Dienstag, 12. Februar 2013

Thanas Jani: TRI POEZI PËR SHËN VALENTININ

 
Nase Jani

 DIVERSITET ME SHËN VALENTININ

Në mesin e shkurtit të shkurtër,
dashnorët i thonë njëri-tjetrit:
“Ç’ka bërë për ne shën Valentini,
që s’e bëri dot shën-Misteri?!”
Ku i mbledh dot gjithë dashniorët,
që dergjen shpirtdjegur gjithë vitin?
Si mund t’I dehë një gotë verë,
kur deti I marrëzisë dot s’i mbyti?!

Dashuria, gjithë yjtë i ka shenjtër,
ka emër ç’do zemër,
ç’do zemër,
ç’do zemër…

Sarandë, 1995


 


THASHË TË KËRKOJ SHËN VALENTININ

Thashë të kërkoj Shën Valentinin,
kërko, kërko, mezi e gejta,
në shkretëtirë të shkretëtuar...
Një thes me dhimbje kish në shpinë,
s’dinte ku ecte i harruar...

I thashë ca fjalë e s’më dëgjoi...
Më tha ca fjalë, që s’i mbaj mend...
Në shkretëtirë të shkretaëtuar
u shemb mbi rrërë e s’u përmend...

U shemb mbi rrërë e pastaj humbi,
humba dhe unë e s’isha më...
Nuk di ç’u bë thesi me dhimbje,
kish dashuri brenda në të?!

Athinë, 2005


 


SHËN VALENTINI ËSHTË TEK UNË

Shën Valentini është tek unë,
më sheh çuditshëm dhe e shoh,
mendon: për të jam i papunë,
mendoj për të, se më mashtron…

Mendon, se thinjat më kanë plakur
dhe zemra s’di të dashurojë,
se deti, nuk mban në gji-dallgë,
se era, nuk di nga të shkojë…

Mendoj, se shenjti-Valentin,
ka mbetur i padashuruar,
kërkon një datë në kalendar
të mos harrohet-i harruar…

Shën Valentini është tek unë,
më thotë, t’i shkruaj ndonjë varg,
I them: O shenjt, je plakur shumë,
në dashuri s’ka kalendar!....

Athinë, Shkurt 2013

Freitag, 1. Februar 2013

Sabit Rrustemi: VARIACIONE PËR LIRINË

 
Sabit RRUSTEMI

VARIACIONE PËR LIRINË

Të dëshiroj pse nuk të kam
N’mungesë tënde i robëruar jam
...
Pse të dua
Ndëshkime të rralla gatuhen
E një mal vuajtjesh

Përdorem për gjuajtje
Shqelmohem pështyhëm
Rrudhem ndryhem
Ftohem skuqem
Po - s’lakoj s’ndalem
Derisa me ty nuk çmallem

Ti vonohesh
Sytë m’i shterrë në pritje

Bota zien kur s’vjen
Përmbysen rrugët nxihen dritaret
Nata kapton malet
Sjell ujq karpatesh
E – sy çiklopësh

Edhe kur g’dhinë
Po si g’dhinë
Mungesa jote agun përhinë

Bota si botë
Kot ëndërron paqen
Nëse buzët e mia me tuat s’çapen

 
 
GRISHJA

Përfton syve të mi
Si dje syve të babës
Pardje syve të gjyshit
Katërgjyshit

Ndërroj hapat
Pas saj rend
E nuk e zë
E nuk e prek
E nuk e puth

As kur m’afrohet
Me drithërimë
Më përshkon vezullimë

Nuk e di
Fluturoi zogu
Apo ai avull dëshire
Me emrin liri

Nën qerpikët e një vashe
Erë dheu me grishë
Për flijim të ri

 
 
 
PO TA KISHA LIRINË

Po ta kisha lirinë
Një shul
Një qen
Dhe një mur
Do të më mungonin

Po ta kisha
Ah po ta kisha lirinë
Projektin për shtëpinë e re
Do ta filloja e mbaroja
I buzëqeshur

 
 
 
 
VETËM E DËSHIROJ

Lirinë vetëm e dëshiroj
I zoti s’jam ta shijoj
Kur dua
E si dua

Krushqit ma falën varësinë
Në një pasdite
Me një buzëqeshje cinike

Rashë në provim
Për një puthje
Tinëz botës iu shplova nuses

Liria mori edhe një mungesë
Në jetën time

Tash e grish kot
S’vjen me ftesë
As në besë

Pa një udhë gjak nuk rrëmbehet
Nga ai tjetri

 
 
 
 
PENG I DËSHIRËS

Nga sytë e përdalë të botës
Trembet liria
Në vargje të mia fshehet

Llapë e llapë
Gojë e botës së përdalë
E ik nga unë ajo

Përditë nga pak
S’është me mua

Vonohet
S’duket udhëve
Netëve ëndërrash ndizet

Peng i syve bëhem
Ditë e natë
Peng i dëshirës për lirinë

 
 
 
 
AS PUTHJA

Hap pas hapi kërkoj lirinë
Liria për një fije floku
Largohet hap pas hapi

Hapat e mi
Hap pas hapi
Ngarendin drejt saj

Një fije floku
Ia vret syrin lirisë

Nëpër faqen prush
Gishtërinjtë më ngatërrohen
N’atë fije floku

Liria skuqet
Prej pamundësisë sime
Mbyllet nën qerpik

As puthja s’e kthjellon

 
 
 
 
TË TË PREKË

Shkunden gjethet
Si flokët tua fytyrës
Shkunden e s’ndalen

Të zverdhura bien
Bien e presin
Nën hapat tanë

Ti shkund degët
Flokët shkund
Çelë fytyrën

Dora ime
Zog i ngrirë dëshire
Të të prekë matet

Hapat ngatërrohen
Nëpër të thyerat degë
Shkelen gjethet

Ato shushurijnë prej dhembjesh
Nën shollat tona
Pas na ndjekin

 
 
 
 
NË PRANINË ESAJ

Pë pritje
(di) kush ma vjedh shikimin

Dritarja
Rruga
Apo vonesa e lirisë

Dora drojshëm ngreh dëgjuesen
Numrat hanë gishtat
Telefoni therrë orëzemrën

Përmes eterit
A shlyhen mungesat

Jetën time e dua
Vetëm në praninë e saj

 
 
 
 
MUNGESAT E LIRISË

Nëpër të sotmen time
Mungesat e lirisë
Mbushin katrorët e zbraazur
Spektrin e dëshirës thyejnë
Me një vajë qyqeje ne verë
Ngushëllojnë të tharat degë

Kot bie në gjunj
I falem ditë e natë
Gjurmët ia puthë
Nëpër të lumen tokë

Vetëm për ca pika gjaku
E një faqe të bardhë
Ndrydh në Vete e në Mua
Një mal dashurish

 
 
 
 
KUR PIKON ÇATIA

Nata çiçër
Më palon për shtrati
Tek shtrihem për së gjati
Mornicash kaplohet shtati
E dridhet i ngrati
Nuk e ngroh jorgani
As organi

Fillikat i prerë me vija
Ku pikon çatia
Zë e shembet shtëpia
Braktiset dhe nga dashuria
Se mungon oh
Erë ëmbëla liria

 
 
 
 
DIÇKA E LIRTË

Diçka e lirtë
Endet e s’pushtohet
Prej syve t’u të zez
Prej qenies sate të butë

Diçka e lirtë
Përvidhete dhe buzëve të mia

E dashur
Në më do flijom
Në të dua flijohu
Liria nuk është liri
Nëse nuk ia falim nga një dashuri

 
 
 
 
AJO QË NUK E KAM

Kam shtëpi tokë grua fëmijë
Dhe krejt ç’duhet për të ngrënë
E për të pirë

Po s’vlejnë hiç
Sepse ajo që nuk e kam
E ka emrin tënd

 
 
 
 
E(T)JA

Në sa metafora
Të ta shpallë dashurinë
Në sat ë tjera
Të ta fsheh
E ta vras të njejtën
Nëpër gardhiqe provincash
Për sytë qorr të Publikut

Oh ç’ddigjem nga dëshira
Për një liri
Të paprekur
Të paputhur
Të pajetuar
E – Po – e(t)ja
S’më del nga metafora

Nga albumi poetik"Natyrë me vaj" 1994
Përfshirë dhe në librin poetik VARIACIONE PËR LIRINË, 1997