Je vezullim i paparë….

Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Në shkretëtirë shuan etje të madhe.
Ashtu si digën shemb pa bujë,
Dhe bën një gjëmë të madhe.

Ti je e vogël, bulëz e ujit!
Por ke një peshë tejet të rëndë.
Kur rrjedh vajshëm prej syrit të bukur,
Dhe tregon sopirti qhemb.

Ti je e vogël, bulëz e ujit….
 


UNË S’KAM LOTË

( Në ditën kur vdiq poeti dhe miku im i madh, Ndoc GJetja )

Mëngjes i rremë.
I pavertetë.
Qiell i plumbtë.
Bien retë.

Vizione malesh të largët,
Rrëzuar në tymtajë.
Sythe që vyshken.
Lule te paçelura.
Vaj!

Ti ke vdekur!
Dhe une s’kam lote,
Të të qaj…!

 

DETI


Deti shpreh fjalët,
Me valët…

Shpreh marazet,
Me tallazet…

Shpreh poezine,
Me kaltersine…

Vetëpastrohet përditë.
Nxjerr jashtë leshterikë…




DO T’UA LE…


Eci në të njëjtën rrugë me të tjerët.
Në të njëjtin drejtim.
ME HAPIN TIM!

Flas nga e njëjta tribune, me të njëjtët njerez.
Me të njëjtën gjuhë.
ME FJALËT E MIA!

Jetoj me të vërtetat e botës sonë.
Me përgënjeshtrimet e përditëshme.
ME TË VËRTETËN TIME!

Lagem nga i njëjti shi. E njëjta borë.
Thahem në të njëjtin diell.
ME RRECKAT E MIA!

Një ditë do të vdes.Do këpus ëndrrën.
Do le të vetmen gjë që kasha për ju;
ZEMREN!



SHI DHE AVULL


Kur botën shiu ka rrethqarkuar,
Dhe xhamet me avull janë bërë opakë,
Me gishta mbi qelq diçka kam shkruar,
Një frazë të ëmbël që duroi pak…

Avulli mbi qelq është një magji.
Është një telajo enigmatike.
Shkruan mesazhe dhe për çudi,
Fshihen, o kthehen në herioglife…

S’i lexon kush dhe shpirti vuan.
Jashtë përplaset indiferenti shi.
Shpirti me avullin përsëri luan,
Në lojën e përjetshme dashuri.




FLETA E BARDHË


Një fletë e bardhë rënë prej qiellit të kaltër,
Rri pezull në udhëkryqin ku fryjnë erërat.
Kalimtarë që lënë një firmë.
Një strofë.
Një zhgarravinë…

Dikush gris një copë,
Pranë zemrës e ve si hajmali.

Ndalem i mrekulluar para saj.
Nuk mundem të shkruaj.
As të zhgarravis.
As të gris…

Por fshehtas,
Qaj…





MË NDEZE!


Ma vure flakën!
M’i ndeze tërë drutë e sopirti.
Ma prushove zemrën.

Shëëëëët!
Mos ia thuaj kujt!

Se,
Ha, ha, ha, ha!
Na fikin.
Na hedhin ujë!




HIPOKRITI


Dhëmbët e tu janë shumë të frikshëm…
Kur qeshin…
Jo, kur skermiten…
***


Do rrëzohem diku…
Nuk do të ngrihem më.
Do mundohem të pëshpëris,
Një amanet,
Pa zë…


***


Kërkoj një pishtar.
Të ndriçoj skutat e mendimit modern…

Një tas ujë.
Të shuaj etjen e përmytjes njerzore…

Një rrahje zemre.
Për të vrarë vdekjen e shpirtit…



ËSHTË VONË


Është vonë, sytë po i mbyll.
Të bie në terrin e paqtë, kështu.
Për ty trurin shumë po e shtrydh,
Të të sjell më pranë, këtu…

Kilometra, kilometre…
Ndërmjet nesh krijojnë boshllëk.
Zemrat thërrasin njëra- tjetrën,
Ikën njëra, tjetra ndjek…

Tani thirremi nga larg…
Përmes mallit që na djeg.
Ikën ti, të vij nga pas.
Iki unë, prapa më ndjek…

Është vonë, sytë po i mbyll…
T’i hy territ të ftohtë në gji.
Derën hapur lë për trill,
Me shpresën se kthehesh ti…
 
 
Tonin Nikolli ka lindur ne Gjadër te Lezhës .Shkollën 8-vjeçare e ka mbaruar ne vendlindje. Ka vazhduar studimet ne shkollën " SKENDERBEJ" në Tiranë, për t’i vazhduar më tej, në SHKOLLEN E LARTE TE AVIACIONIT në Vlore, të cilën nuk e ka mbaruar plotësisht.
Ka punuar mësues në shumë zona... të rrethit Lezhe, për t’u rikthyer përfundimisht ne repartin e aviacionit, si punonjës i stacionit meteorologjik. Nga viti 1997 eshte emigrant në Itali.
Fillimet letrare janë të hershme.Nga viti 1977 ka botuar krijimet e tij në shtypin shqiptar te kohës.
Ka botuar vellimet poetike:
" PERTEJ SHPIRTIT"
"GUR PENDIMI"
Është në proces të botimit vëllimi poetik " PYLLI IM I BARDHË" si dhe ne dorëshkrim " PETALE VIOLË".

Përgatiti: Kujtim Stojku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen