Dienstag, 31. Juli 2012

Agim Shehu: NAGANTI I ISA BOLETINIT


 
 
NAGANTI I ISA BOLETINIT

Bene udhe te gjate
te inglizi vinin
Ismail Qemali
Isa Boletini
.
Hynin dy shqiptare
brenda ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.

Shqiperi e tyre
kish halle e mjera
armet zoterinj
regull,rine te dera.

U ngrys luftetari
syte i shkrepen cike
lere diplomati
i tha me qerpike.

Dhe ua la tek dera
Isa Boletini
poshte nen brez,te vogles
syte i shkrepetinin.

Faqen vene te trupi
veshin vene te gjaku
je edhe per mua
thosh ajo se largu.

Hapat qete e qete
binin ne pallat
njeri luftetar
tjetri diplomat.

Here-here qerpiket
si gershere perplasnin
thua drite te huaj
syte nuk u qasnin.

Dhe tha lordi i madh
gjuhen duke zgjidhur
me humor te huaj
me nje gaz te hidhur.

Ja dhe carmatosur
zoterinj shqiptare
si kallkan i ngrire
ngriu fjal e pare.

Pa nagantit siper
brezit me si pritej
por nen brez e vogla
zu te hasharitej.

Mblidhte xixa zjarri
permbi trup te bukur
priste luftetarin
qe ti thoshte "duku".

Syte e diplomatit
zjarr te hidhur shkrepen
Isa Boletini
brrom nga brezi tjetren.

Brrom aty perpara
mu te lordi prane
"Madheri Shqiptarin
kurre s'e gjen pa arme".

Zbardhelloi sermaja
shkreptiu fildishi 
ndriten malet tona
andej larg,tek ishin.

Qelqe e shandane
dhane drite te lige
Ismail Qemali
qeshi nen qerpike.

Dhe naganti ulur
rrinte sic i duhej
dora nga i zoti
tyta nga ti duhej.

Nxinte tyte e vogel
brenda nxinin halle...
Shqiperi e vogel
ne tryeze te madhe
 
 
_______________
Solli për ne Sinan Kerpaci

Sonntag, 29. Juli 2012

Grigor Jovani: 10 LIRIKA DETI

10 lirika deti
 

 MUZA

Duhet të të kërkoj të falur, Muzë!
Mban mend? Shfryva bulçitë vite më parë:
“Mirë që me vargjet s’më bëre të pasur,
por as edhe një flirt, dreqi ta marrë!”

Ma ruajte për në fund, moj bijë e mbretit:
nxore një koral, nga fundi i detit.
 





 MJALTI NE BUZE

Të kishte mbetur
mjalti në buzë.
Një pikë nektar,
aty në cep.

I kisha duart
në tjetër punë...
Buzët afrova,
I bëra sqep.

Bashkë me gjuhët,
dy palë buzë,
i ngjiti mjalti,
askush s’i hoqi.

Duke i shqitur,
mbeti një shenjë.
Haje merak:
“Ç’t’i them tim shoqi?”

 
 
 
NE NJE SHTEPI

Në këtë shtëpinë e vjetëruar,
dikur jetonte një peri.
Një botë e tërë ia kish lakmuar
belin e hollë, fytyrën, gjinjtë...

Tani është plakur krejt e shkreta,
duhan të lirë dredh me gazeta.
Kollitet. “Plaç!” – i thonë komshinjtë.

 
 
 
PUTHJA

Kërkova ujë tek shoqëria ngjitur,
më zgjati shishen një syndritur.
“Nuk kemi gota,” – tha,
e skuqur shpuzë.

S’kisha tjetër mënyrë,
ta puthja në buzë.

 
 
 
KULAÇE ME MJALTE

Prapë,
kulaçe me mjaltë gatuan,
nënë?
Nesër kam ditëlindjen.
Nuk m’i harrove kurrë,
moj e mira.
Por pse,
këtu e dhjetë vjet, që ke ikur,
gatuan të njejtat embëlsira?

 
 
 
PJESËMARRES NE VRASJE

Le të ndodh sot, në të aguar.
Do ta vras. Madje jam vonuar.

Do vë dyfekun në syrin e shënjës,
do ta fiksoj mes shënjestrës
dhe bam!
Kaq netë më përqesh vargjet e zemrës,
m’i bëri ndjenjat
haram.

Le të jenë të gjithë dëshmitarë në vrasje.
E bëj qëllimisht,
s’kam gajle, vërtet.
Ç’kujtuat ju? Me Hënën kam ngasje,
atë do vras,
do ta zhys në det.

 
 
 
HIJET

Kur nuk je ti, zmadhohet shtëpia.
Hap dritën: mungojnë lëvizjet.

Përse habitesh? – thonë sendet -.
E dije...

Dhe krevati,
krevati ku bënim dashuri,
i paprekur, i ngrirë, si hije.

 
 
 
PLAZHET E HUAJ

Plazhe që të nxjerrin në të tjera plazhe.
Vaporë që mbërrijnë. Njerëz të njejtë,
që nxitojnë.

Ndryshimi? Nuk të dashurojnë…

 
 
 
 
AKUARIUMI

Miq hipokritë!
Më mëshironi,
kur më shikoni
burgosur vargjesh,
si peshakaqen
brenda një akuariumi,
kështu më vjen,
të thej xhamet,
t’ju shqyej qeshjet,
mos t’iu zerë gjumi!

 
 
 
NGADO QE TA KTHESH

Ngado që ta kthesh, sido që ta shtrosh:
punë dreqi kjo... të dashurosh.


GRIGOR JOVANI
(Plazhi i Shën Teodorit, 29 e korrikut, 2012)

Samstag, 28. Juli 2012

Fadil Curri: GJUHA SHQIPE

 
 
GJUHA SHQIPE

(Qortim miqve V. M e H. M)

Gjuha shqipe lind nga nje gurre e pashtershme
dhe pastaj trojeve te saja leshon te vetmin shtat
si djep qe nanuriset ka rrjedhen e perhershme
ndermjet dy brigjeve, qe i bejne te dashurin shtrat.

Ne njerin breg te lumit eshte dialekti i emblesise
ne tjetrin breg te lumit eshte dialekti i trimerise
merrni nga te dy brigjet frutet e pavdekesise
dhe jepjani shpirtgjere pemes Shqipja e Madheshtise.

Ju, qe te dy e si ju, nje qellim te çilter e keni,
te arrini te sherimorja shpetimtare e tokes se shqipesise
deshmmtare te ketij fati nje dite ne Shqiptari do te jeni.
kur ne sofer do te keni ajer, uje e buke te vellazerise.

Freitag, 20. Juli 2012

POEZI NGA ALI PODRIMJA





Ali PODRIMJA

UNË BIRI YT



Unë biri yt, Kosovë, t'i njoh dëshirat e heshtura,
t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t'i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t'i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.








EPIKA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj kam hëngër me veten
e ditur s'kam të qesh me veten e tepruar...
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!








ANKTHI

Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë...

Caqet e tua herët t'i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m'i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje...

Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë

e ngrirë n'ajër?
Nipave ç'tu them për këngën time të vdekjes?
- Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t'më
kish mbirë!

Toka ime digjet
në çdo pëllëmbë të trupit tim - toka e mallkuar..









ME JETUE


    Tim bir, Lumit

Erdhe në jetë
Nuk ka më nevojë për kuje, lutje
Kryesorja të jetosh

Këtë gur ta hedhësh më larg se Unë
Prandaj:
Bukën ta pjekësh dy herë nën saç
Ujin ta ziesh deri në shkallën 99
Derisa të mbetesh ti i vetmi kërthi në ajër
në kohë kozmos.

Metafora e Jetës Sime

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

heshtja të të mos shtypë
në gurë
rnulliri

nëse s'flas
jeta ime s'ka qetësi

fjala ime bëhu Unë

plaga ime
le të marrë
frymë thellë









ME QENË

Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është

Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është

Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë







TI DHE UJI



Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s'mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s'është simbol i kohës sate as i artit tënd

(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)

Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.






NJË NATË NGA NETET PA GJUMË

Zgjohu Kosovë!Zgjohu nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu,oj!A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër,mu në shpirt,
si t`i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!

Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë cater kush po e le?
Ç`janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tende,
këto varre e murana qe po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?...
Zgjohu, Kosovë!Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!...

Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s`po me troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.

Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut.....
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pelcitur.
Bota në ty le të kallet!





PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndërrat do t'i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t'i lajmë sytë, duart lythore,
do t'i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t'i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t'i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s'do t'i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.






RËNKIMI

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat,
E vatrat shkimbur deri në një.

Zogun në qiell, zogun ta kanë vrarë
Me duar të mia të çara
Me rrashtat tona të shpuara mbuluar të kanë;

Pragje thyer e konaqe mbyllur...
Për gjithkë e për askë vrarë jemi...

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj.

Plepi im qiellin do ta shpojë,
Plepi im i kallur
Qiellin e humbur majë një shpate.





Hyrje



Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën.

Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit: Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,) Diellin tënd verbuar e kanë tytat E vatrat shkimbur deri më një... Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.

Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999). Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.

Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike.

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.




Huazuar nga SA-KRA

Grigor Jovani: DUKE TE PRITUR TY

 
DUKE TE PRITUR TY

Të prisja. Ngjante nata ndërkohë,
se kishte zbardhur...
Nga ankthi mos nuk vije kurrë,
ndjeja të mardhur.
Duke të pritur ty,
u bëra heshtje, album, pasqyra.
Prej karafilit që mbaja në gojë,
m’u mbush me erëra
fytyra.
Duke të pritur ty,
përshëndeta disa zogj shtegtarë,
që nuk i mbante dheu.
Mbërriti agimi ndërkaq.
Duke të pritur ty,
u plaka 20 vjet,
si Odiseu.
Të prisja. Dhe ngjante ndërkohë,
se më në fund kishe ardhur,
më kërkoje...
Ndonëse e dija: në limanin tim,
nga erërat,
nuk mund të zbarkoje.

Sonntag, 8. Juli 2012

Grigor Jovani: BIJEZE!

 
BIJEZE!

Mos u beso atyre që të thonë:
“Sa shumë i ngjan: shikoje Hënën!”
Janë të këqinj njerëzit, bija ime,
kurse ti kaq e re! Dëgjoje,
babain dhe nënën!

Mos u beso atyre që të thonë:
“Ndrin si ai: shikoje Diellin!”
Janë të këqinj njerëzit, bija ime,
kurse ti kaq e re! Hiqe nga mendja
qiellin!

Hëna i ngjason Ofelisë,
do trishtohesh!
Dielli i ngjan princit Hamlet,
do verbohesh!
 
 

Freitag, 6. Juli 2012

Grigor Jovani: DASHURITE E MIA


BOTA

Kam parë kaq shumë
dhe kam dëgjuar.
Besova ca,
më të shumtat fare.
Kur do të jem për të ikur,
kam për t’ia lëshuar:
“Botë, moj gënjeshtare!”




 KUJTIMET E NJE JETE

Kohët e fundit nuk kam fare kohë.
Kam thirrur nën armë të gjitha kujtimet,
siç fton për luftë rezervistët flamuri.
Me të marrë ftesën, u gjendën prezent
dhe ato të largëtat,
që dezertuan nga truri.
Ngaqë duhet të ngrej një ushtri nga e para,
nuk kam fare kohë,
kaq netë kam pa fjetur.
Kujtimet erdhën dhe u mblodhën kaq shumë,
sa nuk mjaftojnë kapanonet e mbetur.





 ENDRRA TE DEHURA

Më bënë një ditë në rrugë alkotest.
- Fryj këtu! – m’u hakërryen si bisha.
Ngaqë më panë të shqetësuar shumë,
kontrolluan dhe bagazhet që kisha...
Tek ikja, qeshja me vete gjithë rrugës.
Me Elvis Prislin këndoja rrok en rroll.
Policët nuk panë ëndrrat e mia të dehura,
me marihuanë dhe heroinë boll.





 GABIMI

E quajnë të shëmtuar. Por nuk është.
Ndjek gjithmonë taktikë të gabuar.
Ngaqë preferon të gjendet me të bukurat,
ajo, mesatarja, ngjan e shëmtuar.





 FYERJA E POEZISE

Fitoi shumë: dekorata dhe çmime.
Një komb i tërë e nderonte si mbret.
Erdhi një kohë, kur i mohoi të gjitha.
Donte të mbetej vetëm Poet.

Koha kaloi. Veç në shtëpinë e vjetër,
Poezia gjer dje nuk qe kthyer...

Ishte fyer.





 KUSH DO TA MENDONTE...

Kur bëhej gati për të dalë babai,
nëna e pyeste, kur do të kthehej.
Tërbohej nga inati. Ca më shumë,
kur e priste vonë,
ngaqë dehej.

Tani nëna nuk rron më. Babain
nuk e pyet kush, se kur do të kthehet.
Nuk i thotë kush: pse u vonove?
Dhe ai tërbohet.
Më shumë dehet.

Kush do ta mendonte, se do qante!
Të ishte gjallë Ajo. Dhe le ta shante...





 PRIJESI

- Atë zgjodhën prijës? S’gjetën tjetër?
Ai është dhe qorr! Do të pendohen...

- Preferon prijësat sy shëtitës?
Ata shohin rrotull dhe vonohen!





 KRIMET QE KISH FSHEHUR

E dëgjoi dënimin krejt i qetë.
Veç pastaj, i vetëm në qeli,
fshehu fytyrën në pëllëmbë
dhe shkriu...
Ishte i drejtë dënimi. E pranoi.
Shkaku i ngashërimit qe gjetiu.
Se dakort, gaboi dhe e pagoi.
Për çdo krim ka një dënim përkatës...
Por mendonte krimet që kish fshehur,
për ato s’u deklarua vrasës.
Nuk zhbiroi për to asnjë hetues,
asnjë prokuror nuk shkundi ligjet.
Ndaj tani i rrihnin tëmthat fort,
pandërprerë, si deti shqelmon brigjet.
Si t’i fshihte krimet, që kish fshehur?!
Një mijë herë të shpallej i pandehur...





 ASNJEHERE

U gdhiva sot,
duke lexuar zemrën time.
Pas pak jap provim. Afron ora...

Kaq herë e dhashë.
Asnjëherë s’e mora.





 DASHURITE E MIA

Dashuritë e mia qenë të pakta.
Dhe të shkurtëra. Veç më lodhën gjatë.
Ngaqë mbajta kohë brenda meje,
tërë atë trishtim që sjellin gratë.

Them t’i zboj dikur nga vetja ime.
Por nuk ikin. Bashkë do vdesim, thonë.
Dhe t’iu them të drejtën, edhe unë
këtë dua. Ndonëse më rëndojnë...





 HOLLESI E HARRUAR

Gjithë jetën
kishte vetëm një qëllim:
të mblidhte, të mblidhte...

Tani në fund, kur mblodhi kaq,
sa s’mund t’i numërojë,
u kujtua:

Kush do t’ia trashëgojë?!





 ASNJE

Botova nëpër libra dhe gazeta.
Më dhanë edhe çmime. Befas krejt,
emrin tim në antologjira ndesha.
Kësisoj, më quajtën poet,
desha nuk desha...

Veç nuk pa asnjë gjithë këto vjet,
tërë atë trishtim
në këto vjersha.