Dienstag, 5. Juni 2012

Dymbdhjetë poezi nga Grigor Jovni

 
 
Të majit (1)
 

 MUSHTI

 Imzot,
kungomë dhe sot,
me mushtin dionisak të vjetër!
Në s’ndjehesh mirë
dhe s’ngrihesh dot,
s’prish punë.
Herë tjetër...
 




KUAJT

Kuajt lëpijnë
këmbët e plagosura të kalorësve,
atyre që u gjuajnë me shqelma.
Kuajt lëpijnë
duart e përgjakura të kalorësve,
atyre që i rrahin me kamzhikë.
Kuajt hingëllijnë,
kur rrezikohen kalorësit,
pasi janë besnikë.
Se edhe atëhere,
kur kalorësit i shqelmojnë,
edhe atëhere kur i fshikullojnë,
ata janë zotër,
nuk bëjnë kurrë gabim.

Po përse, atëhere,
sytë e mëdhenj të kuajve,
kanë përherë trishtim?
 
 
 

 UDHA

 - Shkoj mirë këndej, o patriot?
- Po, po, ec drejt!
- Por prit! Ia futke kot?!
Ti qënke i verbër krejt...
 
 
 

 TRIMAT

Në Had janë mirë. I kanë të gjitha,
me përjashtim ca rreze dielli.
Mund t’i mungojë ndonjërit hëna...
Ç’e do dhe atë, mungon krejt qielli!

Veç nuk kanë zgjidhur një merak:
pse gjenden poshtë,
kur falën gjak?!
 
 
 

 NDERIMI

 Kam talentin fisnik të shkruaj vjersha.
Mjetet e duhura: zemrën
dhe fjalët.
Kam zë të ëmbël, por edhe të fortë,
sa herë këndoj
shkallmoj desibalët.
Kam tru muzikor. Kur kompozoj,
mund të ngre në këmbë
një amfiteatër.
Kam stil aktori. “Të rroj a të mos rroj”,
e luaj dhe në jetë,
jo veç në teatër.

Për nderin tim, ngaqë medalje s’kam marrë,
më ngjeshën në mur. Urdhëruan:
“Zjarr!”
 
 
 

 PALIGJSHEM

Ç’më çake kokën! Puna s’është,
nëse për ty,
në zemër kam një vënd.
Kam tjetër hall. Këtu e ca kohë,
se kush banon atje,
me emrin tënd...
 
 
 

 VDEKJA

 Nuk është dhe kaq e keqe
Vdekja,
mbase e shajmë dhe kot.

Të vijnë dhe ata që nuk të duan
dhe u rrëshqasin lot.

E keqja është: nuk ngrihesh dot!
 
 
 

 FUSTANI

Mbështete mbi poltronë fustanin tënd,
si një trup të pajetë,
të ngrirë.

Ndërkaq, ekspozove mbi krevatin tim
lakuriqësinë tënde,
të shtrirë.

Po zgjedh poltronën, të ndez një cigar...
Me një trup të pashpirt
ndjehem më mirë.
 
 
 

 NAIMI

 Pas Naimit,
të pretendosh në Poezi,
ofiqe?!
Unë tërhiqem.
Zgjedh mushtin e zi,
që nxjerrin nga gjinjtë
fuçitë bullafiqe.
 
 
 

 EVROPIANET

 Pasi analizuan fenomenin
në thellësi,
duke shqyrtuar variantet
një nga një,
gjer edhe dyshimet
më të vogla,
për mundësitë
nga më të skajshmet,
më në fund e gjetën
evropianët:

“U ngatërruan votat ndër kuti,
pasi frynte
nga të katër anët!”
 
 
 

 PARAGJYKIMI

Qe kaq e thjesht,
veç mendjen pak ta krruanim:

Qentë i lehnin hënës, që ta ruanin!
 
 
 

 GURET

I mbyllën në arkivole,
por dërrasat nuk u gjendën.
I kallën nëpër varre,
por varret s’ekzistojnë.
Gurët ku u shkruan emrat,
nuk zbardhin më,
mungojnë.
Janë bërë zogj
dhe fluturojnë...

__________________________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB